Raif Musliu pensionohet pas një karriere shumëvjeçare në arsim, Haliti e nderon me mirënjohje
Viti – Pas dekadash përkushtimi në edukimin dhe arsimimin e brezave, drejtori Raif Musliu ka përmbyllur karrierën e tij profesionale me rastin e pensionimit. Për kontributin shumëvjeçar në arsim dhe angazhimin në shërbim të komunitetit, ai është nderuar me mirënjohje nga kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.
Në një takim të organizuar me këtë rast, kryetari Haliti, së bashku me drejtoreshën e Arsimit, Arta Ajeti, nënkryetarin e komunës dhe drejtorët e drejtorive komunale, priti Raif Musliun, duke vlerësuar punën dhe angazhimin e tij ndër vite.
Musliu, përveç punës si arsimtar i fizikës dhe kimisë, ka udhëhequr për disa mandate Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ahmet Hajdari” në Beguncë, ku ka dhënë kontribut të rëndësishëm në organizimin dhe zhvillimin e procesit edukativo-arsimor.
Gjatë takimit, kryetari Sokol Haliti vlerësoi angazhimin e tij në edukimin e shumë gjeneratave të nxënësve, si dhe punën drejtuese në zbatimin e reformave shkollore, përmirësimin e organizimit të mësimit dhe krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Vlerësim të veçantë mori edhe angazhimi i Musliut në jetën e komunitetit të Beguncës, ku përveç përgjegjësive profesionale në arsim, ai ishte bashkëpunëtor në nisma dhe aktivitete të ndryshme në shërbim të banorëve.
Kontributin dhe veprimtarinë e tij e vlerësuan edhe drejtoresha e Arsimit, Arta Ajeti Alidema, si dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim, duke theksuar se përkushtimi i tij profesional dhe njerëzor përbën një shembull të mirë për gjeneratat e ardhshme.
Në këtë takim u prezantua edhe drejtoresha e re e SHFMU-së “Ahmet Hajdari”, Albana Haziri, e cila pranoi detyrën nga drejtori i deritanishëm, në prani të përfaqësuesve të institucioneve komunale.
Në përmbyllje, kryetari Haliti falënderoi Raif Musliun për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë ndër vite, duke i uruar shëndet dhe pensionim të mbarë. Ndërkaq, drejtoreshës së re, Albana Haziri, i dëshiroi suksese në udhëheqjen e shkollës dhe në avancimin e mëtejshëm të cilësisë së arsimit.
Pensionimi shënon përfundimin e një kapitulli profesional për Raif Musliun, por kontributi i tij në edukimin e brezave dhe në jetën e komunitetit të Beguncës mbetet pjesë e trashëgimisë së tij profesionale dhe njerëzore./rajonipress/

