Labinot Tahiri, artisti që e kthen mirënjohjen në mision human – “Zemra dhe dera ime do të jenë gjithmonë të hapura”
Ferizaj – Përtej skenës, muzikës dhe duartrokitjeve, Labinot Tahiri vazhdon të dëshmojë se arti merr një kuptim edhe më të madh kur shoqërohet me humanizëm, solidaritet dhe përkushtim ndaj njerëzve në nevojë.
Këngëtari i njohur, i cili ndër vite është bërë i pranishëm në shumë aktivitete artistike e shoqërore, është vlerësuar nga OVL UÇK – dega në Ferizaj, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe mbështetjen e tij ndaj veteranëve, invalidëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve.
Në një postim të bërë pas pranimit të mirënjohjes, Tahiri e ka cilësuar këtë vlerësim jo vetëm si nder, por edhe si përgjegjësi për të vazhduar rrugën e tij të solidaritetit.
“Për veteranët, invalidët dhe familjet e dëshmorëve, dera dhe zemra ime do të jenë gjithmonë të hapura.”
Ai ka theksuar se gatishmëria për të mbështetur ata që sakrifikuan për lirinë e vendit nuk do të mungojë dhe se respekti për sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sipas tij, dëshmohet mbi të gjitha përmes veprave.
Tahiri ka falënderuar gjithashtu deputetin dhe komandantin Elmi Reçica, si dhe bashkëluftëtarët dhe strukturat e OVL UÇK-së, për nderimin që iu bë atij dhe familjes së tij.
Kontributi i tij nuk kufizohet vetëm në muzikë. Në vazhdimësi, Labinot Tahiri është angazhuar në iniciativa humanitare dhe në mbështetje të familjeve e individëve që përballen me vështirësi sociale. Pikërisht ky dimension i figurës së tij ka bërë që ai të shihet jo vetëm si këngëtar, por edhe si një zë i gatshëm për të qenë pranë njerëzve kur ata kanë më së shumti nevojë.
Mirënjohja e fundit në Ferizaj vjen kështu si një tjetër vlerësim për një artist që përpiqet ta shndërrojë famën dhe mundësinë që i ka dhënë publiku në një mjet për të ndihmuar të tjerët.
“Në shërbim të shtetit dhe kombit”, përfundon mesazhin e tij Labinot Tahiri, duke e shoqëruar postimin me flamujt kuqezi e të Kosovës dhe me një mesazh respekti për ata që kontribuuan për lirinë e vendit./rajonipress/



