Kosova, oazë e krimit dhe drejtësisë së politizuar
Kosova, pas dy dekadash në liri, është shndërruar në një oazë të krimit, falë drejtësisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën sipas ligjit. Strukturat brenda gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë, në vend se të jenë mbrojtës e garantues të qytetarëve, janë bërë avokatë të veprimit të pacenueshëm të krimit të organizuar në Kosovë. Analistët pyesin se deri kur do të funksionojë skema mafioze e zgjidhjes së rasteve gjyqësore, ku sundon leku dhe mafia, mafio-politika dhe grupet e interesit. Sipas tyre, nuk mund të funksionojë drejtësia në Kosovë me shantazhet e politikës. Gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë mirë dhe komodë, duke qenë të lidhur me politikanët, prandaj edhe flirtojnë me politikën sipas stilit “ti më bën një favor mua, e unë ta kthej me një tjetër favor”, pra pandashëm kështu trafikohet drejtësia në Kosovën e kapur e të nëpërkëmbur.
Miftari: Kosova është çerdhe e krimit të organizuar dhe të korruptuarve, që zakonisht fshihen prapa petkut politik
“Fatkeqësisht Kosova është bërë oazë e krimit të organizuar dhe korrupsionit, gjithsesi falë drejtësisë së inkriminuar që kemi pasur gjithë këto vite të pasluftës, që faktikisht asnjëherë nuk ka denjuar deri më sot të bëjë punën sipas ligjit…asnjëherë deri më sot sistemi i drejtësisë nuk ka arritur të jetë efikas në luftimin e krimit dhe korrupsionit me gjyqtarë e prokurorë që flirtojnë me politikën dhe mbase të ndikuar e të kontrolluar nga politika”, u shpreh Naim Kelmendi për “Kosova Sot”
Kosova, pas dy dekadash në liri, është shndërruar në një oazë të krimit, falë drejtësisë që sheh vetëm xhepin e vet, e nuk bën punën sipas ligjit. Strukturat brenda gjyqësorit, prokurorisë dhe policisë, në vend se të jenë mbrojtës e garantues të qytetarëve, janë bërë avokatë të veprimit të pacenueshëm të krimit të organizuar në Kosovë. Analistët pyesin se deri kur do të funksionojë skema mafioze e zgjidhjes së rasteve gjyqësore, ku sundon leku dhe mafia, mafio-politika dhe grupet e interesit. Sipas tyre, nuk mund të funksionojë drejtësia në Kosovë me shantazhet e politikës. Gjyqtarët dhe prokurorët duan të jenë mirë dhe komodë, duke qenë të lidhur me politikanët, prandaj edhe flirtojnë me politikën sipas stilit “ti më bën një favor mua, e unë ta kthej me një tjetër favor”, pra pandashëm kështu trafikohet drejtësia në Kosovën e kapur e të nëpërkëmbur.
Analisti Blerim Burjani vlerëson se rastet e shumta nuk trajtohen ose parashkruhen ose zvarriten, strategji e deritashme e përdorur nga njerëz të disa prej tyre mungesa e provova ose fshehja e lëndës apo të ngjitur në dosje me emra dhe mbiemra deri diku të ngjashëm e që paraqitet gabim administrativ. “Këto mënyra të deritashme paraqesin probleme të mëdha të drejtësisë së kapur, vështirë se do të ketë ndryshime tjera kualitative ku do të trajtohen lëndët e shumta të mbetura nëpër sirtarë, fatkeqësisht pa ndryshime në qeverisje nuk ka dalje nga drejtësia e kapur shumëfish, kjo tash po dihet, por nuk ka mekanizëm të stopohet, organet e drejtësisë duhet të lihen të qeta dhe të mos ndërhyhet në funksionimin e tyre”, ka theksuar Burjani për “Kosova Sot”.
Kelmendi: Kur drejtësia është e sëmurë, shteti bëhet kancerogjen dhe i metastazuar!
Analisti Naim Kelmendi vlerëson se Kosovës nuk i duhet një sistem drejtësie i instaluar që amniston nga përballja me drejtësinë, krimin e organizuar, korrupsionin dhe mafinë politike e nëntokën kriminale.“Kur drejtësia është e sëmurë shteti bëhet kancerogjen e i metastazuar fare. Fatkeqësisht lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar është në një mënyrë edhe problem i mungesës së vullnetit politiko-korruptiv , e jo vetëm i drejtësisë, sepse drejtësia e politika po bashkëjetojnë “në një shtrat të krimit” të korruptuar për interesa të tyre të përbashkëta kriminale!”, theksoi ai për “Kosova Sot”.“Krejt kjo ka renduar mbi drejtësinë, duke mos mundur ajo të jetë në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit, por duke pranuar kështu në njëfarë mënyre të jetë e sfiduar nga krimi dhe korrupsioni e që po e dëmton shoqërinë tonë të pasluftës edhe ashtu të varfër dhe të papunë e pa zhvillim dhe pa mirëqenie të konsoliduar…krejt këtë argat të keqdrejtësisë në përgjithësi ia ka bërë politika dhe njëherësh njerëzit e drejtësisë të ndërlidhur me politikën, duke u shërbyer më shumë interesave të saj sesa ligjit dhe drejtësisë, kështu duke i bërë favore njëra-tjetrës”, vijoi më tej Kelmendi.
Sipas tij, liria dhe pavarësia e gjyqësorit dhe prokurorisë është dhe mbetet e cenuar nga politika e inkriminuar për ta pasur në dorë drejtësinë dhe për ta kontrolluar atë në interes të qëllimeve të veta… kështu që ka rezultuar që ky sistem drejtësie të kapet nga politika dhe mafio-oligarkët kriminalë të vendin dhe derisa të jetë kështu gjendja nuk mund të ketë drejtësi për qytetarët dhe nuk mund të flasim për funksion të shtetit të së drejtës në Kosovë.
