Përsëritja e përçarjeve
Nga Shefik Sadiku – Konfliktit shekullor shqiptaro-serb, si duket do t’i vie fundi ose do të mbetet konflikt i ngrirë që sa herë t’i duhet dikujt për ta destabilizuar Ballkanin, do ta aktivizojë nga e para. Me gjasë do të ndodhë kjo e dyta. Pse e dyta? Sepse fuqitë e mëdha kurrë nuk e zgjidhën çështjen shqiptare tërësisht, por parcialisht. Jo rastësisht jashtë Shqipërisë londineze mbetën më shumë se gjysma e shqiptarëve dhe shumë më shumë se gjysma e tokave shqiptare.
A do të zgjidhet tani në Bruksel drejt çështja e Kosovës? Ka spekulime të ndryshme, por nuk përjashtohet mundësia që në morinë e spekulimeve, të konturohen disa mundësi që janë në tavolinat e fuqive vendosëse. Ajo që tashmë dihet sigurtë është se Plani i Ahtisarit ka rënë nga kombinimi anipse GJND-ja pas kërkesës së Serbisë përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së për ta konstatuar aktin e pavarësisë sipas së Drejtës ndërkombëtare, i dha të drejtë Kosovës për pavarësi. Edhe pse kaluan 11 vjet nga ky akt pavarësie , Serbia me destruktivitetin e vet, sigurisht të mbështetur nga Rusia, e pamundësoi funksionalizimin e Kosovës së Pavarur në gjithë territorin.
Si pasojë e këtyre zhvillimeve,BE-ja mori përsipër ndërmjetësimin e saj për normalizimin a raporteve Kosovë-Serbi, fillimisht si biseda teknike për të përfunduar në biseda politike e përfundimisht kjo përfundoi për çështjen e statusit të Kosovës , që tani operohet me terma:ndarje, shkëmbim territoresh deri te eufemizmi korrigjim kufijsh. Nga perspektiva kohore dhe draftplanet që qarkullojnë në media të ndryshme,qartësohet akti i vendosjes së KFOR-it në Urën e Ibrit në qershor të 1999-ës dhe përzënia e shqiptarëve nga strukturat paralele serbe të sigurisë nga veriu i Mitrovicës më 2000 në praninë e UNMIK-ut dhe KFOR-it. Meqenëse BE-ja , si ndërmjetësuese e këtyre bisedave me atribute të ndryshme, edhe atyre marrëveshjeve të arritura nuk arriti t’u qëndrojë prapa nga obstruksionet e Serbisë, u dashtë që , ndonëse jo zyrtarisht, SHBA-të dhe Rusia si superfuqi të botës ta marrin situatën në dorë.
Meqë ka ra Plani i Ahtisarit, palët nën presionin e dy superfuqive do të bëjnë kompromis. Kompromisi dihet se është në favor të Serbisë, sepse dihet historikisht Serbia që nga Konferenca e Londrës e vitit 1913 që i sanksionoi këta kufij ku Serbia shtrihet në toka shqiptare. Prandaj sa do që Serbia do të detyrohet të lëshoj ndonjë cep, ajo do të fitojë territor edhe nga Kosova. Kur i kemi parasysh edhe eksterritorialitetin e të ashtuquajturave kisha serbe, statusin e “Trepçës” dhe Ujmanit, Kosova zor se do të mund të funksionoj si shtet. A mund të dalin shqiptarët më mirë nga ky proces? Zgjidhjen e kësaj çështje do ta vendosin dy superfuqitë, kuptohet secila për interesa të veta, pra SHBA-të dhe Rusia.
Nëse sado pak do të mund të bëni palët, pala kosovare nuk mund të bëjë asgjë,sepse si duket po përsëritet historia. Shqiptarët në momentet vendimtare për fatin e tyre kanë qenë të ndarë në mendime. Edhe kësaj here shqiptarët në këto negociata shkojnë të ndarë në tri grupe. Qeveria ka formuar një grup që ka dalë me një platformë,e cila është e vonuar,sepse konturat e marrëveshjes thuaja se po duken, grupin e dytë e paraqet qëndrimi i Presidentit, të tretin e përbëjnë LDK-ja dhe LVV duke mos marre pjesë në këtë proces. Kështu të ndarë në qëndrime ishim në prag lufte, në Rambuje, gjatë luftës dhe pas luftës.
Të qenët të ndarë në qëndrime vetëm e rëndojmë gjendjen tonë. Kosova do të dali nga ky proces edhe një herë jo ajo që e meritojnë qytetarët e saj dhe jo ajo për të cilën kanë rënë dëshmorët. Të gjithë dëshirojmë te dalim mē mirë nga ajo qe me te drejte frikohemi./rajonipress/


