Skicë – Emin Fazliu, njeri human e me zemër të madhe…
Gjilan – I madh e i vogël, nga Karaçeva e Kamenicës, e njohin Emin Fazliu, njeriun human që ka zemrën e madhe. E njohin, sepse, aty ku pati nevojë për ndihmë, Emini nuk kurseu. U ka ndihmuar njerëzve të varfër dhe të tjerëve që kanë pasur nevojë. Pse jo. Ai është një i “ri” 52 vjet moshës. Në një kohë, kur ai ishte i ri, qe njeri i shkathtë e me interesime të shumta. Ishte nxënës i Gjimnazi “Zenel Hajdini” të Gjilanit. Këtu qëndroi vetëm pak muaj. Mandej, vazhdoi mësimet e rregullta në Shkollën Mesme Teknike “Mehmet Isai”, në Gjilan. Edhe këtu, Emini nuk zuri vend. U kthye në vendlindje dhe u regjistrua në Shkllën Teknike në Kamenicë, në drejtimin e ndërtimtarisë. E kreu me kohë këtë shkollë të mesme.
Por, vitet kur ai kreu shkollën e mesme, ishin vite të rënda jete për shqiptarët. Ai (Emini) u gjend në kohën e Dasmave të Mëdha. Ishte viti 1988-9, kur në Gjilan, papritur shpërthyen demonstrata. Ky me shokë u gjend përballë tyre.
“Po, tha Emin Zeqiri, tash punëtor në botën e jashtme në Lycer të Zvicrës. – Kur kreva shkollën e mesme, pata mundësi të hyj në punë në ndërmarrjen ndërtimore “Trajko Periq” në Kamenicë. Më premtuan edhe shkollimin. Nuk lakmova. Ika në botën e jashtme. Në Kosovë, ndryshoi gjendja jo në të mirë. Para se të mirrja botën në sy, u gjenda para policisë serbe, e cila bënte kërdi tek masa shqiptare. Më kujtohet si sot, kur tek stacioni i autobusëve, në Gjilan, zhvillohej një “betejë” e rreptë në mes forcave policore serbe dhe rinisë së pafajshme shqiptare. Aty, me shumë shokë, bëra rezistencë. Bëra dhe pas meje vrapuan disa policë për të më zënë. E dija se, nëse më zënë, do të më kishin dërmuar për spital. Kërceva murin e betonit. Dola pas lokaleve të Stacionit. Rezistova me tërë fuqinë me shokë. Kur kalova një ëmbëltore, ishte një muri. E kalova. Kur erdhi polici serb ta kapërcejë murin, unë me një pjesë të një dërrase e qëllova. Ai mbeti aty i lënduar. Ika dhe dola te hoteli “Kristal”. Aty ishin tubuar me qindra e mijëra njerëz. Nuk u ndala. Erdha në shtëpi. Nuk e ndjeja vetën të sigurtë.
Pas pak kohe, u gjenda në Zvicër. Hyra në punë. Bëra punë fizike dhe të rënda. Por, duke punuar pa “hile”, vetës ia krijova një gjendje të mirë. Fillova të mendoj edhe për popullin tim në Kosovë. Kam dhënë shumë ndihma për arsimtarët që punonin pa paga nëpër shtëpi-shkolla. Por, ndihma kam dhënë edhe për të tjerë. Nuk kam kursyer asgjë për Kosovën time të dashur. Dhe, këtu në Zvicër, më tepër se 40 të rinj i kam punësuar. U kam gjetur vend. Më janë mirënjohës. Tash i kam katër punëtorë. Jam me profesion moler. Kontraktoj shtëpi të ndryshme për t’i renovuar e rregulluar ato në gjendje të mirë. Edhe në Lycern të Zvicrës, njerëzit më duan. Më njohin si bamirës. Nuk po i përmendi sa para kam dhënë, por vetëm zoti le ta dijë se nuk kam kursyer nga vetja për ta parë Kosovën dhe popullin tim të lirë dhe pa vuajtje.
Me punë të ndershme, në vendlindjen time, Karaçevë, kam ndërtuar shtëpi. Kam investuar mjaft. Mendoj edhe pak vite të punoj në Zvicër dhe të kthehem në vendlindje. S’ka me vendlindjen! Ajo është foleja më e ngrohtë e njeriut. Kam tre fëmijë, një djalë e dy vajza. Djali dhe vajzat janë duke punuar. I dua,por edhe ata më duan shumë. Unë punoj akoma për ta. Jeta të shtie që të “luftosh” gjer në momentin e fundit.
Ky ishte Emin Fazliu, një njeri me zemër të madhe, i cili, edhe në kohë të vështira, ai ka luftuar për ditët e sotit që të shkëlqejë Kosovën e lirë dhe e pavarur./tefik selimi/rajonipress/


