Shefi i BE-së në Prishtinë: Çështja e vizave në dorën e presidencës së Këshillit dhe shteteve anëtare
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, në një video-konferencë me media gjatë ditës, në të cilën pjesëmarrëse ishte edhe Gazeta Express, ka thënë se për vendosjen e çështjes së liberalizimit të vizave në agjendën e Këshillit të BE-së duhet të marrë vendim presidenca e Këshillit të BE-së në këtë rast Gjermania.
Në pyetjen e Gazetës Express nëse BE-ja duhet të ndërmarrë hapin përpara dhe të heqë regjimin e vizave për Kosovën, ambasadori Szunyog tha se kjo arrihet vetëm me konsensus të shteteve anëtare të BE-së, duke shtuar se raporti i djeshëm i Komisionit Evropian i ka rekomanduar sërish Këshillit që liberalizimin e vizave ta fusë në agjendë.
“Komisioni Evropian në korrik 2018 ka konfirmuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe raporti i publikuar dje rekomandon që Këshilli i BE-së të vendosë në agjendë sa më shpejt që është e mundur çështjen e liberalizimit të vizave. Çfarë mund të them është se është në diskrecionin e presidencës së Këshillit se çfarë duhet të vihet në agjendën e Këshillit dhe kjo duhet të ketë edhe konsensus të shteteve anëtare”, ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
Ndërkaq, qeveria gjermane sot gjatë ditës ka konfirmuar për Gazetën Express se agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk do të jetë në agjendën e Këshilli të BE-së, që do të mbahet më 15-16 tetor. /GazetaExpress/


