Qeveria vazhdon me dështakët e njëjtë
Riformatohen vetëm pozitat e Thaçit. Pavarësisht sektorëve në krizë, nuk priten ndryshime rrënjësore
“Puna është te plotësimi vetëm për ato pozita që kanë qenë, në ato dy pozita do të emërohen njerëzit dhe mbaron puna. Sa u takon kërkesave për rishikim më të gjerë të reformimit, për të cilin po flitet, e po flisni edhe ju, nuk ka nga askush kërkesa të tilla”, është shprehur sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati
Plotësimi i dy vendeve të zbrazëta në Qeverinë e Kosovës, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president të vendit dhe marrjes së detyrës zyrtare, pritet të ndodhë javën që vjen. Së paku kështu ka premtuar sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, i cili tha se mosveprimi i deritanishëm në këtë drejtim ka qenë për shkak të pritjes së përfundimit të gjithë procesit të marrjes së detyrës zyrtare të presidentit nga ish-lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, dhe formimit të ekipit të tij që duhet ta ketë në drejtimin e Presidencës së shtetit.
Ai tha se pavarësisht disa spekulimeve që po dalin në opinion, për një lloj presioni nga faktori ndërkombëtar, që të bëhet një rishikim, reformim në shkallë të gjerë i qeverisë ‘Mustafa’, për shkak të rënies së besueshmërisë ndaj këtij koalicioni, nuk ka pasur një kërkesë të tillë. “Mos u nxitoni fare… atë ditë që do të vendosim, do të merrni vesh. Puna është te plotësimi vetëm për ato pozita që kanë qenë, në ato dy pozita do të emërohen njerëzit dhe mbaron puna. Sa iu takon kërkesave për rishikim më të gjerë të reformimit, për të cilin po flitet, e po flisni edhe ju, nuk ka nga askush kërkesa të tilla”, është shprehur Musmurati./kosova sot/


