“Kemi cilësi për t’i mposhtur të gjithë”, Amir Shaipi kërkon reagim ndaj Izraelit
Portieri Amir Shaipi thotë se Kosova duhet të tregojë kualitetin në përballjen ndaj Izraelit.
Pas humbjes nga Austria, “Dardanët” do të përballen me Izraelin, ndërsa fitorja është e domosdoshme.
Për faqen zyrtare të FFK-së, Shaipi komentoi gabimet e bëra ndaj Austrisë si dhe kërkoi nga lojtarët që të këndellen për t’i marrë pikët e plota ndaj izraelitëve.
“Në mesfushë nuk ishim mjaftueshëm agresiv për topat e dytë. U lamë shumë hapësirë atyre. E dinim që ata luajnë më shpejt dhe mendoj se kjo ishte arsyeja kryesore”.
“Izraeli? Sigurisht, kërkoj një reagim. Duhet të tregojmë një reagim edhe për tifozët, ndaj njerëzve të Kosovës, që jemi një ekip i fortë. E di që kemi mjaftueshëm cilësi në skuadër”.
“Mund t’i mposhtim edhe këta kundërshtarë. Prandaj, duhet të reagojmë dhe të hyjmë në ditën e ndeshjes me përqendrim 100 për qind”.
Përndryshe, përballja mes Izraelit dhe Kosovës do të zhvillohet të enjten nga ora 20:45./Telegrafi/


