Fundamenti

Referendumi e shpëton Kosovën nga marrëzia e Thaçit

/ 13 minuta lexim
Uji Dea

Këshilli i BE-së në konkluzionet për Kosovën, më 26 qershor 2018, deklaroi se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit 2015 dhe atë të vitit 2013.

“Jam i mendimit se edhe Kosovës i duhet urgjentisht Ligji mbi Referendumin. Nuk janë çështje të vogla marrëveshjet, Asociacioni dhe komunat serbe të ndërtuara. Këto të gjitha duhet t’i paraqiten popullit, që ai të vendosë me referendum mbi të ardhmen e Republikës. Asnjë marrëveshje, sidomos Asociacioni, nuk duhet të kalojë pa referendum. Thaçi e ka pasur të kaluarën e vet. Ai duhet të dijë se çka ka krijuar. Dhe, nëse nuk e di, duhet Kuvendi dhe populli t’ia tregojnë vendin e merituar. Koha nuk pret”, thotë profesori universitar, Muhamet Kelmendi, për gazetën “Kosova Sot

Këshilli i BE-së në konkluzionet për Kosovën, më 26 qershor 2018, deklaroi se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit 2015 dhe atë të vitit 2013.

Analistët politikë, deputetët nga opozita në Kuvendin e Kosovës, si dhe qytetarët, shtrojnë pyetjen se si u bënë të gjitha këto lëvizje dhe ndryshime kur realisht edhe vetë përfaqësuesit e BE-së kishin deklaruar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se Asociacioni do të bëhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”. Pyetja që ata shtrojnë është se si erdhi deri te ky kthim prapa dhe cili ishte roli i pushtetarëve kosovarë në këtë kthim prapa, duke pranuar që Asociacioni të bëhet sipas marrëveshjes antikushtetuese të vitit 2013 dhe 2015, që për rrjedhojë do të bëhet ndryshimi i Kushtetutës, duke mashtruar popullin se gjoja po bëhet për formimin e Ushtrisë, e në realitet po bëhet ekskluzivisht për t`i dhënë kompetenca ekzekutive Asociacionit të komunave serbe. Analistët dhe deputetët ngrenë dyshimin se pushtetarët, në krye me Hashim Thaçin, vetëm për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, po tregtojnë duke e dorëzuar shtetin në duart e shtetit serb, përmes Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda Kosovës, por kjo nuk duhet të lejohet. Në bllokun opozitar paralajmërojnë se kjo tentativë eventuale nuk do t’i zërë ata në gjumë dhe nuk do të pranojnë për asnjë çmim pazare të tilla, por do të angazhohen që t’i jepet e drejta sovranit që të vendosë për marrëveshjen historike me Serbinë. Është një kundërshtim që tani në radhët e opozitës, por edhe tek qytetarët dhe analistët politikë, që theksojnë se nuk duhet të lejohet që presidenti kosovar të shkojë i vetëm në bisedime, me duar në xhepa, pa letra, pa përfillur askënd në vendin e tij dhe duke bërë pazare se si t’i ikë Gjykatës Speciale.

