UBT

Shuhet pishtari i grafikës shqiptare

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Të nderuar miq, sot në orën 7; 15 në një spital të Bayernit u nda nga jeta Akademik Gjelosh Gjokaj .( 25.07.1933-25.09.2016). I ndjeri ishte themelues i shkollës së artit pamorë-grafikës në Prishtinë. La mbi 3 000 vepra artit në pikturë e grafikë.. Piktori dhe grafiku ynë, Gjelosh Gjokaj i cili artit ia kushtoi tërë qenien dhe jetën në kuptimin më të plotë të fjalës, ishte në majat më të larta jo vetëm të artit pamor kosovar, por edhe të atij mbarëshqiptar. Kur zihet në gojë emri i këtij krijuesi, duhet ditur se flitet për pishtarin e grafikës kosovare dhe për njërin nga pedagogët e parë të pikturës sonë ka shkruar Halil Kqiku.

Shkrimi i plotë i Halil Kqikut, mikut të Gjelosh Gjokajt

Është i madh, i shumënduarshëm e temëgjerë opusi artistik i Gjelosh Gjokajt. Karrierën krijuese e filloi me grafikën figurative, mirëpo kaloi edhe në mediumin e pikturës, duke u gjendur përherë midis njërës dhe tjetrës. Profesor Gjeloshin e qiti fati, por edhe rrethanat shoqërore që të braktisë Kosovën dhe të vendoset në Itali, ku realizoi ciklin piktural më të fuqishëm në krijimtarinë e tij – ciklin metafizik. Në punën e tij të gjatë kreative, ky krijues përherë kultivoi të bukurën, madje edhe atëherë kur trajtoi përmbajtje të dhembshme e fytyra të trishtuara. E bukura në imazhet e tij grafike e pikturale është komponente e rëndësishme estetike dhe dëshmi se pa të arti mund të jetë i gjymtë, i varfër, i paqenë. Gjatë shtegtimit kreativ, të thuash gjysmëshekullor, ai realizoi numër të madh veprash duke i sistemuar nëpër cikle e tërësi të veçanta tematike.

Kështu, simbolizimi sintetik, (grafikat e fazës së parë) metafizika (robotët, kokat, torzot, gjësendet ndryshme), pastaj ciklet e pikturave ”Ditari nga Roma”, ”Zogjtë” e deri te pikturat abstrakte, dëshmojnë se kemi të bëjmë me një artist të njëmendtë i cili artin e kuptoi si aventurë, dashuri, si zjarr e sfilisje, në të njëjtën kohë. Në këtë aventurë të rrezikshme, në këtë dashuri të zjarrtë, ai do të vetëmohohet dhe vetëndërtohet, do të bjerë dhe do të ngrihet, sepse vetëm kështu, duke u dëshmuar pareshtur, në dilema e ankthe, ndërtohet arti i vërtetë, i tillë çfarë krijoi dhe krijon artisti nga Mileshi shkëmbor. Veprat e realizuara sipas frymës metafizike, janë ato që më së miri e legjitimojnë identitetin e lartë krijues të Gjelosh Gjokajt, që provojnë se ai është artist senzibil, mendimtar e poet.

ARKATANA

Metafizika e tij nuk është si ajo e De Kirikos, me busta e arkitekturë antike, të zbraztë dhe pa jetë, por është e sajuar nga peizazhi i gjallë i vendlindjes së piktorit, nga malësorët e paepur, shkëbinj këta me dy këmbë, siç do t’i quante poeti ynë, Migjeni. Qëndrimi i Gjeloshit në Itali (1969-1983), është koha e meditimeve të tij të thella mbi jetën, njeriun në botën e kundërthënieve dhe katandisjeve ndër më të ndryshmet.

Në këtë drejtim ai krijon ciklin ”Robotet”, në të cilin njeriu si subjekt trajtues, ka ngjyrën e metalit, ngjyrën e gurit, strukturën e llamarinës. I projektuar kështu, pra në mënyrë metaforike, e si groteskë, njeriu i metalt i Gjeloshit, vete dikah pa qëllim, pa cak, pa kokë e pa gjymtyrë, i përcjellë me muzikën e Vagnerit, gjithashtu të metalt. Ky cikël grafikash, vizatimesh e pikturash, pa dyshim është ndër më të realizuarit dhe më poetikët. lmazhet e pikturuara rrjedhin nga imagjinata e piktorit, por edhe nga vetëdija dhe mbamendja e tij. Të sendëzuara me anë të ngjyrës, formës dhe ritmit linear, ato ngjallen, rrëfejnë, akuzojnë, klithin.

Piktori ynë herët e mësoi domethënien e klithjes kuptimin e dhembjes së mbytur në heshtjen e metafizikës shkëmbore. Herët i ra atij të përjetojë peshën e rëndë të migrimit, shpërnguljes së malësorëve të tij, të cilët e morën botën në sy për motive ekonomike e më shumë për shkaqe të politikës shkombëtarizuese që me shekuj u ushtrua ndaj tyre. Këtë tragjikë, e cila shqiptarin po e përcjell që nga Moti i Madh, Gjeloshi e fiksoi në pikturën e tij ”Ekzodi” (1975). Është kjo vepër arketipore deatdhesimit të qenies shqiptare, është për më tepër monument historik, që në mënyrë dramatike flet për ekzodin e përdhunshëm të njeriut tonë nëpër bulevardet e ftohta të metropoleve botërore, nëpër shkretëtirat e Anadollit. Ndër tërësitë e realizuara, bën pjesë edhe cikli i portreteve, kokat e gozhduara, që rrëfejnë për shumëçka, por më së tepër për katrahurat njerëzore, për martirët e rënë nëpër beteja, për gjeneralët e ushtrive të vdekura.

Pas Italisë, Gjelosh Gjokaj kaloi në Gjermaninë Jugore dhe u vendos në Agshurgun piktoresk, ku edhe sot jeton dhe vepron. Këtë shtegtim të oshenarit tonë të vetmuar nuk duhet kuptuar ndryshime veçse si fluturim të shqiponjës nëpër lartësitë e bardha, si reagim të temperamentit të tij të rrëmbyeshëm krijues, si etje e dëshirë për pushtimin e caqeve të reja kreative. Realizimet pikturale që do t’i realizojë këtu, konkretisht ciklin e zogjve, atë të abstraksionit, do të komunikojnë me kërkesat e estetikës të kohës moderne. Erdhi, pra, në Gjermani shqiptari nga Mileshi për të ekspozuar para evropianëve burrërinë e Malësisë së Madhe, bukurinë e surme të vendlindjes së tij me lumin Cem, filozofinë e qëndresës, madje edhe në shkëmbin e thatë./halil kqiku/rajonipress/