Ndërron jetë profesori Latif Latifaj
Gjilan – Sot në varrezat e qytetit në Gjilan, në praninë e shumë qytetarëve është varrosur profesor Latif Latifaj. Latifaj dje ka ndërruar jetë në moshën 73 vjeçare, pas një sëmundje të shkurt, duke lënë të pikëlluar familjarët dhe shumë miq që kishte gjatë jetës së tij. Profesor Latif Latifaj, ishte njëri ndër pedagogët e parë në Komunën e Gjilanit i cili ligjëronte lëndën e Edukatës Fizike.
Latifaj kishte lindur në fshatin Hogosht të Komunës së Kamenicës, ndërsa shkollën e lartë të Edukatës fizike e kishte kryer në Prishtinë, ndërsa më pastaj shkollimin e tij të fakultetit e kryen në Beograd.
Profesor Latifaj karrierën e mësimdhënësit e kishte filluar në fshatin Pidiq të komunës së Vitisë, duke vazhduar në Livoq, Bresalc, Përlepnic e Partesh.
Ish-profesori i Edukatës Fizike, një kohë të gjatë kishte punuar edhe në shkollën Musa Zajmi dhe në atë të mesmen në shkollën Ekonomike, duke lënë gjurmë të pashlyera tek nxënësit si në procesin mësimor njashtu edhe në atë njerëzor.
Ish-profesori Latifaj, asnjëherë nuk u pajtua me padrejtësitë të cilat i përjetonte populli shqiptar, për këtë pushteti komunist në vitin 1981 në kohën e demonstratave e largon për tri vite nga procesi mësimor si i papërshtatshëm.
Gjatë karrierës së tij 44 vjeçare me ditar në dorë, ish-profesori Latifaj, është shpërblyer për kontributin e dhënë në lëmin e arsimit.
Latifaj gjatë karrierës me punën e tij profesionale, edukative, arsimore, hapi shtigje të diturisë për shumë nxënës, për këtë ish-profesor Latifaj gjithmonë ishte krenar që ka kontribuar për rininë Shqiptare që një ditë të gëzojnë lirinë dhe të jenë të zot të vetvetes./rajonipress/


