Përmbyllet gara spektakulare e motoçiklizmit në Stanishor të Gjilanit
Gjilan – Klubi i Motoçiklizmit “MC 06” nga Gjilani, ishte mikpritës i Motoristëve më të mirë anembanë Kosovës në fshatin Stanishor, duke u mbajtur garat e 7 -ta nën patronatin e FMK-së.
Organizatorët e këtij Motokrosi 6 km të gjatë e dhanë provimin me notën 10, pasi gjithçka ishte prefekt si shtegu, garuesit e shikuesit.
Bukuri e veçantë e kësaj gare ishin rreth 3 000 shikues të cilët me ovacione gjatë tërë garës i përcjellnin garuesit.
Në katër kategorit e zhvilluara u zhvillua garim tejet cilësor ku fituesi gjerë në metrat e fundit nuk dihej.
Për herë të parë u zhvillua gara në kategorinë e Juniorve Class ku fitues ishte Lorin Salihu, ndërsa pozita e dytë i ka takuar Amar Mehmetit.
Në kategorinë “E1-125cc2t -2t 250cc4t”, më i miri ishte Lirim Rexhaj, në pozitë të dytë ishte Drilon Emini ndërsa në të tretin Shpëtim Berisha.
Në kategorinë “E2 250cc 2t – 450cc 4t”, në garën më interesante më i miri ishte Blerim Aliu nga Gjilani duke treguar cilësi të larta me Motorrin e tij, pozita e dytë i ka takuar Halit Rexhaj, ndërsa në të tretën është plasuar Valon Zeqiraj.
Garë mjaft atraktive u zhvillua edhe në kategorinë E3 ku morën pjesë garuesit nën moshën 18 vjeçare dhe mbi 40 vjeçare.
Epiteti i më të mirit i ka takuar Arbenit Beqiraj, në pozitë të dytë Bashkim Aliu, ndërsa në të tretën është radhitur veterani nga Gjilani, Njazi Starabaja.
Organizatori dhe drejtori i FMK-së, Alban Beqiri, pas garës ka theksuar
“Jam i lumtur së pari që gjithçka ka shkuar në rregull, u dëshmua se motoçiklistët e Kosovës nuk janë larg atyre nga Evropa, u dëshmua rivalitet i lartë sportiv, jam shumë i lumtur dhe i nderuar që një numër i madh i shikuesve sot ishte i pranishëm në këtë garë. I falënderoj të gjithë ata që na mundësuan ta mbajmë këtë garë prestigjioze, në veçanti i falënderoj garuesit për kulturën e tyre të garimit po dëshmojmë se FMK-së po rritet çdo ditë e më shumë dhe urojë që shumë shpejt edhe garuesit tanë do të jenë në arenën ndërkombëtare”
Gara e ardhshme nën patronatin e FMK-së mbahet me 1 nëntor në Shtime./rajonipress/



