Kosovën mund ta kërcënojë rreziku eventual nga një kompromis i keq politik me Serbinë
Nga Mehdi Hyseni – Vetëm në këtë rast të imagjinuar dhe të spekuluar politik, Beogradi dhe Moska do të bënin të mundur që Kosova të pranohej në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, sepse do ta votonin edhe Rusia, edhe Serbia, edhe Kina, si dhe të gjithë aleatët e tyre, që deri tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Mirëpo, nëse, vërtet, Beogradi do të kërkonte një kompromis të tillë politik me palën shqiptare të Kosovës, ekziston rreziku që ky opsion do ta pajtonte Rusinë me Evropën Perëndimore dhe me Amerikën, sepse do të konsiderohej si formula më e kapshme paqësore për të dyja palët në konflikt, si dhe për të gjithë faktorët ndërkombëtarë, të involvuar në të.
Mirëpo, që të mos ndodhë diç e tillë katastrofike për Kosovën, apo arritja e ndonjë kompromisi tjetër politik, që do ta zhvishte Kosovën nga atributet e saj shtetërore (pavarësia, territori dhe sovraniteti i plotë), Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës do të duhej të merrnin vendim të prerë, që urgjentisht të ndërpritet dialogu i Brukselit. Ndryshe, një kompromis i keq dhe i imponuar nga Serbia dhe nga mbështetësit e saj pritet ta “ndëshkojë” Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).
Dialogu i Brukselit nuk e sjell njohjen e Kosovës nga Serbia, as nga Kombet e Bashkuara, kjo është utopi
Mirëpo, siç njoftojnë masmediat, Enver Hoxhaj (ish-ministër i Jashtëm i Kosovës), në një intervistë dhënë gazetës së përditshme vjeneze “Der Standard” të Austrisë, ka deklaruar të kundërtën:”Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të përfundojë me njohjen reciproke dhe me anë- tarësimin e Kosovës në OKB”. (http://kosovasot.info/lajme/212013/hoxhaj-per-derstandard-dialogu-me-serbine-do-te-perfundoje-me-anetaresim-te-kosoves-ne-okb/ ). Sipas kësaj deklarate, del se epilogu i dialogut të Brukselit (2011-2017) mes palës negociuese serbe të Beogradit dhe asaj shqiptare të Prishtinës do të jetë njohja e Kosovës së pavarur nga ana e Republikës së Serbisë. Një përfundim i tillë i dialogut të Brukselit në favorin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe nga Kombet e Bashkuara do të mund të ndodhte vetëm nëse do të pajtoheshin Beogradi dhe Moska, e cila me VETO-n e saj që 9 vjet e ka bllokuar statusin e ri të Kosovës, duke mos lejuar që të shfuqizohej Rezoluta 1244 e KS të OKB-së, e cila decidivisht nuk e njeh Republikën e Kosovës, por e konsideron si pjesë legale të Serbisë, si sukcesore e ish-RSFJ-së.
Sipas ABC-së doktrinare dhe praktike, asnjë dialog politik paqësor, qoftë me karakter rajonal, evropian a ndërkombë- tar, nuk mund të përfundojë pa pëlqimin e palëve negociuese, qoftë dypalëshe apo shumëpalëshe, përkatësisht pa arritjen e kompromisit politik të ndërsjellë mes tyre. Këtë e ka vërtetuar edhe historia e derisotme e praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare e shteteve të ndryshme, se nuk mund të ketë kompromis politik të NJËANSHËM, domethënë të fitojë vetëm njëra palë në konflikt, e tjetra të humbasë krejtësisht.
Dy dështimet
Vendim i njëanshëm në favorin e njërës palë negociuese mund të arrihet në rastet e caktuara specifike (nëse rrezikohet paqja dhe siguria botërore), nëse njëra palë nuk pajtohet në asnjë pikë me palën kundërshtare, ashtu siç ndodhi në Konferencën e Rabujesë, kur përfaqësuesit e delegacionit serb me Ratko Markoviqin në krye patën hedhur poshtë të gjitha propozimet e bëra nga ana e palës shqiptare dhe nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (23 shkurt 1999). Gjithashtu, Plani paqësor për Kosovën i Marti Ahtisarit (2007) qe miratuar pa pëlqimin e Serbisë, për shkak se delegacioni i saj negociues nuk pranoi asnjë nga propozimet e tij. Në të dy rastet e theksuara, nuk u arrit kurrfarë kompromisi politik mes palëve negociuese, për shkak të destruktivizmit, refuzimit dhe të bojkotimit të palës serbe në rastin zgjidhjes paqësore të çështjes së statusit të Kosovës.
