Hashashi, Demarkacioni dhe kombi
Nga Milaim Shefkiu – Analistët dhe klasa e shoqërisë në të dyja anët e Drinit nuk po merret me problemet akute me të cilat përballen për çdo ditë shoqëria shqiptare: me hashashin, borxhin publik, papunësinë, Demarkacionin, izolimin, kleptomaninë, nepotizmin… por merren me komb e me fe. Me dy çështje që janë më pak të rëndësishme sesa “kanceri” i keqqeverisjes, i cili ka metastazuar në të dyja shtetet shqiptare.
“Çka bajnë shqiptarët?… Hanë fiq e kastraveca; E pijnë mastikë e qesin petulla n’ujë; E ngrihen rrugës e fryhen si gjeldeca; E rrinë tue këqyrë udhës ushtarët e huej; Pale e kanë kësulën qyp ose kapelë; A e ka uficiali kalin at a pelë”.
Këto vargje të Gjergj Fishtës sado që duken satirike, kanë mbi vete një mëlmesë pikante që ua djeg shqiptarëve andej e këndej kufirit gojën e prapanicën. Këto vargje që janë shkruar par gati një shekull, sa herë që bëhen “update” përputhen me periudhën e sotme. Sidomos në këta muajt e fundit kur analistët, sociologët, historianët e politikanët po merren me llafe koti, si dikur në kohën e bizantit, që priftërinjtë merreshin me studimin e gjinisë së djallit derisa muret e Kostandinopojës po shembeshin nga Sulltani.
Tani në skenën mediale ka dalë koncepti mbi shtetin dhe kombin. Një diçka që është harruar në Evropë, edhe përtej shteteve demokratike. E tani, ne si gjithmonë të vonë, merremi me çështjen se a ka komb kosovar apo jo?! Ndërkaq, së fundmi, një politikan nga Kosova përmes “ADN-së politike” ka zbuluar vëllezërit tanë në Azi. Ata po quheshin “Kalash” ose kanë edhe ndonjë emër tjetër që mbetet për t’i zbuluar, ndoshta “Gulin”. Tashti do të lindë edhe një ide tjetër. Çfarë kombi kanë ata? E meqë janë zbuluar prej kosovarëve, do të duhej të quheshin “Kalshët-kosovarë”.
E gjithashtu në anën tjetër, nga një grup njerëzish që nuk merren me politikë e kanë hapur fronin në sport se a u duhen shqiptarëve dy kombëtare apo një? Një pjesë e madhe janë kundër Përfaqësueses së Kosovës e një tjetër janë pro saj. Disa quhen tradhtarë e disa të tjerë patriotë. Aq shumë është përzier “leshi”, saqë siç thuhet në vargjet e solo-grupit të dikurshëm “Minatori” – “nuk po dihet kush është engjëll e kush është dreq”.
Krejt kjo luftë mund të konsiderohet më shumë se kot ose nxitje nga politikanët për ta zhvendosur vëmendjen nga pikat e nxehta në Kosovë e në Shqipëri.
Analistët dhe klasa e shoqërisë në të dyja anët e Drinit nuk po merret me problemet akute me të cilat përballen për çdo ditë shoqëria shqiptare: me hashashin, borxhin publik, papunësinë, Demarkacionin, izolimin, kleptomaninë, nepotizmin… por merren me komb e me fe. Me dy çështje që janë më pak të rëndësishme sesa “kanceri” i keqqeverisjes, i cili ka metastazuar në të dyja shtetet shqiptare.
E këtë sëmundje po e vuajnë edhe shqiptarët që jetojnë në tri ose katër shtetet e tjera, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi e në Greqi. Zhvendosja nga problemet e përditshme, duke u marrë me bjerrakohësi, u konvenon vetëm pushtetarëve për t’i realizuar agjendat qeverisëse. Në vend se të kritikohet qeveria shqiptare për lulëzimin e kanabisit, analistët merren me tradhtinë e Milot Rashicës. E në anën tjetër, raporti i fundit i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për drogën e klasifikon Shqipërinë si vend kryesor të prodhimit të kanabis-sativës. Sipas të dhënave të publikuara nga “Guardia di Finanza”, raport që është publikuar edhe në mediet e Tiranës, në Shqipëri në vitin 2014 u zbuluan 16 hektarë të mbjella me kanabis, të ndara në 815 ngastra. Ndërsa vetëm për periudhën e fundqershorit-shtator 2016, sipas “Guardia Di Finanza”, janë zbuluar 213.4 hektarë kanabis në 2086 ngastra.
Kjo sa i përket Shqipërisë, pa hyrë në analiza të tjera ekonomike, të politikës së brendshme, të sigurisë dhe të drejtësisë.
Në Kosovë edhe më keq. Vendi ka mbetur i izoluar nga bota demokratike. Qytetarët kanë mbetur si shtazët në kopshtin zoologjik, të blinduar në grila hekuri e çeliku.
Në anën tjetër, përplasjet brenda taborëve kanë shkuar deri në atë masë saqë më i mirë po del të jetë shkau se vëllai. Shumë procese kanë mbetur pezull, ndërsa i vetmi shpëtim aktualisht është diaspora, e cila po e blen me para paqen sociale.
Ndryshe, vendi do të shpërthente nga pakënaqësitë. Në dy vjetët e fundit Kosova më shumë ka nxjerrë mosmarrëveshje, konflikte sesa rezultate konkrete progresive. Korrupsioni ka prekur majat e shtetit, duke përfshirë edhe pikën më të dobët të shoqërisë – UÇK-në dhe veteranët e luftës. Ndërsa arrestimet e politikanëve, gjyqtarëve e prokurorëve po bëhen vetëm për “sa për sy e faqe” sepse edhe ashtu ata që po abuzojnë më së shumti me shtetin, po amnistohen të parët.
Dhe si epilog, më mirë është për “kalemxhinjtë” që të mundohen të gjejnë më të mirën për tejkalimin e krizës shqiptare sesa të gjuajnë me “çifte në hava”, të merren me tema që nuk çojnë askund. Të paktën, aktualisht.


