28 vjet nga rënia e dëshmorëve Gursel e Bajram Sylejmani, homazhe në Viti dhe Sadovinë të Jerlive
Viti – Me rastin e 28-vjetorit të rënies së dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gursel dhe Bajram Sylejmani, në Viti dhe Sadovinë të Jerlive janë zhvilluar homazhe në nderim të jetës dhe sakrificës së dy vëllezërve.
Homazheve u ka prirë kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ndërsa ceremonia e parë u zhvillua para busteve të Gursel dhe Bajram Sylejmanit, të vendosura para Shtëpisë së Kulturës në Viti, e cila mban emrin e dy dëshmorëve.
Në homazhe morën pjesë përfaqësues të institucioneve komunale dhe të institucioneve të tjera, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, familje të dëshmorëve, pjesëtarë të Policisë së Kosovës, përfaqësues të subjekteve politike dhe qytetarë.
Ceremonia përkujtimore vazhdoi në kompleksin memorial të dëshmorëve në Sadovinë të Jerlive, vendlindjen e dy vëllezërve. Gursel dhe Bajram Sylejmani ranë më 28 shtator 1998.
Të pranishmit theksuan rëndësinë e ruajtjes së kujtimit për dëshmorët dhe sakrificën e tyre, duke e cilësuar atë si pjesë të kujtesës historike të Kosovës dhe të brezave të ardhshëm./rajonipress/


