Për herë të dytë kthehet në rigjykim rasti i doktor Elez Elezit
Gjilan – Gjykata e Apelit e Kosovës, departamenti për krime të rënda në kolegjin kryesuar nga Vahid Alili e ka kthyer në rigjykim për herë të dytë lëndën e doktor Elez Elezit i dënuar për marrje ryshfeti. Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit është i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me arsyet e paraqitura në aktgjykim. Edhe mbrojtësi Shemsedin Pira në ankesë ka pretenduar se dënimi i shqiptuar është jashtëzakonisht i ashpër dhe jo adekuat, dhe se nuk janë vlerësuar në masë të duhur të gjitha rrethanat relevante sa i përket llojit dhe lartësisë së dënimit.
Kolegji i Gjykatës së Apelit duke parë shkeljet esenciale në rastin e Elez Elezit e ka rikthyer në rigjykim rastin për të administruar edhe njëherë provat dhe për të evituar shkeljet në mënyrë që të mos përsëriten ato.
Kolegji gjithashtu ka vlerësuar se në rigjykim duhet të ketë kujdes në formulimin e sanksioneve eventuale.
Kolegji ka vlerësuar se pretendimet e avokatit mbrojtës Shemsedin Pira janë të bazuara. “Nga kjo rezulton se aktgjykimi është i pakuptueshëm dhe në kundërshtim me vetveten”.
Avokati Shemsedin Pira tha se vendimi i Apelit është shumë argumentues sepse gjatë procesit gjyqësor janë shkelur dispozitat dhe tani Gjykata e Gjilanit duhet të administrojë provat e ofruara nga mbrojtja.
Ndryshe Elez Elezi ka mohuar vazhdimisht akuzat dhe dënimin e shqiptuar, kurse një trup gjykues i kryesuar nga Hasan Sadiku e kishte gjykuar Elez Elezin me dënim burgu në kohëzgjatje prej 3(tre) muajve e të cilin dënim ka për të iu llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 22.05. deri 20.06.2012 i cili dënim mund t`i zëvendësohet me dënim me gjobë. Të akuzuarit Elez Elezi i shqiptohet edhe dënimi plotësues dhe atë: ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë ose detyrës së mjekut specialist në kohëzgjatje prej 1 viti, duke u llogaritur nga koha kur aktgjykimi të merr formën e prerë thuhet në aktgjykim.
Elez Elezi është fajtor sepse me datë 22.05.2015 rreth orës 12.00 në Spitalin Regjional në Gjilan, në cilësinë e mjekut pranë këtij spitali, në zyrën e tij ka kërkuar përfitim material për vete për të kryer një veprim në kuadër të autorizimeve të tij e të cilin veprim nuk është dashur ta kryej respektivisht nga e dëmtuara Lirije Hasani, ka kërkuar dhe marr shumën prej 10 euro, për çdo raport specialistik mjekësor të lëshuar nga ana e tij, kështu që ditën e cekur më lart ka përpiluar tri raporte specialistike mjekësore, ku dy prej tyre janë në emër të të dëmtuarës dhe djalit të saj Enis Hasani, e të cilët i akuzuari nuk i ka kontrolluar fare edhe pse e ka pasur për obligim një gjë të tillë, përderisa për njërin djalë të të dëmtuarës ka lëshuar poashtu një raport specialistik mjekësor edhe pse i njëjti nuk ishte fare në Kosovë, dhe nuk kishte qenë fare prezentë fizikisht, duke kërkuar kështu edhe duke marrë nga e dëmtuara shumën prej 30 euro për tri raporte mjekësore dhe atë në kartëmonedha prej 1×20 euro dhe 1×10 euro, kështu duke kryer një veprim të cilin nuk është dashur ta kryejë, dhe kështu i ka siguruar vetes përfitim material, me çka ka kryer vepër penale marrja e ryshfetit.
Andaj, trupi gjykues në bazë të dispozitës së lartcekur ligjore dhe neneve 3, 38, 54, 57, 60 , 64, 66, 67, 73, të KPK-ës, si dhe nenit 391 të KPPK-ës, e gjykon me dënim burgu në kohëzgjatje prej 3(tre) muajve e të cilin dënim ka për të iu llogaritur edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak prej 22.05. deri 20.06.2012 i cili dënim mund t`i zëvendësohet me dënim me gjobë.
Të akuzuarit Elez Elezi i shqiptohet edhe dënimi plotësues dhe atë: ndalimi i ushtrimit të veprimtarisë ose detyrës së mjekut specialist në kohëzgjatje prej 1 viti, duke u llogaritur nga koha kur aktgjykimi të merr formën e prerë ishte thënë më herët në vendimin e trupit gjykues. Megjithatë Elez Elezi tani ka gjasa që edhe njëherë të dëshmojë për tërë ecurinë e akuzave dhe të dyshimeve të ngritura ndaj tij ./rajonipress/


