ARKATANA

Një dokumentar fort i rëndësishëm dhe me vlera publicistike e shkencore

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Para do dite, Tefik Ajvazi – Mjaku (1943, i lindur në fshatin Smirë, komuna e Vitisë, botoi monografinë dokumentare e publicistike me titull: “Mbarësitë e zhvillimit të arsimit në trevën e Ferizajit (1941-1999). Kjo është vepra e dytë dokumentare e tij, e cila flet për zhvillimin e arsimit në rrethin e komunës së Ferizajit.

Veprën e parë autori e botoi në vitin 2015 me titull “Vatrat e shuara atërore”. Tek dy këto vepra janë një lloj angazhimi dhe përkushtimi i autori, i cili nuk kurseu kohë e mund të pandalur në vjeljen e të dhënave për hartimin e këtyre dy veprave voluminoze dokumentare. Jo vetëm kaq.

Siç dihet, Tefik Ajvazi punoi disa vite me ditar në dorë dhe, kjo punë e shenjtë e arsimit e shtyri apo e nxiti që të hulumtojë procesin e zhvillimit të arsimit në komunën e Ferizajit, hapësirë kjo ku autori punoi disa vite në profesionin e mësuesit në fshatin Goshicë e Gërmovë. Më vonë, atë e shohim duke punuar si profesorë i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në në Gjimnazin e Ferizajit, ndërsa nga viti 1974, ai emërohet Këshilltar Pedagogjik në Entin Rajonal për Përparimin e Arsimit e të Edukimit në Ferizaj.

Në këtë vend punoi gjer në vitin 2000. Pas kësaj kohe, ai punoi mësimdhënës në Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” në Viti gjer në pension (2008). Pra, puna e tij me ditar në dorë, ishte moto e hyrjes së këtyre veprave dokumentare, të cilat i hartoi dhe botoi me përkushtim e zell prej një entuziasti, i cili mblodhi papërtesë shumë të dhëna e dokumente nga tereni e nga njohësit e mirë të kësaj fushe si dhe nga referencat tjera të dokumenteve të kësaj dije.

Monografia “Mbarësitë e zhvillimit të arsimit në trevën e Ferizajit (1941-1999), është një monument i rrallë i kësaj fushe të dijes, për faktin se, ngërthen në vete shumë materje, shumë të dhëna, data, vite, emra të personaliteteve të shquara të arsimit shqip të kësaj ane dhe figura të dalluara të arsimit shqip.

Veprën bë fjalë autori e ka ndarë në disa pjesë (kaptina), të cilat në vete kanë lidhje organike dhe shënojnë ngjarje, kohë e histori të kësaj dije. Në pjesën e parë, autori, T. Ajvazi ndalet në pasqyrën e shkurtër të historisë së ë zhvillimit të shkollës shqipe. Pra, nis shkrimin për përpjekjet e popullit shqiptar për të pasur shkolla të hershme në gjuhën amtare shqipe, të cilat, sipas autorit të veprës, këto vatra të dijes datojnë para shumë shekujsh. “Që nga shekulli i VII-XVIII, shton autori se, lindin shkollat e para shtetërore. Në trevat e Arbërit, shkollat e para lindën pas shek. XIV si rezultat i lulëzimit që kish arritur qytetet shqiptare”.

Në këtë kaptinë, autori i cek si shkolla të hershme në gjuhën shqipe, si në Kurbin të Krujës, Himarë, në Korçë etj. Në Kosovë, autori thotë se, shkolla e parë është ajo në fshatin Stubëll që daton në fund të shekullit XVI-të nën pushtimin osman etj. Mandej, sipas autorit, shkollat e para janë themeluar pas vitit 1878, si janë: në Prizren, Shkup, Manastir, Ohër, Zym, Gjakovë, Pejë etj.

Hidromorava

Pos këtij trajtimi, Tefik Ajvazi , në këtë kaptinë flet për historikun e zhvillimit të inspektorisë së arsimit shqiptar, mandej flet për fillimin e hapjes së shkollave shqipe në “Tokat e lirueme”.

