Agim Gjakova, krijuesi i anatemuar që nuk u dorëzua kurrë
Shkrimtari që u burgos tri herë dhe e dëbuan në Shqipëri si person i padëshirueshëm. Edhe shkrimtarët janë heronj të gjallë të popullit dhe të atdheut. Ata nuk patën armë, por arma e tyre ishte lapsi. Me laps e me vepra e pushtuan botën, e kundërshtuan armikun, por edhe ngritën zërin për kryengritje gjer në fitore. Të tillë shkrimtarë, që shkruan e luftuan për atdhe, të cilët, disa prej tyre, qenë të anatemuar nga regjimet e një kohe, e ata ishin: Adem Istrefi, Agim Gjakova, Ali Podrimja, Beqir Musliu, Rexhep Elmazi, Teki Dervishi, Bilall Xhaferi, Havzi Nela (i varur), Hivzi Sylejmani, Adem Demaçi, Martin Camaj, Sylejman Krasniqi, Zef Pëllumbi, Fazli Greiçevci, Zeqir Gërvalla, Jusuf Gërvalla, Mehmetali Rexhepi, Sabit Rrustemi e shumë të tjerë.
Agim Gjakova është njëri nga ata shkrimtar që tri herë e përjetoi burgun. Ai, me veprat e tij, bëri rezistencë asaj kohe pa kohë dhe u përballë me padrejtësitë që i bëheshin popullit shqiptar. Ky ishte Agimi ynë shkrimtar. Shkrimtar, i frymës atdhetare, cili, me laps në dorë luftoi dhe nuk u ndalë gjer në fund kur erdhën kohë tjera.
Agim Gjakova u lind në Gjakovë, më 11 korrik 1935. Shkollën fillore dhe të mesme, Normale, i kreu në Gjakovë më 1952. Punoi si mësues (1952-1954). Studioi në Beograd për gjuhë e letërsi frënge dhe letërsi botërore në Fakultetin Filozofik. Gjatë kohës kur ishte në Beograd, themeloi shoqatën e studentëve shqiptarë “Përpjekja”. Ishte kjo kohë, kur kjo shoqatë tuboi afër saj intelektualët dhe krijuesit më të mirë shqiptarë. Më në fund, për veprimtari atdhetare, ai u burgos tri herë dhe më në fund, më 1960, u dëbua në Shqipëri si person i padëshirueshëm për pushtetin jugosllav, duke mos i lënë shteg t’i mbaronte studimet. Jo vetëm kaq.
Pak më vonë, mësojmë se Agim Gjakova, shkrimtar, punoi si mësues në Kavajë (1960-1962). Më 1966 kreu studimet në Fakultetin Histori-Filologji për degën e anglishtes në Tiranë. U mor si redaktor-përkthyes në Agjencinë Telegrafike Shqiptare (1966-1970), kaloi në arsim (1970-1978), në Kinostudion “Shqipëria e Re” (1988-1990), si skenarist etj.
Në vitin 1999 erdhi në Kosovë. Këtu e filloi punën si redaktor për kulturë në gazetën “Bota sot” deri më 2006. Aty e takuam Agim Gjakovën, shkrimtarin e anatemuar e të burgosur. Por, intelektuali dhe shkrimtari ynë nuk e ndali hovin e tij të punës. Vinte me kohë në punë, por edhe ikte lehtë e duke lëshuar ndonjë fjalë për ditën e shkuar. Autorin e këtyre radhëve e përshëndeste: “Ku je, o djali i Karadakut?” Nuk na mungonte buzëqeshja që ia kthenim këtij krijuesi të madh të letërsisë sonë shqipe, i cili është krenari e vendit dhe e letërsisë sonë. “Qe erdha gjer këtu, baca Agim. Të solla këtë shënim për kulturë…” “Ani djalë i Karadakut, keni bërë mirë dhe, s’ka qare pa u bë mirë…”
Agimi (Gjakova), më 1965 është martuar me Naime Dacin (e mbetur jetime në moshën katërvjeçare se i ati i saj, Jahja Daci, është zhdukur nga regjimi jugosllav më 1945). Ky kolos i artit letrar, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, është ndjekur gjatë gjithë kohës nga Sigurimi i Shtetit. Për krijimtarinë e tij me temë nga Kosova dhe për frymën demokratike, që e përshkonte ka qenë gjysmë i injoruar dhe gjysmë i izoluar. Dhe, jo vetëm kaq. Ai, në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, më 1967, pati diskutuar për trajtimin e letërsisë të subjekteve nga jeta e dhunuar e shqiptarëve të Kosovës. Ky diskutim i tij është prit shumë keq nga “elita partiake drejtuese” shqiptare.