Miftari: Dështimi i drejtësisë
“Kosova sot për sot është çerdhe e krimit të organizuar të korruptuarve, që zakonisht fshihen prapa petkut politik apo petkut të zyrtarëve shtetërorë vendorë, por edhe zyrtarëve ndërkombëtarë. Sa është i fort krimi i organizuar në Kosovë tregon dështimi 20-vjeçar i ligjit dhe sundimit të tij, njëherë dështimit të UNMIK-ut, pastaj dështimi total i EULEX-it dhe Maja e Ajsbergut e krimit të organizuar qeveritë e Kosovës të pavarura, të cilat vetëm aktorët politikë të qeverive ndërronin vendet e qeverisjes, por nuk ndërronte assesi progresi në sundimin e ligjit dhe drejtësisë shtetërore, pra vazhdonin hajnia, keqpërdorimet, shantazhet, nepotizmi i klaneve politike që ma shumë janë klane të mafisë.
Dhe në një vend si Kosova, ku shteti, drejtësia, policia, prokuroria, inteligjenca, partitë politike, por edhe diplomacia ndërkombëtare janë edhe vetë pjesë e mafisë, e krimit të organizuar, atëherë ai shtet, siç është Kosova shtet i ri, shtet i brishtë, me një shoqëri eksperimentale, nuk ka shumë shanse të mbijetojë si shtet serioz, shtet ku sundon ligji”, potencoi Naim Miftari për “Kosova Sot”.
Ligji nuk ekziston
Njohësi i çështjeve që kanë të bëjnë me korrupsionin, Hasan Preteni, vlerësoi se rasti i zyrtarit policor, i cili me armë zyrtare, i maskuar, hyn për të vjedhur në një kazino dhe pastaj vret punëtorin e sigurimit, tregon nivelin e rëndë ku jemi.“I graduar në polici, i hetuar më shume se 10 herë për vepra të ndryshme. A mos vallë ky është zyrtari policor që e mbron interesin e përgjithshëm, që e mbron jetën dhe pronën e kosovarëve. Cila është përgjegjësia, a u shkarkua dikush për këtë, a do të ketë përgjegjësi penale apo disiplinore për eprorët policorë që nuk e suspenduan me kohët dhe pse nuk ndërmorën masa për të larguar, përkundrazi ai ishte avancuar, a është rast i izoluar apo rast që na përkujton se në çfarë shteti të kriminalizuar jetojmë, e harruam rastin e Drenasit, po i harrojmë shumë shpejt edhe shumë raste tjera që në baza ditore po na dëshmojnë se në Kosovë nuk ka sundim të rendit dhe ligjit”, u shpreh ai.
“Vriten për prona, për vende pune, vriten për çështje morali, vdekje në komunikacion. Për çdo ditë humbje jetësh në mënyrën më të dhunshme të mundshme. E kemi marrë drejtësinë në duart tona, nuk ankohemi, sepse nuk kemi besim, nuk ankohemi sepse duhet me pritur vite të tëra derisa të zgjidhen rastet, edhe ato nëse nuk kemi lekë, i kemi humbur. Kriza më e madhe që mund të godasë një shtet është kur qytetari i vendit e humb besimin tek institucionet e vendit”, vlerësoi Preteni. Sipas tij, sundon i forti dhe jo i drejti. “Punësime jashtëligjore, punësime pa respektuar procedura, punësime vetëm për familjarët e 20 familjeve që e “sundojnë” Kosovën.
Parregullsi dhe anarki të dëshmuara me fakte në baza ditore. Hetues policorë, prokurorë dhe gjyqtarë ose janë pjesë aktive e krimit ose janë pjesa ma pasive e luftimit të krimit. Publikimi i raporteve nga vetë gjyqësori është shumë shqetësues. Po bie numri i kallëzimeve penale, jo se u zvogëlua krimi, por se ka humbur besimi. Vetëm para dy netësh, sipas dëshmisë të vetëm një transportuesi, dy autobus nga Gjakova janë nisur nëpërmes Gjakovës për Serbi e pastaj… Ata që nuk janë pjesë e “sunduesve” i kanë vetëm dy zgjidhje, të ikin ose të durojnë e të jetojnë në skamje, krizë dhe anarki”, ka thënë më tej Preteni.
Haziri: Shpërbërja e shtetit
“Problemet e keqfunksionimit institucional bartën edhe në nivelin më të ulët. Rastet e vrasjeve, vjedhjeve, si dhe shumë fenomeneve tjera negative, vijnë si rezultat i mungesës së drejtësisë, konkretisht aparatit shtetëror. Qytetarët, duke kuptuar mossundimin ligjor dhe tendencat për shpërthime kaotike, marrin ligjin në dorë dhe efekti i tyre ngjan si ditëve e muajve të kaluar. Aq lehtë e papengueshëm zhvillohen dukuritë negative sa kanë krijuar përshtypjen sociale se aktivizimi shtetëror përmes pasivizimit dhe rolit të tij po e “mundëson” kriminalitetin.
Sikur të ishte funksionimi i mirëfilltë, nuk do të shpërbëhej shteti ngadalë dhe nuk do të krijoheshin kushtet për fenomene asociale. Realisht, vetë hierarkia shtetërore karakterizohet me udhëheqës, të cilët masën e shpërdorimit të pasurisë publike gjithnjë e kanë në rritje, kjo mund të shërbejë si pretekst pse vendi kaplohet nga krimi dhe padrejtësitë e shumta”, u shpreh për “Kosova Sot” Arsim Haziri.
(Kosova Sot)