Në pjesën e dytë, autori flet për plejadën e personaliteteve të shquara të arsimit, të cilët, siç pohon edhe vetë, – vetëflijuan për shkollën shqipe gjatë viteve 1941-1965. Këtu ndalet te disa personalitete të dalluara të arsimit shqipt, të cilëve ua kushton nga një biografi të gjerë jetësore. Ndërta, shquhen, si janë: Hysen Luma, Minish Ramadani Hasan Dylgjeri, Fejzullah Çerkini, Abdurrahman Arifi, Abdullah Laçi- Shabanaj, Eshref Saraçini, Sabit Rexhepi, Ndoc Deda, Abdullah Hoxha, Beriq Gashi, Ilaz Osmani, Hajriz Musliu, Ahmet Çerkini, Halil Buçinca, Sami Sojeva, Sinan Sahiti, Muhamet Maloku, Rasim Islami, Behxhet Shabani, Gafurr Tasholli, Nehat Çarkaxhiu, Shqer Shllaku, Hajro Ulçinaku, Ragip Reçica, Ismail Çerkini, Hajrullah Hoxha, Mr. Tefik Raka, Latif Nallbani etj.

Ndërsa, në pjesën e dytë, autori ka shkruar për mësimdhënësit dhe këshilltarët arsimorë të viteve 1965-1985. Këta emra janë: Tefik Ajvazi, Halim Hyseni, Sabit Shabani, Hetem Ibrahimi, Abdullah Rexhepi, Skender Salihu, Shaban Hashani, Sami Kamberi, Ejup Jusufi, Ismet Jupa, Agim Fejzullahu, Agim Olluri, Musli Marevci, Ahmet Gajtani, Razim Hoxha, Ramush Lekaj, Mustafë Aliu etj. Në pjesën e tretë, autori ka përfshirë këta mësimdhënës dhe këshilltarë arsimorë, të cilët punuan gjatë viteve 1985-1999, e këta janë: Mehmet Guri, Halil Govori, Shaqir Govori, Skender Beqiri, Haki Xhakli, Jonur Byqyçi, Fatmi Heda, Sadije Hajdini. Kurse, në pjesën e pestë të kësaj monografie, autori ka shtuar për rëndësinë e Entit Pedagogjik në dhënien e instruksioneve pedagogjike kuadrit arsimor.

Këtu autori, Tefik Ajvazi, flet për themelimin e Entit Pedagogjik (1963-1970), mandej për rithemelimin e Entit Pedagogjik (1973-1996), për fletoret e punës, për fushatën e egër që iu është bërë arsimit shqip për zbatimin e bërthamave programore serbe; flet për helmimet e nxënësve dhe segregacionin; për veprimtarinë e Entit Ndërkomunal për Përparimin e Arsimit dhe Edukimit nën masat e dhunshme; për veprimtarinë gjenocidale ndaj arsimtarëve dhe nxënësve shqiptarë, dredhitë serbe rreth objekteve shkollore; për ndryshimin, plotësimin dhe reforma e Enteve Pedagogjike, shuarja e Enteve Pedagogjike në Kosovë etj.

Vepra e Tefik Ajvazi –Mjaku, ka 470 faqe tekst. Tekstin e kësaj monografie e shoqërojnë me dhjetëra fotografi e dokumente të tjera që flasin për një tekst jo vetëm dokumentar publicistike, por edhe shkencore. Autori ka shfrytëzuar burime dhe literaturë mjaft të bollshme. Ka hulumtuar arhiva në Kosovë, Ferizaj, por edhe arhiva familjarë të personalizuar. Ka vizituar disa nga bibliotekat, si Bibliotekën Universitare Kombëtare të Prishtinës, Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe Bibliotekën Publike”Sadik Tafarshiku” në Ferizaj.

Autori T. Ajvazi, për ta dokumentuar veprën e tij, ka shfrytëzuar njerëz të moshuar të fushës së arsimit, kujtime të tyre, deklarata e rrëfimet e tyre me shkrim. Janë mbi 46 emra që kanë shkruar vepra për arsimin ose kanë dhënë deklarata me shkrim për gjendjen e arsimit në rrethin e Ferizajit. /tefik selimi/rajonipress/