Gashi: Seancat e nesërme të Kuvendit, zvarritje, përçarje dhe rrezik për stabilitetin e vendit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka kritikuar thirrjen e dy seancave të nesërme të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, duke i cilësuar si zvarritje, përçarje dhe rrezik për stabilitetin e vendit.
Në një postim në Facebook, Gashi tha se këto seanca tregojnë qartë kaosin institucional ku ndodhet Kosova.
Sipas tij, formimi i komisioneve parlamentare, futja e pesë marrëveshjeve ndërkombëtare për ratifikim, si dhe projektbuxheti i vitit 2026 nga qeveria në detyrë, po bëhen pa respektuar procedurat e nevojshme dhe pa një shumicë të qartë parlamentare.
“Ky është vetëm zvarritje, përçarje dhe futje e Kosovës në një fushatë tjetër plot tension, ku rrezikojmë që edhe zgjedhjet e ardhshme të mos sjellin stabilitet. Kështu nuk ndërtohet shteti, vetëm thellohet kriza,” shkroi Gashi.
Ai paralajmëroi se seanca e orës 14:00 është vendimtare, dhe nëse dështon, Kosova hyn në numërimin mbrapsht prej 40 ditësh drejt zgjedhjeve të përgjithshme.