Ai (Agimi) është akuzuar se po ngrinte çështje në kundërshtim me vijën e Partisë, ose që nuk i kishte ngritur partia. Madje iu përgatit edhe internimi (apo edhe arrestimi), urdhri i të cilit nuk u ekzekutua falë atyre njerëzve objektivë që argumentuan se diskutimi nuk kishte qenë tendencioz.
Mësojmë se, pas botimit të romanit “Në Kërkim të së vërtetës”, vepra e Agim Gjakovës është e akuzuar në plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve si ahistorike dhe që nxin realitetin. Në këtë vazhdë për përmbledhjen me poezi “Rrënjët përtërihen” (I gjuaj ëndrrat me gurë), së cilës iu ndalua botimi, me porosi të Plenumit të Komitetit të Partisë së Punës të Shqipërisë, ku shkrimtari kosovar është akuzuar se është kundër: Ideologjisë së Partisë, politikës së Partisë, ndërtimit të socializmit; si edhe për hermetizëm e luftënxitës (se paska dashur që Shqipërinë ta shtinte në sherr me Jugosllavinë).
Që atëherë emri i Agim Gjakovës është vuar i pari në listën prej shtatë a tetë vetash si “krijues që është i destinuar të gabojë ideologjikisht”. Dhe, pasi veprat e tij nuk qenë në përputhje me oreksin e regjimit diktatorial, jo vetëm që nuk mundi t’i botonte të gjitha, por edhe u mbajt nën vëzhgim dhe në një formë izolimi e injorimi gjatë gjithë kohës, i mbikëqyrur në mënyrë të egër deri më 1990 nga Sigurimi i Shtetit të Shqipërisë.
Jo vetëm kjo. Agim Gjakova, shkrimtar, gjer më tani ka botuar një sëri veprash letrare të zhanreve të ndryshme. Prandaj, krijimtaria e tij letrare është një margaritar që rrallë kund e gjen tek krijuesit tanë. Te ky autor vërehet qartë atdhedashuria dhe rruga e tij në kërkim të së vërtetës.
Përmbledhjet poetike të tij janë: “…. Dhe thonë se paqë ka në botë, “Kangët e Dinit të Bardhë”, “Perspektivë”, “Obelisk”, “I gjuaj ëndrrat me gurë”, “Deti”, “Guxo e vdis”, “Kufiri imagjinar”, “Saga flurore” etj.
Agim Gjakova ka shkruar edhe proza. Gjer më tani, ka shkruar këto vepra në prozë: “Dritëhijet e një qyteti” (roman), “Në kërkim të së vërtetës” (roman), “Herezi” (roman), “A ka kund zot” (roman), “Loja e kafkave” (roman), “Korridoret e gjelbra” (roman), “Mëhalla e kolegëve” (roman), “Rrëfimet…” (roman), “Celulari mbi çati” (roman), “Nën hijen e pavdekësisë” (tregime), “Shtëpia në udhëkryq” (tregime), “Themelet e reja” (roman për fëmijë), “Vjen përroi” (tregime për fëmijë), “Përsiatje” (ese filozofike-sociologjike), etj. Por, edhe pas kësaj veprimtari letrare, Agimi ka shkruar dhe drama e skenarë, si janë: “Ishulli i argëtimit” (dramë), “Nusja” (skenari xhiruar). “Guri i besës” (skenar i xhiruar), “Fundi i një gjakmarrjeje” (skenar i xhiruar) etj.
Pos kësaj Agim Gakova është marrë edhe me publicistikë. Ka botuar veprën publicistike me titull: “Kosova edhe e shkrumueme është e hijshme” dhe veprën dy vëllimëshe: “Publicistika I dhe II, etj. /tefik selimi/rajonipress/


