“Anamorava” triumfon në “Folk Fest Shtimja”, shpallet ansambli më i mirë i edicionit të tretë
Qendra Kulturore “Anamorava” ka rrëmbyer çmimin e parë në Festivalin “Folk Fest Shtimja – Edicioni III, 2026”, duke u shpallur fituese në një konkurrencë të fuqishme të ansambleve shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës.
Me një program të përgatitur me përkushtim dhe të nivelit të lartë artistik, Ansambli “Anamorava” arriti të bindë jurinë me interpretimin e tij, duke sjellë në skenën e festivalit vlerat e folklorit, traditës dhe kulturës shqiptare.
Një tjetër sukses i rëndësishëm për ansamblin ishte edhe çmimi për instrumentistin më të mirë të festivalit, i cili iu dha artistit Naser Zeqiri. Ky vlerësim përbën një tjetër dëshmi të nivelit të lartë artistik dhe profesional të “Anamorava”-s.
Në këtë sukses kontribuuan valltarët Getuar Sadiku, Erion Sadiku, Meriton Xheladini, Elton Qerimi, Erit Salihu, Elta Sylejmani, Agnesa Limani, Diola Arifi dhe Suela Koka.
Një rol të rëndësishëm në program pati edhe Orkestra Popullore, nën udhëheqjen e Afrim Lekës, së bashku me profesorët Flamur Bucaliu, Artan Rifati dhe Arsim Baftiu. Pjesë e programit ishin edhe solistet e reja Besjana Abazi dhe Qendresa Rustemi, të cilat u prezantuan me vokalet e tyre.
Kontribut të veçantë dhanë edhe Naser Zeqiri, udhëheqës i orkestrës burimore, si dhe instrumentistët e veglave frymore Flamur Danqi dhe Adnan Danqi.
Programi i ansamblit u hartua nën drejtimin e drejtorit Arianit Hetemi, me mbështetjen e anëtarëve të kryesisë: Shemsedin Ajeti, Bardhyl Osmani, Arlind Hasani, Albana Ademi dhe Blertina Veseli.
Nga Qendra Kulturore “Anamorava” kanë shprehur mirënjohje për të gjithë artistët, anëtarët dhe përkrahësit që kontribuuan në këtë sukses, si dhe për DKRS-në e Komunës së Vitisë dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) për mbështetjen e dhënë.
Fitore në skenën e festivalit, por edhe një dëshmi e punës së vazhdueshme për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Urime Qendrës Kulturore “Anamorava” për këtë sukses!


