Ministrave dhe kryetarëve, duart e lira për abuzime me pronat
Qeveria e Kosovës, si sponsorizuese, ka kohë që e ka dërguar për shqyrtim në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, por edhe nëpër komisionet e tjera parlamentare, Projektligjin për Investimet Strategjike, ku pritej që të marrë vërejtjet, sugjerimet e komisionarëve dhe deputetëve.
“Kryetarëve të komunave dhe ministrave do t’u mundësohet drejtpërdrejt me ligj që të kërkojnë nga investitorët e huaj pjesën e vet të “tallit” (mitos e ryshfetit) për pronën komunale që po i jepet investitorit të huaj në shfrytëzim 99-vjeçar”, shprehet deputeti Enver Hoti, shkruan sot Gazeta Kosova Sot
Zeka: Qeveria duhet të garantojë transparencë të plotë dhe llogaridhënie.
Qeveria e Kosovës, si sponsorizuese, ka kohë që e ka dërguar për shqyrtim në Komisionin Parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Tregti dhe Industri, por edhe nëpër komisionet e tjera parlamentare, Projektligjin për Investimet Strategjike, ku pritej që të marrë vërejtjet, sugjerimet e komisionarëve dhe deputetëve.
Sipas këtij Projektligji për Investime Strategjike, me ndryshimet dhe sugjerimet e propozuara është paraparë që kryetarët e komunave dhe ministrat aktualë të Qeverisë në të ardhmen të kenë kompetenca dukshëm më të mëdha në dhënien për shfrytëzim të pronave komunale për investitorët e huaj.
Në shumë nga komisionet, ky projektligj tashmë e ka kaluar leximin e parë, mirëpo për momentin mbetet e paqartë se a do të kalojë ky projektligj pasi ka vërejtje të mëdha nga ekspertët e ekonomisë, por edhe nga deputetët e opozitës kosovare që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Ndryshe, sipas hartuesit të ligjit, Qeverisë së Kosovës dhe anëtarëve të shumë komisioneve në mes tjerash në Projektligjin e Investimeve të huaja në nenin 22 flitet në mënyrë shumë të qartë për mënyrën e bartjes së të drejtës së shfrytëzimit të pronës së paluajtshme të ndërmarrjes shoqërore tek investitori i huaj i interesuar. Me këtë nen është paraparë në mënyrë strikte dhe të qartë se Qeveria e Kosovës mund të bartë të drejtën e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme për investime të huaja strategjike. Dhe në bazë të Ligjit të propozuar për shpronësim të pronës së paluajtshme kjo bartje e kësaj prone shoqërore, që është pasuri e Kosovës, bëhet vetëm pasi që Kuvendi i Kosovës të marrë vendimin me shumicën të të gjithë deputetëve të tij.
Mundësi për keqpërdorime Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Nisma për Kosovën, Enver Hoti, thotë për Projektligjin për Investime Strategjike se dhënia e kompetencave më të mëdha ministrave dhe kryetarëve komunave për fatin e pronave publike e shoqërore është një mundësi e artë për keqpërdorim dhe trafikim të këtyre pronave, pasi në këtë mënyrë kryetarët e komunave dhe ministrat do të jenë në bisedime të drejtpërdrejta me investitorët e huaj potencialë dhe në bisedimet direkte e jo me ndërmjetësim, si ishte më parë. “Në këtë mënyrë nikoqirët, pra kryetarët e komunave dhe ministrat, do të munden që drejtpërdrejt të kërkojnë nga investitorët e huaj pjesën e vetë të “tallit” (mitos apo edhe të ryshfetit), për pronën komunale që po i jepet investitorit të huaj në shfrytëzim 99- vjeçar”, shprehet ai. Eksperti i ekonomisë, Ardian Nokaj, thotë se ka mësuar se Projektligji për Investime Strategjike nuk është në përputhje me direktivat e BE-së. “Kjo e fundit ka vlerësuar se pjesa e ligjit që ka të bëjë me çështjet si ambienti, ndihmat shtetërore, prokurimi publik dhe përfshirja e ndërmarrjeve shoqërore në këtë ligj nuk janë në përputhje me direktivat e BE-së, përderisa procedurat e caktuara për privatizimin e tyre tashmë ekzistojnë”.
Nokaj thotë se me ndryshimet e bëra në këtë projektligj ekziston një rrezik shumë i madh i keqpërdorimit të këtyre pronave nga vetë zyrtarët më të lartë të qeverisë, por edhe nga ministrat e shumtë të korruptuar që për fat të keq duhet që të vendosin se kujt apo cilit investitor të huaj dhe strategjik do t’i japin tokën në shfrytëzim. “E keqja është se të gjitha këto bëhen me veprime që janë shumë perfide dhe janë shumë jotransparente. Me këtë mënyrë ekziston rreziku që të veprohet njëjtë edhe nga ministrat e kësaj qeverie aktuale, duke iu dhënë tokat në shfrytëzim atyre bizneseve që janë të lidhura me Qeverinë, gjegjësisht që janë të lidhur me ministrat”, shprehet Nokaj. Ndërsa lidhur me akuzat se Projektligji për Investime Strategjike nuk është në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, në një përgjigje të MTI-së përmes adresës elektronike thuhet: “MTI-ja ka pranuar komentet e BE-së dhe se ato janë përfshirë në draftligj. Gjatë procedurës së konsultimit publik, Draftligji për Investime Strategjike është dërguar në konsultim publik tek të gjithë aktorët e interesuar. Po ashtu, koncept-dokumenti, i cili është përgatitur dhe dërguar për komente, sqaron arsyet pse Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur të marrë këtë iniciativë për të promovuar dhe përkrahur investimet strategjike. Ministria ka marrë komente nga disa organizata ndërkombëtare dhe shoqëria civile, duke përfshirë edhe komentet e zyrës së BE-së”. Sipas kësaj ministrie, zyra e BE-së në Kosovë ka njoftuar që ka edhe disa komente në projektligj, që, sipas saj, ato janë mirëpritur nga MTI-ja. “Ne i mirëpresim komentet e tyre dhe ato do të analizohen së bashku me komisionet parlamentare që janë duke e shqyrtuar projektligjin”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie./kosova sot/


