ARKATANA

Nëpër dëborë e furtunë Drita shënon fitore

/ 2 minuta lexim
United Hospital

Gjilan – Në stadiumin e qytetit në Gjilan i cili ishte i mbuluar me dëborë, Drita e Llapi kanë zhvilluar ndeshjen e parë pranverore të javës 19-të e cila përfundoi me rezultat 1-0.

Futbollistët e Dritës me plot meritë kanë shënuar fitore duke ruajtur lidershipin në tabelën e klasifikimit.

Skuadra mysafire Llapi ishte më e mirë në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë Drita ka dominuar plotësisht.

Mysafirët ishin të parët që rrezikuan në minutën e 14-të Kastriot Selamni nga 16-të metra godet pingulen e majtë të portierit Leutrim Rexhepit.

Në minutën e 25-të, Ergyn Ahmeti gjuan nga 20 metra, por me shumë mund shpëton portën e tij portieri Qolliq.

Në minutën e 53-të, Kastriot Rexha i vetmuar nga 11 metra gjuan në portën e zbrazët por në momentin e fundit portieri Qoliq me mbrojtje bravuroze shpëton portën e tij.

FIDANISHTJA

Minuta 74 ishte vendimtare në ndeshjen e sotme, pas kombinimeve të mira Astrit Fazliu me mjeshtri nga 12 metra mposht portierin Qolliq i cili po dëshmon se është një portier i kalibrit të lartë.

Në minutën e 90-të, Hoti i ka mundur të barazon rezultatin gjuan nga 13 metra mbi horizontalen e portierit Rexhepi.

Tre minuta më vonë Festim Alidema nga një pozitë tejet e mirë gjuan bukur por Qolliq shpëton gol të sigurt.

Pas ndeshjes trajneri i Llapit, Tahir Batatina, ka deklaruar.
“Kushtet e kësaj ndeshje kanë qenë tejet të vështira, ne dominuam në pjesën e parë por nuk shënuam, djemtë dhanë maksimumin e tyre, por mendoj qe epilogu i kësaj ndeshje është real”.

Ndërsa, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, ka theksuar.
“Në këto kushte është vështirë të luhet futboll, jam i kënaqur me paraqitjen e futbollistëve, treguam karakter të fortë dhe ja arritëm qëllimin për skuadrën, këto tri pikë janë tejet të vlefshme”.

Në javën e ardhshme, Drita do ta takohet me Trepecën’89 në Gjilan./rajonipress/