Majlinda fantastike, fiton medaljen e artë në Izrael
Xhudistja pejane shkëlqeu në Grand Prix të Tel Avivit në Izrael. Majlinda Kelmendi e ka nisur vitin 2019 në mënyrë fantastike, shkruan Gazeta Express.
Xhudistja pejane e ka fituar medaljen e artë në Grand Prix të Tel Avivit, eveniment që ka nisur sot.
Kampionia olimpike e ka mposhtur në finale me ippon izraeliten Gili Cohen për ta fituar medaljen e parë në vitin e ri.
Majlinda e kaloi rrethin e parë pa luftë në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse në atë të dytë ishte më e mirë se gjeorgjiania Tetiana Levytska-Shukvani.
Në çerekfinale, Kelmendi e mundi zviceranen Fabienne Kocher dhe me këtë rast e preu biletën për gjysmëfinale.
Sportistja më e madhe e Kosovës e eliminoi rumunen Andreea Chitu dhe shkoi në finale, ku ishte më e suksesshme se izraelitja Cohen.
Ajo i fitoi katër meçet me ippon.
Majlinda synon që sivjet të kthehet në majat e xhudos botërore.
Krahas Kelmendit, në Grand Prix të Tel Avivit po merr pjesë edhe garuesja tjetër kosovar, Loriana Kuka, e cila do të garojë nesër në kategorinë deri 78 kilogramë. /Gazeta Express/


