ARKATANA

Serbia para zgjedhjes strategjike: Perëndimi apo Rusia?

/ 11 minuta lexim
Fundamenti

Nga Blerim Reka – Ky vit do të jetë vendimtar për Serbinë. Zgjedhjet që u mbajtën më 24 prill ishin një lloj referendumi kombëtar. Vota, që iu dha kryeministrit pro-Evropës, Aleksandar Vuçiq, nuk qe vetëm për ta fituar shumicën parlamentare por, ashtu, edhe për ta shkurorëzuar vendin më të madh që doli nga ish-Jugosllavia, nga Rusia. Tani nis beteja politike e ashpër që do të ketë rëndësi strategjike jo vetëm për stabilitetin e brendshëm të Serbisë por, para së gjithash, për sigurinë e përgjithshme rajonale.

Pasi që fitoi pak më shumë se 48 për qind të votave, Partia Përparimtare e kryeministrit Vuçiq mbajti shumicën e saj parlamentare, me 131 ulëse në Kuvend. Vuçiqi tani përballet me detyrën e vështirë të orientimit të vendit drejt Perëndimit. Ai e ka rastin historik për të krijuar një Serbi evropiane, pas një gjysmëshekulli të Serbisë komuniste dhe çerekshekulli të Serbisë autoritare. Mirëpo, me gjithë fitoren e partisë së tij, kryeministri Vuçiq përballet me një betejë të vështirë.

Qëndrimi i tij proevropian sfidohet si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Ndjenjat proruse u shtuan në Serbi, sidomos pas dy protestave të mëdha anti NATO dhe anti amerikane. Partia nacionaliste e ekstremit të djathtë, ajo Radikale Serbe (SRS), që pritet të jetë zëri i Rusisë në Parlamentin e ri, ishte fituesja më e madhe në mesin e të gjitha partive në këto zgjedhje, duke fituar 21 vende. Pati dyshime edhe për ndërhyrjen e Moskës në zgjedhje. Policia serbe po heton falsifikimin e nënshkrimeve të regjistrimit për dy partitë politike proruse. Lufta mbi të ardhmen e Serbisë tanimë filloi dhe ka të ngjarë të rezultojë në një nga dy skenarët kryesorë.

Skenari 1: Trajektorja evropiane

Skenari i parë është se forcat properëndimore të udhëhequra nga Vuçiqi mund të formojnë një qeveri të re që do t’i përjashtojë Partinë Socialiste proruse (SPS, të udhëhequr nga zëvendëskryeministri i tanishëm Ivica Daçiq) dhe SRS e Sheshelit. E para doli e dyta, kurse tjetra e treta në votime. Së bashku, ato kanë një të pestën e vendeve në parlament. Nëse kjo ndodh, pas formimit të një qeverie me orientim perëndimor, Serbia do të përparonte drejt integrimit në Bashkimin Evropian në periudhë të shkurtër dhe në NATO në një periudhë afatmesme.

Kjo do t’i nxitë lëvizjet e ngjashme në të gjithë rajonin. Në Bosnjë e Hercegovinë lideri nacionalist Milorad Dodik do të dobësohet. Dodik, kryeministri i Republikës Serbe, rajon me shumicë serbe, ka bllokuar përparimin e Bosnjë e Hercegovinës drejt anëtarësimit në BE. Maqedonia dhe Mali i Zi, po ashtu, mund t’i shohin forcat proevropiane të fitojnë fuqi mbi zërat nacionalistë. Të dyja vendet mund të përfitojnë në stabilitet, si Maqedonia (që përballet me një krizë politike me përmasa historike) dhe Malin e Zi, (i cili së shpejti do t’i bashkohet NATO-s, të vendosur për të mbajtur zgjedhje në vjeshtë).
Sipas këtij skenari, Serbia do të fillojë t’i qetësojë tensionet e saj ndëretnike, përmes decentralizimit, duke u dhënë më shumë autonomi tri rajoneve: Vojvodinës, Luginës së Preshevës dhe Sanxhakut. Vojvodina shtrihet në veri dhe ka një minoritet të madh hungarez. Deri në vitin 1989, ajo ka pasur autonomi të gjerë, dhe vitin e kaluar atje u krijua një lëvizje pro pavarësisë. Në rajonin jugor, në Luginën e Preshevës, shumica shqiptare është duke kërkuar një status të ngjashëm me atë që gëzojnë serbët në Kosovë. Sanxhaku shtrihet në jugperëndim dhe ka një popullsi të madhe boshnjakësh, të cilët janë myslimanë. Partitë e pakicave hungareze, shqiptare dhe boshnjake, të cilat së bashku kanë fituar nëntë vende në këto zgjedhje, mund edhe të jenë pjesë e qeverisë proevropiane, duke e zgjeruar bazën e tyre të mbështetjes në parlament me 140 vota.