Çdo pazari i duhen dy të tretat

Sado që ka një terr të madh informativ lidhur me atë që po ndodh në prapaskenat e këtyre bisedimeve, mundësisë edhe për pazare të fshehta për interesa personale, deputetët e opozitës, që tani paralajmërojnë votën kundër çfarëdo marrëveshje, e cila nënshkruhet nga presidenti Thaçi, në dëm të shtetit të Kosovës, e sikur që është tani paralajmërimi për interferim dhe ndryshime në Kushtetutën e shtetit të Kosovës, vetëm e vetëm që të mundësohet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në kundërshtim me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë së çfarëdo pazaresh që mund të bëhen në fshehtësi dhe për qëllime të caktuara nga ana e presidentit Thaçi, ato detyrimisht duhet të vijnë në Kuvend dhe aty e kanë të sigurt kundërshtimin e tyre me votë, sepse për cilëndo nga ato nevojiten dy të tretat e votave dhe këto vota nuk ka shans t’i sigurojë koalicioni qeverisës pa votat e opozitës. Kjo vlen si paralajmërim edhe për tentativën eventuale të ndryshimit të Kushtetutës për ta formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse provohet të bëhet sipas marrëveshjes finale gushtit 2015, respektivisht të marrëveshjes bazë të vitit 2013. “Vetëm pse bëhen pazare të fshehta kjo nuk do të thotë që Kuvendi domosdo i pranon ato pazare të fshehta. Kushtetuta e Kosovës nuk mund të ndryshohet pa dy të tretat e deputetëve dhe gjithashtu edhe pa dy të tretat e pakicave. Rrjedhimisht një pazar i tillë i dëmshëm do ta ketë tepër të vështirë që të kalojë në Kuvendin e Kosovës, sepse çdo gjë që bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nuk e ka përkrahjen tonë, të LDK-së, dhe besoj që nuk do ta ketë përkrahjen dhe të deputetëve të tjerë të opozitës. Pra, rrjedhimisht është e pamundur që diçka e tillë të imponohet”, vlerësoi deputetja Osmani për “Kosova Sot”.

GURAZIU: NË ASNJË MËNYRË NUK DUHET LEJUAR PUSHTETARËT QË NGA FRIKA PËR T’I SHPËTUAR GJYKATËS SPECIALE TË TREGTOJNË ME SHTETIN E KOSOVËS

Analisti Ragip Guraziu thotë se pushtetarët, në krye me Hashim Thaçin, për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, po tregtojnë duke e dorëzuar shtetin në duart e shtetit serb.”Kjo është një prej arsyeve që po bëhen pazare edhe nëpërmes Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda Kosovës. Tanimë, sikur që po raportohet edhe në Konkluzionet për Kosovën, më 26 qershor 2018, Këshilli i BE-së deklaroi se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me marrëveshjen e gushtit 2015 dhe atë të vitit 2013″, u shpreh ai.”Edhe unë them dhe pyes se si u bënë të gjitha këto lëvizje dhe ndryshime kur realisht edhe vetë përfaqësuesit e BE-së kishin deklaruar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se Asociacioni do të bëhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dikush duhet të dalë para opinionit dhe të tregojë se si erdhi deri te ky kthim prapa dhe cili ishte roli i pushtetarëve kosovarë në këtë kthim prapa, duke pranuar që Asociacioni të bëhet sipas Marrëveshjes antikushtetuese të viteve 2013 dhe 2015, që për rrjedhojë do të bëhet ndryshimi i Kushtetutës. E këtu paraqitet rreziku shumë serioz i mashtrimit, duke mashtruar popullin kinse ndryshimi i Kushtetutës po bëhet për formimin e Ushtrisë, e në realitet ai ndryshim ka rrezik të bëhet ekskluzivisht për t`i dhënë kompetenca ekzekutive Asociacionit të komunave serbe”, vlerësoi Guraziu për “Kosova Sot”.”Në asnjë mënyrë nuk duhet lejuar pushtetarët, në krye me Hashim Thaçin, që nga frika për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale të tregtojnë me shtetin e Kosovës, duke e dorëzuar shtetin në duart e shtetit serb, përmes Asociacionit të komunave serbe me kompetenca ekzekutive brenda Kosovës. Përfundimisht është koha kur duhet zgjuar opozita nga gjumi dhe t’i jepet e drejta sovranit që të vendosë për marrëveshjen historike me Serbinë, përderisa presidenti i Serbisë ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta nxjerrë në referendum dhe do të jetë sovrani ai që do t’i japë vulën përfundimtare dialogut me Kosovën”, vijoi më tutje ai.

KELMENDI: PO KRIJOHET NJË PUSHTET I RI SHTETËROR, ME TERRITOR DHE ME ORGANET E VETA EKZEKUTIVE, SIKUNDËR EDHE POLITIKE!

