Ç`ka deklaruan dy trajnerët e derbit, Nuhiu e Ibrakoviq?
Pas 90 minutave të derbit në mes Prishtinës e Dritës, dy trajnerët e këtij derbi, Ardian Nuhiu i Dritës e homologu i tij Abdulah Ibrakoviq kanë deklaruar për media.
Trajneri i Dritës Ardian Nuhiu e ka cilësuar të madhe fitore në derbi ndaj Prishtinës.
“Përgëzoj për luftën dhe grindën që treguan djemtë. Kishim durim dhe ishim një skuadër e vendosur mirë taktikisht që mos të na rrezikoj ekipi kundërshtar. Futbollistët krijuan shumë raste dhe është dashur ta përfundojnë në pjesën e parë ndeshjen, por gjithsesi e vlerësoj fitore të madhe. Në pjesën e dytë ishim të disiplinuar në aspektin taktik, pasi Prishtina ka ekip kualitativ dhe me shumë përgjegjësi lojtarët iu përgjigjën pozitivisht detyrat që kishin”, ka thënë Nuhiu.
Ndersa, trajneri boshnjak, Abdullah Ibrakoviq, ka vlerësuar Dritën si skuadër, ndërsa ka kërkuar nga futbollistët e tij që të jenë më konkret para portës.
“Drita është një skuadër e fortë dhe luajtën të disiplinuar duke tentuar që nëpërmjet kundërsulmeve të vijë deri te goli dhe që në fund ia doli të bëj gol. Ne nuk kemi ditur t’i shfrytëzojmë rastet tonë dhe jemi dënuar me një gol. Ne duhet të jemi më konkret në rastet që i krijojmë për gol”, ka thënë Ibrakoviq.


