Prokuroria e Gjilanit ngritë aktakuzë ndaj tre gjinekologeve
Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë kundër tre të pandehurve Maxhide Shaqiri, Hamide Zeqiri dhe Vjollca Kosumi për shkak se kanë kryer veprën penale “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor si dhe mosdhënia e ndihmës mjekësore”.
Sipas aktakuzës të pandehurat Maxhide Shaqiri dhe Hamide Zeqiri me datë 3 mars 2016 në Spitalin Rajonal të Gjilanit, në repartin e sallës së lindjes, me rastin e trajtimit të pacientes, tani të ndjerës Arbenita Spahiu, gjatë dhënies së ndihmës mjekësore të lindjes, nga pakujdesia kanë përdorur mjetet e papërshtatshme të mjekimit ndaj pacientes duke i caktuar marrjen e barnave të cilat nuk kanë qenë mjete adekuate për të.
Për shkak të mostrajtimit të duhur dhe veprimeve të cilat mjekët është dashtë t’i ndërmarrin me kohë, ka ardhur deri tek vdekja e pacientes, me çka kanë kryer veprën penale, “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”.
Po ashtu, në aktakuzë thuhet se e pandehura Vjollca Kosumi me datë 2 mars 2016, si mjeke kujdestare, në kundërshtim me detyrat e saj, ka refuzuar dhe nuk i ka ofruar ndihmën mjekësore pacientes, tani të ndjerës Arbenita Spahiu, para aktit të lindjes edhe pse ka qenë e vetëdijshme se mosveprimi i tillë mund të rezultojë me pasoja për shëndetin e pacientes dhe bebes së saj, si dhe ka refuzuar dhënien e ndihmës mjekësore duke thënë të njoftojnë mjekun tjetër kujdestar, me çka ka kryer veprën penale, “mosdhënia e ndihmës mjekësore”./rajonipress/


