207 milionë euro për ndërtim të autostradave
Në projektbuxhetin e vitit 2017, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup janë paraparë 200 milionë euro. Ndërkaq, për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Gjilan janë paraparë rreth 7 milionë euro.
Hiç më pak se 200 milionë euro janë paraparë të shpenzohen gjatë vitit 2017 për vazhdimin e punimeve në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Shkup, në të cilën 150 milionë euro janë mjete të buxhetit të Kosovës ndërsa pjesa tjetër prej 50 milionë eurosh janë mjete, të hyra nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).
Ndërkaq për fillimin e punimeve në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Gjilan – Konçul gjatë vitit që vjen janë paraparë të shpenzohen vetëm 6 milionë e 850 mijë euro, ku 1 milion e 850 mijë euro janë mjete të buxhetit të Kosovës, ndërkaq 5 milionë euro janë të hyra nga AKP-ja, të cilat janë grumbulluar nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore (NSH), shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Po ashtu për vazhdimin e zgjerimit të rrugës Prishtinë -Mitrovicë gjatë vitit që vjen me projektbuxhetin, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës janë paraparë të shpenzohen edhe 11.2 milionë euro, ku nga kjo shumë 9.2 milionë euro janë mjete të siguruara nga huamarrja, ndërkaq pjesa tjetër janë mjete të buxhetit të Kosovës.
Për vazhdimin e zgjerimit të rrugës Prishtinë – Pejë po ashtu gjatë vitit me projektbuxhet janë paraparë që të shpenzohen 5 milionë euro, mjete këto të buxhetit të Kosovës.
Një shumë e konsiderueshme e mjeteve prej 4.3 milionë eurosh po ashtu janë paraparë të shpenzohen për vazhdimin e zgjerimit të rrugës Komoran –Drenas – Skenderaj.
Ndërkaq, shuma më të vogla të mjeteve janë paraparë edhe për rehabilitim të rrugëve tjera nëpër komuna të ndryshme të Kosovës./zeri/


