Britania kërkon marrëveshje Kosovë – Serbi pa u prekur integriteti territorial
Mbretëria e Bashkuar mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, e cila respekton integritetin territorial.
Kështu ka thënë ambasadori britanik në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE), Neil Bush.
Diplomati britanik ka thënë po ashtu se palët duhet të punojnë në mirëbesim dhe në frymë të kompromisit drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare.
“Mbretëria e Bashkuar është e qartë se të gjithë, por veçanërisht ata në pozita të pushtetit dhe autoritetit, kanë një përgjegjësi të përmbahen nga retorika provokuese dhe/ose e dëmshme. Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme të normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë që respekton integritetin territorial dhe nga e cila përfitojnë njerëzit e të dy vendeve. Të gjithë këtu jam i sigurt se do të ndajnë vendosmërinë për të ndihmuar në çuarjen e Dialogut në një përfundim të suksesshëm, duke punuar në mirëbesim dhe në një frymë kompromisi midis të dy palëve”, ka deklaruar Rush në fjalimin e tij në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë gjatë ditës së sotme, raporton Zeri.info.
Ambasadori britanik në OSBE tha po ashtu se Mbretëria e Bashkuar vazhdon t’i mbështesë aspiratat euro-atlantike të Kosovës, ndërsa shtoi se e ka mirëpritur edhe rinisjen e dialogut të lehtësuar nga emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak.
Bush po ashtu tha se Mbretëria e Bashkuar e mirëpret edhe “progresin e fundit të arritur në Washington” drejt bashkëpunimit më të madh ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Progresi në dialog dhe drejt pajtimit të gjerë mes Kosovës dhe Serbisë kërkon nga të dy palët të ndërmarrin hapa për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, dhe të krijojnë dhe mbrojnë një atmosferë racionale dhe të qetë për të lejuar bashkëpunimin”, potencoi ambasadori britanik në OSBE, Neil Bush.
Ndërkaq, përfaqësuesja e Misionit të Shteteve të Bashkuara në OSBE, Lane Darnell Bahl, ritheksoi se stabiliteti, prosperiteti dhe paqja afatgjate në Ballkanin Perëndimor mund të arrihen “vetëm kur Kosova të integrohet si partner i plotë dhe i barabartë”.
Sipas saj, OSBE-ja luan rol për ta çuar rajonin drejt këtij qëllimi.
Në fjalën e saj, thuhet se përgjatë një viti sfidues me pandeminë, “ne kemi parë suksese të mëdha drejt arritjes së paqes dhe qëndrueshmërisë rajonale në Ballkanin Perëndimor”, duke përmendur përpjekjet e qeverisë amerikane për të çuar përpara lidhjet midis Kosovës dhe Serbisë.
“Përmes punës së administratës së presidentit (Donald) Trump, përfshirë atë të të dërguarit të posaçëm, Richard Grenell, në shtator të këtij viti, Serbia dhe Kosova u angazhuan në marrëveshjet historike të normalizimit ekonomik. Ne besojmë se këto marrëveshje do të sjellin rritjen e nevojshme ekonomike dhe vende të punës në Serbi dhe Kosovë. Siç e përmendëm në Këshillin e Përhershëm muajin e kaluar, duke rritur besimin dhe bashkëpunimin midis palëve, këto marrëveshje u japin shtytje bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të normalizimit”, citohet të ketë thënë Lane Darnell Bahl, raporton Zeri.info.
Misioni amerikan vlerësoi punën e misionit të OSBE-së në Kosovë në kohën e pandemisë COVID-19, duke nënvizuar mes tjerash ndihmën për të ofruar mbështetje ligjore për viktimat e dhunës në familje.
“Kjo është përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj rritjes prej 12.9 për qind të rasteve të dhunës në familje në Kosovë nga janari në gusht të këtij viti në krahasim me të njëjtën periudhë kohore në vitin 2019”, thuhet mes tjerash në fjalim.
Takimi i sotëm i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së u zhvillua për të dëgjuar Shefin i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, që ishte edhe raportimi i tij i fundit në këtë pozitë. /Zëri


