Fundamenti

Poezi nga Anton Marku

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

PËRPLASJE

Historisë i kërkuam borxh
shtatë beteja

plagët që nuk e pritën dimrin
i lidhëm me penj të trashë
nga leshi i dhive
lahutarëve u falëm vargje
për këngë të reja
sa herë jeta u vonua
gjetëm një hije
për t’i shtrirë ëndrrat

tokave tona
lisat e huaj
pinë ujë thanash
derisa plasën.

HIJA

Andej nga vinte ai
një herë në vit
njerëzit i matnin hijet

po ndodhi që ato
të ishin më të mëdha se trupi
shkurtonin pak gjuhën
apo gishtin e pushkës

vetëm atëherë
hija u kishte hije.

DERA E FUNDIT

Ujërave të pasosur
e shpërlau fytyrën
me sy i numëroi
të gjitha pikat
që i rrëshqitën buzëve
në fund e kuptoi
se flokëve të kohës
era dhe ju vije
diku, në një vend
një varrmihës pret
aty afër
një derë gjysmë e mbyllur

lum ai
që e hapë me dorën e vet
atë derë.

KKVITI

UDHËTARI

e ndjeu
se i kishte mbetur
vetëm edhe pak frymë

në atë çast
u ndal të pushojë
mbi fjalët e tij

orë e tyre kishte ardhur

dy ditë më parë
e tha me gojën e vet
që duart t’ia linin
jashtë varrit

ashtu dhe u bë
nga diçka
u shndërrua në asgjë

emri i tij
u ngjit lartë

pa të.

PËRTEJ

Jeta dhe vdekja
janë motra
e dyta lindi
në kohë shirash
atëherë kur shpirtrat u leckosën
e mes njerëzve
hyri bari i keq
në fund të fundit
fillimit do t’i plasin damarët
dimrit nuk do t’i mbetet
të ha asgjë tjetër
pos borës së vet
sa shume do t’i ngjajë ditës
ajo natë.