Megjithatë, kjo nuk do të mjaftojë për të pasur dy të tretat – 167 vota – të nevojshme për të ndryshuar Kushtetutën, preambula e së cilës ende identifikon Kosovën, siç thuhet, kinse “pjesë integrale” e Serbisë. Heqja e këtij formulimi është kyçe për vendin që t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe të bëjë përparim të mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE.

Reagimi i Rusisë

Ky skenar vështirë do pranohet nga Rusia. Në përpjekje për të ruajtur ndikimin, Moska mund të tentoj t’i tensionoj raportet me Beogradin, apo t’i ushqej nacionalistët serb me kërcënimet se mund ta heq veton e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Sidomos, pasi që në fillim të këtij viti, Vuçiqit dërgoi ca sinjale properëndimore, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me NATO-n, 17 vjet pas fushatës së bombardimeve të aleancës mbi vendin.
Megjithatë, njëkohësisht,dy nga liderët më me ndikim prorus të Serbisë vizituan Moskën. Në mars, presidenti serb Tomislav Nikoliq u takua me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa në fillim të prillit, Daçiqi, (si ministër i Jashtëm), u takua me homologun e tij rus, Sergei Lavrov. Pas kthimit të tij nga Moska, presidenti Nikoliq u zotua se Parlamenti nuk do të ndryshojë Kushtetutën e vendit duke hequr shprehjen kontroverse të Kosovës. Daçiqit, nga ana e tij, Lavrovi i tha se Rusia do të “mbështesë” Serbinë për një “zgjidhje” për Kosovën.

Uji Dea

Çështja e Kosovës

Nëse kryeministri Vuçiq me sukses avancon agjendën e tij proevropiane, Brukseli do e mbajë Serbinë në procesin e zgjerimit në BE dhe NATO-ja do të vendosë marrëdhënie më të ngushta me Beogradin. Megjithatë, BE-ja ka qenë e qartë se Serbia mund t’i bashkohet bllokut vetëm pasi që marrëdhëniet me Kosovën të jenë normalizuar plotësisht. Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë dy shtetet kryesore anëtare që këmbëngulin në lidhje me anëtarësimin e Serbisë me njohjen e Kosovës së pavarur. Ulrike Lunacek, nënkryetare e Parlamentit Evropian, kohët e fundit ritheksoi qëndrimin e saj se Serbia nuk mund t’i bashkohet BE-së pa e njohur Kosovën.
Mirëpo, kjo nuk i ka penguar partitë kryesore politike të Serbisë për fushatën në Kosovë. Gjatë fushatës elektorale, Kryeministri Vuçiq dhe zëvendëskryeministri Daçiq ishin lejuar të vizitonin Kosovën, por jo edhe Vojislav Sheshel, lideri i Partisë Radikale Serbe, i cili ishte shpallur persona non grata. Në mars, Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ka liruar Sheshelin nga akuzat për krime lufte në lidhje me përfshirjen e tij me organizatat paramilitare serbe në vitet e 1990-a, mirëpo Prokuroria e Hagës e apeloi këtë vendim.
Në të ardhmen, Kosova do të mbetet sfida më e madhe për Serbinë-jo vetëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet me Prishtinën, por edhe ato me Tiranën. Thirrjet nacionaliste serbe për një “Kosovë serbe” ngjallin po aq ato të shqiptarëve për bashkim kombëtar. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka paralajmëruar se nëse BE-ja vazhdon t’ia mohojë Kosovës mundësinë për t’iu bashkuar unionit, atëherë bashkimi Shqipëri – Kosovë do të bëhet i pashmangshëm.
Me një qeveri properëndimore, Serbia mund të përshpejtojë procesin e pranimit në BE, duke mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave brenda katër-pesë vitesh. Kjo do t’ia mundësojë vendit – pasi të ketë ndryshuar Kushtetutën e saj për të hequr pretendimet për Kosovën – t’i bashkohet BE-së deri në vitin 2021 apo 2022. Por jo pa e njohur në fund të procesit Kosovën. Ky rezultat, duke i dhënë fund mosmarrëveshjeve Kosovë-Serbi, do të shoqërohet me një periudhë qetësie në Ballkan.

