Ambasadori i Zvicrës: Ideja e korrigjimit të kufijve nuk qëndron, mund të futeni në telashe
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, ka thënë se korrigjimi i kufijve asnjëherë nuk ka funksionuar dhe se prekja e kufijve do të sillte telashe për të dyja vendet, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.
Ai tha se Samiti i Berlinit konfirmoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim dhe integrim në BE.
“Në këtë kontekst, duhet theksuar disa çështje thelbësore. Ndryshimi i kufijve nuk funksionon, as nuk ka funksionuar kurrë në histori. Nëse lëvizin kufijtë arsyet e konfliktit nuk do të zgjidhen, sidomos në Ballkan. Mund të futeni në telashe. E dyta, kur marrëveshja bëhet me detyrim edhe zgjidhjet e shpejta janë jostabile. Duhet besim mes palëve për të arritur marrëveshjen dhe për këtë duhet kohë. Procesi të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent”, tha Lebet.
Sipas tij, zbatimi i marrëveshjes është me rëndësi.
“Ambiguiteti konstruktiv i rrezikshëm dhe këtë e dimë nga procesi i Brukselit. Shumë çështje për të cilat është dakorduar nuk janë zbatuar ende”, tha tutje.
Këto komente ambasadori i bëri gjatë tryezës me temë “Dialogu Kosovë-Serbi pas Samitit të Berlinit” të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës. Ambasadori ka shtuar se Zvicra mirëpret iniciativën e Gjermanisë dhe Francës për dialogun Kosovë – Serbi. /eo


