Kuvendi miraton deklaratën për aktgjykimin e Speciales, në mbrojtje të UÇK-së
Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 99 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Deklaratën lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se teksti i deklaratës ishte harmonizuar paraprakisht ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare.
“Ne kemi një draft të dakorduar nga të gjitha grupet parlamentare. E vlerësoj faktin që Kuvendi është i bashkuar në raport me këtë vendim”, deklaroi Haxhiu.
Deklarata, e propozuar përmban shtatë pika dhe shpreh shqetësimin e Kuvendit lidhur me aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në dokument, Kuvendi e konsideron të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe kërkon nga institucionet e Kosovës veprime të koordinuara juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen e asaj që e cilëson si të vërtetën historike të luftës çlirimtare.
Pikat e deklaratës:
- Kuvendi i Republikës së Kosovës, si institucioni përfaqësues i qytetarëve dhe shprehje e vullnetit të tyre demokratik, shpreh shqetësimin e tij të thellë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
- Konsideron si të papranueshëm përfundimin për ekzistencën e një qëllimi kriminal të përbashkët.
- KËRKON nga të gjitha institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mbrojtjen e së vërtetës dhe të pastërtisë së luftës çlirimtare të popullit të Kosovës. Kuvendi bën thirrje për hartimin e një strategjie të përbashkët shtetërore, në kuadër të së cilës të bashkërendohen veprimet juridike, institucionale dhe diplomatike për mbrojtjen dhe afirmimin e së vërtetës së plotë historike mbi luftën e drejtë për liri dhe çlirim të Kosovës.
- Në Kosovën e viteve 1998–1999, ekzistenca e një ndërmarrje të përbashkët kriminale për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova është vërtetuar tashmë me aktgjykime të Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ndaj drejtuesve politikë, ushtarakë dhe policorë të Jugosllavisë dhe Serbisë. Ajo u zbatua përmes strukturave të një shteti që kishte nën kontroll ushtrinë, policinë dhe mjetet e tjera të pushtetit. Ky është konteksti historik dhe gjyqësor që duhet të mbetet i qartë sa herë flitet për luftën në Kosovë.
- Kërkon nga Dhomat e Specializuara të respektojë mandatin në përputhje me vullnetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
- KUNDËRSHTON çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën historike të Kosovës, për të vënë në dyshim luftën e saj çlirimtare apo për të barazuar popullin që luftoi për liri dhe mbijetesë me regjimin që e shtypi atë.
- E vërteta e luftës çlirimtare, drejtësia për viktimat dhe familjet e tyre dhe e drejta e të dënuarve për një gjykim të drejtë i përkasin së njëjtës Republikë. Kuvendi do t’i mbrojë të tria pa kompromis. /Telegrafi/