Blloqet penguese

Mirëpo, edhe brenda këtij skenari optimist, dy faktorë mund të kufizojnë kabinetin qeveritar të Vuçiqit: Rusia dhe Kroacia.
Rusia me gjasë nuk do të e bllokojë Serbinë që t’i përafrohet BE-së në fazat e hershme të procesit, në mënyrë që të mos i rrezikojë interesat e saj në vend. Por pasi që Serbia t’i afrohet fazës së fundit të pranimit në BE, Moska ka gjasa që të jetë më aktive. Pas humbjes së Malit të Zi, që ka vendosur për t’iu bashkuar NATO-s, Rusia humbi qasjen e saj në detin Adriatik. Humbja edhe e Serbisë, do të jetë vështirë e pranueshme për Moskën. Rusia ka një bazë ushtarake (zyrtarisht quhet “qendër humanitare rajonale”) në jug të Serbisë, pranë kufirit me Kosovës, Maqedonisë dhe Bullgarisë. Serbia gjithashtu ka statusin e vëzhguesit në Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive, një aleancë ushtarake e udhëhequr nga Rusia për shtetet post-sovjetike.
Pas fitores së tij në zgjedhje, kryeministri Vuçiq veproi me kujdes, duke thënë se ndërsa Serbia do të përpiqet të “përshpejtojë” procesin e pranimit në BE, po ashtu do t’i “ruajmë lidhjet tona tradicionale me miqtë tanë në Lindje”.
Vështirësia e dytë e madhe për Serbinë janë marrëdhëniet e saj me Kroacinë. Të dyja vendet nuk kanë vendosur lidhje normale që nga lufta në vitet e 90-ta. Kohëve të fundit, marrëdhëniet janë bërë veçanërisht të tensionuara pas lirimit të Sheshelit. Udhëheqësi i ekstremit të djathtë organizoi një protestë dhe dogji flamurin kroat në Beograd, duke bërë që Zagrebi të ndalojë atë të hyjë në vend për 20 vjet. Shesheli kohët e fundit ka deklaruar se ai do t’i “çlirojë të gjitha territoret e okupuara serbe në Ballkan”.
Në prill, Zagrebi përdori veton e tij për t’ia pamundësuar Beogradit hapjen e kapitullit 23 të negociatave për anëtarësim në BE. Kapitulli ka të bëjë me sundimin e ligjit, dhe Kroacia ka shprehur shqetësime në lidhje me legjislacionin e Serbisë duke i dhënë asaj juridiksion universal për të gjitha krimet e luftës të kryera në ish-Jugosllavi. Skenari proevropian varet nga qëndrimi i Kroacisë në lidhje me anëtarësim të Serbisë.

Skenari 2: Sfera e Moskës

Skenari i dytë supozon se vija e ashpër me elementet proruse në parlament do të pengojnë avancimin e Vuçiqit drejt integrimit evropian, duke gjetur mënyra për t’ia pamundësuar atij dy të tretat e nevojshme të votave për të ndryshuar Kushtetutën. SPS dhe SRS në këtë mënyrë do të përpiqen të ruajnë Serbinë – si pikëmbështetje të Rusisë në Ballkan. Nëse Vuçiqi do të detyrohet që t’i përfshijë partitë proruse në qeverinë e re – siç ka bërë me SPS e Daçiqit në qeverinë e mëparshme – është e pritshme që procesi i anëtarësimit në BE të vendnumëroj. Daçiqi u ka thënë medieve se ai pret ftesën e Vuçiqit për t’iu bashkuar kabinetit të ri.
Mirëpo ky skenar përbrenda shtetit, do t’i rindezë lëvizjet për pavarësi në Vojvodinë, në Luginën e Preshevës dhe në Sanxhak, duke futur vendin në përleshjet ndëretnike. Së jashtmi, Republika Serbe me shumicë serbe në Bosnjë e Hercegovinë do të forcohet. Partitë nacionaliste në Maqedoni dhe partitë proruse në Mal të Zi do të fitojnë momentumin, ndërsa marrëdhëniet e Beogradit me NATO-n do të mbahen në status quo.

Sipas këtij skenari, Serbia do të vazhdojë të luajë një lojë të dyfishtë me BE-në dhe Rusisë, duke u përpjekur që të mbajë marrëdhënie të ngushta me të dyja. Zvarritja e integrimit në BE dhe NATO do të sillte armëpushimin politik me forcat anti-perëndimore, por kjo do të rrezikonte duke nxitur lëvizjet separatiste. Marrëdhëniet me Kosovën gjithashtu do të të ngrihen.

Rusia do ta ruajë ndikimin e saj në vend përmes ekonomisë së saj, energjisë dhe interesave ushtarake, e në rajon përmes Serbisë, Republikës Serbe, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

(Botuar në “Geopolitical Information Service”. Me lejen e autorit, nga anglishtja e përktheu dhe e përshtati Arsim Osmani – “Epoka e re”)