“Minatorët ende s’janë gati për vdekje”
Nga Raif Ramabaja – Nëntoka e Kosovës, siç dihet është e pasur me minerale të ndryshme. Këto minerale edhe në të kaluarën janë eksploatuar dhe përpunuar, ndërsa xehetaria si degë ka qenë shtylla e zhvillimit ekonomik. Nga këto miniera shumë familje siguronin ekzistencën dhe mirëqenien e tyre socio-ekonomike.
Shumë objekte të infrastrukturës dhe fabrika janë ndërtuar pikërisht me paratë e fituara nga eksploatimi dhe përpunimi i xeheve në minierat dhe fabrikat e Kosovës.
Sot, mjerisht këto resurse natyrore nuk po shfrytëzohen sa duhet dhe ashtu siç duhet. Çështja e minierave më tepër është bërë temë politike dhe mollë sherri mes pozitës dhe opozitës në parlament, se sa që ajo trajtohet dhe shihet si një mundësi e zhvillimit ekonomik dhe gjenerimit të punësimit.
Mineralet janë resurs natyror i pa rigjenerueshëm dhe pas disa decenieve të eksploatimit në Kosovë, ka ardhur koha që për pasuritë minerale të mendojmë dhe konkludojmë ndryshe, e jo si para dhjetë, njëzetë apo pesëdhjetë viteve.
Është e qartë se tani nuk disponojmë me pasuritë minerale të cilët në eksploatim mund të japin profite të larta, që ka rënë kualiteti i xehes dhe se janë përkeqësuar kushtet e prodhimit dhe ato tekniko-teknologjike.
Mirëpo, këto dhe kushtet tjera të krijuara në afarizmin e ndërmarrjeve xehetare, mund të jenë si pikënisje për hartimin e një Strategjie për Rimëkëmbjen e Minierave në Kosovë, e cila nënkupton afarizëm të qëndrueshëm të minierave në kushtet e ekonomisë së tregut. Si problem në vete, paraqitet edhe statusi i pazgjidhur i këtyre ndërmarrjeve xehetare në raport me Agjensionin Kosovar të Privatizimit (AKP).
Se kjo punë është e vështirë, po shihet edhe me Kombinatin “Trepça”. Thjeshtë, Qeveria është hutuar dhe që sa kohë nuk po gjen zgjidhje të pranueshme dhe të qëndrueshme për këtë gjigant. Pse atëherë nuk organizohet një simpozium ndërkombëtar lidhur me Gjendjen dhe Perspektivën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Xehetarisë në Kosovë ? Kjo do të na jepte një pasqyrë reale mbi situatën me minierat e Kosovës, e do të ndihmonte në hartimin e strategjisë dhe gjetjen e rrugëdaljes.
Është e ditur se në industrinë e xehetarisë nuk janë bërë investime të mirëfillta vite me radhë, por, vetëm disa infuzione financiare që disi ja kanë zgjatur përkohësisht jetën disa minierave.
Minatorët,sidomos ata të “Trepçës” me kërkesat e tyre realiste po tregojnë se “ende s’janë gati për vdekje” edhe pse buka e minatorëve është me shtatë kore. Qeveria e Kosovës duhet ta gjejë sa më shpejtë zgjidhjen për “Trepçën” dhe për sektorin e xehetarisë në përgjithësi.
Mjaft më me plotësimin e apetiteve dhe interesave personale, t’i kthehemi interesit nacional dhe zhvillimit shoqëroro-ekonomik të Kosovës.
Mendoj se jemi vonuar në këtë drejtim,por më mirë vonë se kurrë hiq.
Zhvillimi ekonomik i një vendi matet me rezultate konkrete, me tregues dhe parametra ekonomik, me numrin e të punësuarve, e jo me numrin e deklaratave boshe, të cilat tashmë si refrene jemi mësuar t’i dëgjojmë vite me radhë.
Qeveria e Kosovës, ka shpikur shumë ministri të panevojshme, e në anën tjetër, nuk ka Ministri për Xehetari dhe Energjetikë.
Duhet pranuar se kjo sfidë e ringjalljes së minierave nuk është fare e lehtë, kërkon profesionalizëm, përkushtim, këshillim dhe vendosmëri për t’u përballur me pengesat e shumta. Të materializojmë dhe ta shndërrojmë “dijen dhe diplomat” tona në zhvillim ekonomik. O sot o kur, e keni shansin për t’u treguar, ministra të nderuar.
Besoj, se kjo nuk është punë dhe përgjegjësi e forumit rinor apo e shoqatës së grave të kësaj apo asaj partie, por, detyrë primare e Qeverisë me dikasteret e sajë./rajonipress/