Fundamenti

Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, vlerëson nga ana e tij se tanimë Kosova në fakt veç është e bosnjizuar, sepse në shumë vende të Kosovës nuk ka ndikim pushteti i Prishtinës.”Në veri, në Gracanicë dhe në komunat e tjera me shumicë serbe, sundon pushteti i Beogradit. Tash po ecet në rrugën e sanksionimit edhe de-jure të pushtetit serb në Kosovë me Asociacion. Kosova është para akteve të kryera. Kam deklaruar dhe përsëri po theksoj se Asociacioni është vepër e BE-së dhe e Hashim Thaçit me Isa Mustafën. Këta së bashku i ndërtuan dhe i nënshkruan marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Natyrisht se ato marrëveshje ishin dhe janë tërë kohën antikushtetuese. Me ato në fakt krijohet një pushtet i ri shtetëror, me territor dhe me organet e veta ekzekutive, sikundër edhe politike. Këtë Kosova nuk duhet lejuar. Është shumë më mirë të shkohet në ndërrim të territoreve sesa në krijim të shtetit serb. Me këtë humben të dy territoret. Ai i veriut të Kosovës dhe natyrisht edhe vetë Kosova Lindore, respektivisht Presheva, Bujanovci dhe Medvegja”, shpjegoi ai.”Është koha e fundit kur çështja duhet të kthehet në Kuvend. I bëj thirrje pushtetit të veprojë ashtu. Nuk duhet lejuar kurrsesi Thaçin që të veprojë me kokën e vet. Mjaft dëme ka sjellë. Tash po shihen dëmet që ai ia ka bërë Kosovës në vitet 2013 dhe 2015. Atë duhet ndaluar nga bisedimet e mëtejshme. I takon Kuvendit të veprojë. Jo vetëm kjo, por mendoj se duhet që çështja e të ardhmes së Kosovës, çfarëdo marrëveshje që paraqitet, mos të nënshkruhet pa e vendosur e diskutuar në Kuvend”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Burjani: Asociacioni duhet të bëhet pashmangshëm sipas Kushtetutës së Kosovës

Sipas analistit Blerim Burjani, Asociacioni duhet të bëhet pashmangshëm sipas Kushtetutës së Kosovës, edhe pse realisht edhe si i tillë është antikushtetues, për shkak se asociacioni del përtej Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi të saj.”Ka shumë gjëra enigmatike rreth statusit të këtij asociacioni dhe manovrat politike Hashimi po i vazhdon në mënyrë jotransparente dhe si sulltan po sillet në Kosovë, pa ndonjë bazë të veprimit dhe pa leje të Kuvendit. Në secilën situatë me veprime të tilla secili Parlament në botë do ta kishte larguar atë nga posti. Ky njeri vepron politikisht pa pyetur askënd, gjoja se ky e di më së miri për Kosovën. Nuk e pyet as qeverinë kukull që ka vendi me përplot njerëz analfabetë, qysh është mandatari i padijshëm për politikë a për shkencë, e për çka të duash, edhe ashtu i ka ministrat të padijshëm, të paedukuar”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

Shkodra: Në gjithë këtë situatë të mjegulluar ka një lojë të fshehtë që po luhet dhe atë duhet ta dijë vetëm presidenti Thaçi

Ndërsa analisti Shefik Shkodra konsideron se në gjithë këtë situatë të mjegulluar ka një lojë të fshehtë që po luhet dhe atë duhet ta dijë vetëm presidenti Thaçi. “Këto punë veç Hashim Thaçi i di. Për qytetarët është një pështjellim i palogjikshëm dhe pa zgjidhje të problemit kryesor. Sa merret vesh deri në këtë kohë, bisedat apo marrëveshjet e 2013-s dhe ajo e 2015-s, nëse nuk e kam kuptuar gabim, ishin kundërkushtetuese. Për këtë mori qëndrim edhe Gjykata Kushtetuese, si tejkalim ligjor për formimin e AKS-së me shumicë. Tash po thuhet që të respektohen marrëveshjet e viteve 2015 dhe 2013. Kjo është lojë qoftë nga H. Thaçi, por edhe evropianët janë duke pështjelluar. Atëherë edhe ne po kërkojmë referendum, pra”, vlerësoi Shkodra për “Kosova Sot”. “Mos të humbet kohë, sepse bosnjizimi nuk do të jetë zgjidhje, por një humnerë para shqiptarëve”, vijoi më tutje Shkodra.

