Opozita: Heqja eventuale e taksës nënkupton largimin e Qeverisë
Tri ditë pas ultimatumit të fuqishëm të SHBA-së për heqjen e taksës ndaj produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnjë e Hercegovina kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dalë me një varg kushtëzimesh për heqjen e tarifës në fjalë, shkruan “Zëri”.
Në një letër të dërguar ambasadorëve të QUINT-it shefi i ekzekutivit ka kërkuar që SHBA-ja dhe BE-ja ta organizojnë një konferencë ndërkombëtare me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese mes Kosovës e Serbisë.
LEXO EDHE: Haradinaj ju shkruan letër kryeministrave të botësë
Në mënyrë që të pezullohet taksa Haradinaj paraprakisht ka kërkuar garanci ndërkombëtare që në këtë konferencë të mos ketë kurrfarë rivendosjeje të kufijve ekzistues të Kosovës, të mos ketë ndarje e as shkëmbim territoresh.
Teksa ka folur rreth mundësisë për largimin e tarifës së vendosur ndaj produkteve serbe, deputetja e LVV-së Fatmire Kollçaku ka vlerësuar se heqja eventuale e taksës në fjalë nënkupton edhe largimin e Qeverisë aktuale.
“Ne mendojmë që në momentin që ajo vendos ta heqë taksën vetë Qeveria duhet të shkojë. Kjo qeveri nuk ka më fare besueshmëri që të qëndrojë, sa më shpejt që shkon vendi del nga kjo krizë në të cilën ndodhet”, ka thënë ajo për “Zërin”.
Sipas saj, taksa e vendosur në nëntor të 2018-s më shumë po përdoret për çështje inatesh dhe interesa personale mes krerëve të shtetit sesa për interesa nacionale.
“Ata nuk kanë qenë në gjendje që ta argumentojnë se pse e kanë vendosur taksën dhe ajo po shikohet tani si çështje inatesh ose si çështje se kush po fiton e kush po humbet. Qysh nga fillimi secili ka vepruar kokë më vete. Asnjëherë nuk ka pasur harmonizim të politikave mes tyre”, ka shtuar ajo. /