Kështu që përfaqësuesit ndërmjetës të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-ja, OKBja dhe BE-ja) qenë të detyruar t’ia impononin zgjidhjen e drejtë Serbisë për rastin e Kosovës, përmes së cilës Serbia me terrorin dhe me gjenocidin e saj rrezikonte stabilitetin, paqen dhe sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Mbi këtë bazë arrihet edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së (10 qershor 1999) për vendosjen e trupave paqeruajtëse të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me ç’rast policia, ushtria dhe njësitet paramilitare çetniko-fashiste barbare dhe gjenocidale me “bisht ndër këmbë” braktisën përfundimisht Kosovën, që e kishin djegur, masakruar(foshnja, fëmijë, të rinj, gra e burra), plaçkitur dhe shkretuar jo më pak se një dekadë nën sundimin e egër të Serbisë policore dhe militariste të kryekriminelit Slobodan MIlosheviq (1989-1999). Për ndryshim nga dy dështimet e arritjes së kompromisit politik me palën serbe (në Ramubuje dhe në negociatat e Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të drejtuara nga emisari special i OKB-së, Marti Ahtisari), dialogu i Brukselit (2011-2017) nuk ka gjasë të përfundojë me zgjidhje të njëanshme të imponuar, qoftë palës serbe, qoftë palës shqiptare, sepse që nga fillimi i negociatave të tyre janë pajtuar që në fund të arrihet një kompromis politik në interesin e të dyja palëve, kinse për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Së fundi, nëse do të vinte në shprehje “teoria politike parashikuese” e Enver Hoxhajt, që dialogu i Brukselit të përmbyllej me njohjen e shtetit të Kosovës nga Beogradi zyrtar, atëherë lind pyetja çfarë do të ishte kundërvlera politike për këtë njohje nga ana e palës negociuese shqiptare e Kosovës? – Më thjesht, në këtë rast, çka do t’i jepte Kosova Serbisë për t’u arritur kompromisi politik reciprok në dialogun e Brukselit (2011-2017)? E lehtë është të pohohet se “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës në dialogun e Brukselit”. – Këtë do ta kishin dashur të gjithë shqiptarët.
Mirëpo, kjo është vetëm një utopi politike, asgjë më shumë, ngase dialogu serbo-shqiptar në Bruksel nuk po zhvillohet që Serbia ta njohë as de-fakto e as de-jure Kosovën, por që ta vërë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kosovës. Ky është synimi kryesor dhe përfundimtar i Serbisë, që me ndihmën e faktorëve evropianë ndërkombëtarë të arrihet ndonjë kompromis, që ajo gradualisht qoftë në formë të copëtimit kantonal, qoftë të krijimit të Srpska Zajednicës (sikurse Srpska Republika e Bosnjës), ku në të dy rastet do të vinte në shprehje edhe legalizimi i administrimit të organeve dhe të institucioneve ekzekutive në territorin e enklavave të banuara me serbë. Sipas Enver Hoxhajt, Serbia qëmoti e ka njohur Kosovën, qëkur ka filluar “dialogu teknik” i Brukselit). Mirëpo, faktet flasin ndryshe, sepse as politika e as diplomacia e Serbisë deri tani nuk kanë dhënë asnjë argument valid se e “njohin” apo “do ta njohin” pavarësinë e Kosovës, me gjithë zhvillimin e dialogut në Bruksel (2011- 2017).
Pavarësisht se çfarë ka deklaruar ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, dialogu në Bruksel (2011-2017) mes palës serbe dhe asaj shqiptare të Kosovës, në agjendën protokollare të tij (me ndërmjetësimin e BE-së) nuk ka në fokus njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, por parashikon arritjen e një kompromisi politik të dyanshëm. Çfarë do të jetë ai kjo mbetet për t’u parë. Këtë nuk mund ta dinë as Enver Hoxhaj, as presidenti Hashim Thaçi e as Edita Tahiri (ishministre për Integrime Evropiane).
(Kosova Sot)


