Ushtria amerikane, e kënaqur me FSK-në
Kuvendi i Kosovës duhet të marrë vendim për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura. Kështu ka deklaruar komandanti i ushtrisë amerikane për Evropë, gjenerali Ben Hodges gjatë një vizite që i bëri kazermës “Adem Jashari”, ku vizitoi Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe u prit në takim nga komandanti i kësaj Force, gjenerallejtënant Rrahman Rama.
Në lidhje me transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerali amerikan tha se është e rëndësishme që këtë transformim ta mbështesë Parlamenti, ndërsa mbikëqyrja civile e FSK-së është një prej gjërave esenciale. Ai po ashtu ka folur edhe rreth asaj se a është e gatshme FSK-ja të shndërrohet në ushtri.
“Ajo çfarë unë kam parë te pjesëtarët ushtarakë dhe udhëheqësit e FSK-së është më të vërtetë shumë mbresëlënëse. Në ushtrimin e përbashkët që e kemi pasur me ushtrinë shqiptare, kam parë shumë ushtarakë në formë dhe shumë të gatshëm që të kontribuojnë. E di që ju tani keni bërë operacione të kërkim-shpëtimit në Shqipëri dhe keni marrë pjesë në misione jashtë vendit, dhe mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme që këtë vendim për transformim të mbështesë në Parlament”, deklaroi ai.
Gjeneral Rama, sipas tij, tashmë e ka kryer pjesën e tij dhe tani do të bëhet transformimi.
“Ju kisha inkurajuar që ju në Kosovë të shfrytëzoni secilën mundësi që t’i shkolloni udhëheqësit e së ardhmes sikurse këta që janë mbrapa neve”, deklaroi Hodges.
Sipas Hodges-it, FSK-ja ka shumë talentë në mesin e tyre të cilët do të ndihmojnë shumë që të bëjnë një Kosovë më të mirë, më të sigurt dhe më të fortë.
“Këta kadetë janë e ardhmja e Kosovës. Këta janë djem dhe vajza të cilët kanë pasur zgjidhje të ndryshme në jetë, mirëpo kanë vendosur që t’i shërbejnë dhe të jenë pjesëtarë të FSK-së, kur i kam takuar këta kanë optimizëm për të ardhmen e Kosovës. Në SHBA ushtria është ajo e cila i sjell individët së bashku, ajo çfarë pashë sot nën udhëheqjen e Ramës është pikërisht ai talent për të cilin po ashtu edhe fola, kjo tregon se talenti i tyre do të jetë në shërbim të vendit dhe kështu FSK-ja do ta zhvillojë Kosovën”, tha ai.
Po ashtu, ai tha se ndihet krenar me punën e ambasadorit amerikan në Kosovës, si dhe me ekipin në Ambasadën amerikane.
“Jam po ashtu shumë krenar kur e shoh se me çfarë përkushtimi po e bëjnë punën e tyre këtu në Kosovë, sikurse përkushtimi i KFOR-it, të gjitha këto përpjekje shërbejnë për stabilizimin në rajon e posaçërisht këtu në Kosovë”, theksoi Hodges
Ndërsa, komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka treguar që gjenerali Hodges e ka njoftuar për proceset ku është forca e sigurisë, dhe për të ardhmen. Gjithashtu ai tha se edhe është rikonfirmuar mbështetja e ushtrisë amerikane për Evropën.
“Kemi qenë edhe dje në një ushtrim të përbashkët dhe sot e njoftova me proceset, punën që jemi duke e bërë si FSK dhe normalisht se diskutuam edhe për të ardhmen. Gjenerali e rikonfirmoi mbështetjen që e kemi prej ushtrisë amerikane dhe falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme”, ka thënë Rama.
Komandanti i Komandës së Ushtrisë së SHBA-së për Evropë, Ben Hodges, gjatë kësaj vizite ka mbajtur edhe një ligjëratë me kadetët e rinj në kazermën “Adem Jashari”.
Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas planeve zhvillimore, ishte paraparë që të transformohet gradualisht në Forcat e Armatosura të Kosovës. Mirëpo, ky proces mbetet i bllokuar në nivelin politik për shkak të mungesës së një marrëveshjeje ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës dhe atyre të komunitetit serb që përfaqësohen në Kuvend./zeri/


