Berisha shënon golin vendimtar në fitoren e Akhmat Groznyt
Sulmuesi kosovar, Bernard Berisha, ia siguroi skuadrës së tij, Akhmat Groznyt, fitoren kundër klubit gjerman Holstein Kiel, me golin e shënuar në pjesën e dytë të ndeshjes.
Akham Grozny triumfoi me rezultat 1:0 në ndeshjen e djeshme miqësore kundër Holstein Kielit në stadiumin Sportplatz Bad Ttzmannsdorf, raporton Gazeta Express.
Këtë fitore, në ndeshjen e fundit të kampit stërvitor veror të Akhmat Groznyt në Austri, ua siguroi rusëve pikërisht kosovari Bernard Berisha, me golin e tij në pjesën e dytë të ndeshjes.
“Akhmat e mbylli kampin stërvitor të verës në Austri me fitore me rezultat 1:0 kundër Holstein Kielit të Gjermanisë. Bernard Berisha e shënoi golin e fitores në pjesën e dytë të ndeshjes”, shkruan faqja zyrtare e klubit në Twitter.
Gjatë sezonit të kaluar të Premierligës ruse, Berisha luajti në gjithsej 21 ndeshje, prej të cilave 12 i nisi si titullar. Ai luajti mesatarisht nga 54 minuta për çdo ndeshje, mirëpo nuk arriti ta shënojë asnjë gol, përkundër që i krijoi dy raste të mira.
Kosovari kontribuoi te skuadra e tij me një asist , por edhe u ndëshkua gjashtë herë me karton të verdhë. /Gazeta Express/


