Troket sërish ….Nëpër stinët e shpirtit tënd
Pranvera më solli sipërfaqes sate, për t’ ma pikturuar një trup të blertë, e një fytyrë krejt gaz
larë me puthje përditë
Vera mes buzësh tua më poçi
e s’më dogji
ai bli i zemrës sate aromë më mbushi
te Ana e Kronit
dardha e kuqe më bishtnoi përmes një dege
fijet e barit si flokët tua duarsh më mbetën
Vjeshta sa herë trokiti dhimbjeve të mia
me riga të pandërprera shiu
plagëve të qullura pikuan frutet e pashijuara
e ti mbete diku përrockave të mia
duke i numëruar ditët e ikura
Dimrat më ngrinë e shkrinë
mungesave të shtresuara
nën bebëza të syve
sa zogu strehë kërkoi e treti pas Teje
udhëve që nuk i ece ende
Nëpër stinët e shpirtit tënd
kjo kohë e pakohë e jetës sime
më zuri peng
Sabit Rrustemi
( 4 shkurt 2016 )


