UBT

Buxheti mund t’i sjellë zgjedhjet e parakohshme

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës, me një mal kundërthëniesh dhe përplasjesh brenda kabinetit qeveritar, rreth ndarjeve të parapara në linja të caktuara, buxheti i vitit që vjen së shpejti do të nxirret edhe në Kuvend për diskutim, sipas procedurës në të dyja leximet.

PDK-JA PARALAJMËRON KUNDËRSHTIM TË PARTNERIT QEVERISËS

Nëse nuk ka dakordim, bie Qeveria e Kosovës

Partia Demokratike ka vërejtje për projektbuxhetin dhe do të kërkojë harmonizimin e qëndrimeve. LDK-ja thotë se është e gatshme të bëjë kompromis

Pas miratimit në Qeverinë e Kosovës, me një mal kundërthëniesh dhe përplasjesh brenda kabinetit qeveritar, rreth ndarjeve të parapara në linja të caktuara, buxheti i vitit që vjen së shpejti do të nxirret edhe në Kuvend për diskutim, sipas procedurës në të dyja leximet. Mirëpo, diskutimi me kundërshtime serioze në Qeveri dhe dalja hapur e zëvendësministrit të Financave, Isni Kilaj, kundër miratimit të këtij buxheti në Kuvend, nga analistët politikë, njohësit e fushës dhe opozita, po shihet si test serioz edhe për fatin e vazhdimit të mëtejmë të bashkëjetesës politike në këtë koalicion qeverisës. Shqetësues mbetet fakti se partitë në pushtet zakonisht po shqetësohen gjithnjë për përfitimet e tyre të ngushta, kur ndahet buxheti i shtetit, por jo edhe për interesin qytetar.

Anëtari i kryesisë së AAK-së, Haki Shatri, njohës i fushës së financave, thotë se është shumë e vërtetë që fati i buxhetit determinon edhe fatin e koalicionit të tanishëm, veçmas pas daljes së hapur të mospajtimeve. “Që nga mbrëmja e së martës, kur ministri është kundërshtuar hapur nga zëvendësministri, që është në po atë koalicion qeverisës, i cili doli e tha që të mos përkrahet ky buxhet, antagonizmat janë të mëdha dhe shumë publike. Mirëpo, akoma ka kohë dhe mundësia është që të eliminohet ky mospajtim, sepse janë dy muaj të plotë të diskutimit dhe harmonizimit eventual deri në vitin e ri, në prag të fundit të vitit, që të mund të harmonizohen qëndrimet”, theksoi ai, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji Dea

Kompromiset bëhen në fund

Sipas Shatrit, qëndrimet është e sigurt që do të mund të harmonizoheshin pa asnjë problem, nëse partnerët e koalicionit nuk e bëjnë me qëllim këtë skenar mospajtimesh për ta pasur pretekst për të shkuar në zgjedhje. “Nëse ata duan të shkojnë në zgjedhje të reja, ata e bëjnë problem buxhetin dhe për këtë prishen mes vete, por nëse mendojnë që akoma duhet të vazhdojë koalicioni, ata e gjejnë fare lehtë edhe mundësinë e pajtimit, sepse buxheti është një dokument i planifikimit të numrave që rreshtohen, qiten disa andej e disa këndej dhe këtë mund ta bëjnë fare lehtë me rrugë procedurale”, tha Shatri.

Edhe sipas deputetit Ismail Kurteshi, nga ‘VETËVENDOSJE’, kundërthëniet e tanishme në koalicion për arkën e shtetit do të mund shuhen me kohë, me qëllim për mbajtje të pushtetit dhe kapje të shtetit deri në ndëshkimin qytetar. “Sa herë që punët udhëhiqen, bazuar në interesat parciale e jo bazuar në parime, përçarjet janë të paevitueshme. Ky koalicion qeveritar si edhe qeveritë e mëhershme janë udhëhequr nga interesat personale, grupore, regjionale. Karakteristikë e kësaj Qeverie, si edhe e qeverive të mëhershme, është keqpërdorimi i buxhetit dhe ndarja e qytetarëve në baza partiake, regjionale etj. Përçarje të partnerëve të koalicionit qeverisës për çështje të buxhetit vështirë se do të ketë, sepse në fund ata bëjnë kompromis sa i përket buxhetit, me qëllim të vazhdimit të keqpërdorimeve që u sjellin atyre përfitime personale e grupore”, ka potencuar ai. “Kësaj radhe për shkak të ndarjes joparimore të buxhetit, të keqpërdorimit të tij dhe shumë të këqijave të tjera, që ky pushtet po ia sjell vendit, po ndodh një përçarje tjetër shumë më e madhe, më e thellë dhe më e rëndësishme për vendin. Ka filluar populli t’ua kthejë shpinën këtyre pushtetarëve të korruptuar dhe partive të tyre, që i kanë shndërruar në korporata biznesi”, u shpreh Kurteshi.

Buxheti i varur nga Dogana nuk premton zhvillim

Pavarësisht formulës, që mund të gjendet për pajtim eventual, ky buxhet i radhës, edhe nga analistët vlerë- sohet se përmbush vetëm interesat e klientelave politike. “Kjo mund të emërtohet si vazhdim i qeverisjes financiare me shpërdorime. Pra, duhet të ketë politika të mirë- fillta dhe të bëhen investime, që nxisin sektorin privat të zhvillimit, sepse në infrastrukturë kanë shkuar shumë para nga mosdija për të investuar, ngase më së lehti është që harxhimi i parasë publike të orientohet për rrugë të nivelit të ndryshëm, lokal e rajonal, dhe për autostrada të shtrenjta dhe jo gjithmonë rentabile në përfitimin material e zhvillimor të vendit”, tha analisti Blerim Burjani.

Xhevdet Neziraj, ishdeputet dhe ekspert i fushës së ekonomisë, thotë se pavarësisht se si do të rrjedhë procedimi i buxhetit të vitit që vjen në Kuvend, për çka ka mundësi harmonizimi të qëndrimeve të kundërta, që janë shfaqur së fundi, rreziku më i madh që i kanoset buxhetit është vazhdimi i praktikës për shpenzim në fusha jozhvillimore, por atje ku kanë interes vetë partnerët e koalicionit për ruajtjen e klientelës së elektoratit. “Edhe pse anëtarët e Qeverisë po deklarohen se buxheti 2- miliardësh do të jetë buxhet i zhvillimit ekonomik, thënë të drejtën, nuk mund të pres se do të ketë ndonjë zhvillim më të madh sesa në këtë vit që po kalon. Prapë shihet që buxheti për investime kapitale do të shpenzohet për infrastrukturë rrugore. Nga e kaluara e dimë se kjo nuk ka sjellë zhvillim ekonomik. Gjithashtu të hyrat buxhetore prapë shumën më të madhe do ta kenë të varur nga të hyrat doganore, dhe jo nga të hyrat e tjera, që tregojnë se kemi akoma zhvillim të dobët ekonomik”, tha Neziraj./kosova sot/