Qytetarët bëjnë thirrje për protesta

Qytetarët e anketuar nga gazeta janë kundër krijimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ata theksojnë se janë kundër qasjes së pazareve dhe kompromiseve që mund të bëjë presidenti i vendit, me motivin që të hiqet nga lista e përfolur si i dyshuar potencial për t’u ndjekur nga Gjykata Speciale për krimet e luftës.

Qytetari Ahmet Jahiri thotë se është kundër një lloj autonomie të tillë, e cila, sipas tij, është përfolur shumë ditët e fundit në medie, e që nga ana e presidentit nuk ka transparencë të mjaftueshme. “Deri dje ata kanë thënë se nuk ka kompetenca ekzekutive. Hashimi vetë, me gojën e vet, por edhe të gjithë të tjerët. E tash po thuhet nga dikush se jo duhet ndryshuar Kushtetutën për hir të saj, për t’ua plotësuar dëshirën serbëve. Edhe këtë autonomi, nëse ua japin, pas disa vjetësh, ndoshta nuk do të kalojnë shumë vjet, ata do të shkëputen. Edhe këtë nëse e bëjnë këta më mirë le t’i bien vetes. Populli duhet të ngrihet në këmbë për ta kundërshtuar këtë, qysh ta bëjnë këtë, me u dhënë edhe ato të drejta… a nuk u mësuam ne mjaft me këto rrenat e serbëve a? Deri më sot na kanë prerë e na kanë grirë, na kanë djegur. Vetëm katundin tim tri herë e kanë djeg dhe i kanë prerë, fshatin Prapashticë”, u shpreh ai.”Opozita duhet të ngrihet gjithqysh, por edhe populli duhet të ngrihet në këmbë dhe të dalin këtu, sikur atëherë kur protestonim kur e pushkatuan e vranë familjen e Adem Jasharit dhe qysh atëherë dilnim para serbëve këtu për të protestuar dhe thoshim se edhe ne jemi UÇK, edhe unë vetë kam qenë në ato protesta”, theksoi Jahiri për “Kosova Sot”. Qytetari Rexhep Gara thotë se është fatkeqësi e parë është që në Kosovë nuk vendos askush tjetër veç liderëve politikë dhe ata për interesat e tyre po e keqpërdorin pushtetin dhe madje po e dëmtojnë jo rrallëherë edhe shtetin.”Është fatkeqësi e madhe që këta e kanë krijuar bindjen në vetvete se këta po i merr Gjykata Speciale dhe në e bëfsha kompromisin nuk më merr. Nuk ka shans teorik, edhe krejt Kosovën nëse e nënshkruan, për pa shkuar në Gjykatën Speciale ai që e ka bërë krimin, le ta japë krejt Kosovën dhe fatkeqësisht gati edhe e dha krejt. Por, për pa shkuar në Gjykatën Speciale nuk ka asnjë çmim që mund ta shpëtojë. Nuk mundet një krim të mbulohet nëse ka argumente, por nëse nuk ka argumente, prapë edhe po e dha krejt Kosovën ai prapë ka me dalë i pafajshëm, prandaj për këtë arsye është fatkeqësi që këta e kanë krijuar bindjen për veten”, tha Gara. Edhe ai është i mendimit që nëse veç tentohet të bëhet një mashtrim i tillë, të përdoret edhe protesta si mjet i pengimit të bosnjizimit të Kosovës.

(Kosova Sot)