Parashkrimi i lëndëve varros drejtësinë
Gjykatat me kapacitete të dobëta shkelin të drejtat e qytetarëve.
Një rast mund të zvarritet me vite të tëra
“Paramendoni, nëse dikush ka një nevojë që lënda e tij të trajtohet për shkaqe të ndryshme, ajo jo vetëm që nuk trajtohet, zgjidhet, por ajo mund edhe të humbë fare, e mbuluar nga pluhuri. Ka shumë lëndë, të cilat janë stërvjetruar dhe janë mbyllur e mbuluar nga pluhuri i harresës pa iu dhënë verdikti, apo pa u trajtuar fare nga gjykatat”, thotë politologu Leon Duhanaj.
Parashkrimi i lëndëve penale e po ashtu edhe vonesat e shumta tek çështjet civile, vazhdon të jetë një ndër sfidat më të madha që po ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë.
Në këtë kuptim, drejtësia nuk po tregohet efektive për qytetarët, pasi nëse lëndët e tyre parashkruhen, vjetrohen apo edhe ka vonesa të mëdha deri tek verdikti final, atëherë ajo nuk mund të jetë një drejtësi e plotë. Por, si të dilet nga kjo situatë dhe a ka elemente të qëllimshme në raste të caktuara të kësaj, ta quajmë praktike të keqe, flasin njohësit e këtyre rrethanave.
Politologu Leon Duhanaj, sekretar i përgjithshëm i Organizatës Forca e Diasporës për Atdheun dhe anëtar i Organizatës Politike Fraksion+, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se sistemi i drejtësisë në Kosovë ka shumë probleme, ku njëra ndër to është pa dyshim edhe vjetërsimi i lëndëve, duke qëndruar të patrajtuara nëpër sirtarët e gjykatave të Kosovës. Tutje, ai thotë se që në fillet e ndërtimit të sistemit të drejtësisë, kemi dështuar të ndërtojmë një sistem funksional dhe të drejtë, ku tani veç sa ka shkuar duke u thelluar edhe më shumë situata e stërngarkimit të lëndëve, lëndë këto që në masë të madhe mbesin të patrajtuara. “Paramendoni, nëse dikush ka një nevojë që lënda e tij të trajtohet për shkaqe të ndryshme, ajo jo vetëm që nuk trajtohet, zgjidhet, por ajo mund edhe të humbë fare, e mbuluar nga pluhuri. Ka shumë lëndë, të cilat janë stërvjetruar dhe janë mbyllur e mbuluar nga pluhuri i harresës, pa iu dhënë verdikti, apo pa u trajtuar fare nga gjykatat”, thotë ai./kosova sot/


