Padrejtësitë me pensionet
Pensionistët kosovarë që përfitojnë nga skemat sociale të shtetit, si kategori e luftës, nuk po e marrin pensionin kontributdhënës.
Lutfije Behrami që nga muaji i kaluar nuk e ka marrë pensionin kontributdhënës, por vetëm pensionin si familjare që ka të vrarë në luftë.
Lutfijes në luftën e fundit i është vrarë bashkëshorti dhe djali, përderisa, nuk po e gëzon pensionin e moshës, pasi që Ministria e Punës dhe Mirëqenjes Sociale ka ndryshuar Ligjin për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, ku neni 16 i këtij Ligji e përjashton mundësinë që të merren nga dy pensione.
“Qeveria e Kosovës ma ka ndërprerë pensionin kontributdhënës për muajin shtator, edhe këtë muaj kam marrë vetëm të hollat që marrin familjarët e të vrarëve gjatë luftës në Kosovë”. Behrami ka thënë se nuk janë njoftuar për ndalesën e pensionit kontributdhënës. Ajo tregon se është ankuar tek Lidhja e Pensionistëve, por, sipas saj, ende askush nuk i ka dhënë përgjigje pse nuk e merr pensionin kontributdhënës.
Behrami thotë se nuk ka ligj që mund t’ia marrë pensionin e punës që ajo ka punuar 45 vjet e gjashtë muaj.
Shaban Kajtazi, kryetar i Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës, ka thënë për gazetën “Zëri” se neni i 16-të i ligjit për Skemat Pensionale, përjashton mundësinë që të merren dy pensione./zeri/


