Betejat false të LDK’së
Nga Imer Mushkolaj – LDK’ja ndër vite ka pasur nevojë që, qoftë edhe përkohësisht, të krijojë figura të forta karshi “të fortëve” të PDK’së. Të krijojë “heronj” që “guxojnë të kapen” me PDK’në. Të ekzaltojë votuesit e vet dhe të përfitojë politikisht. Beteja false këto që, zakonisht, përfundojnë në koalicion me PDK’në. Lidhja Demokratike e Kosovës ka një hero të ri. Ai është deputeti Arben Gashi. Pasi “guxoi” të fjaloset me homologun e tij Xhavit Halitin, në Kuvend, tregim që vazhdoi me sulmin që deputeti i PDK’së bëri ndaj tij, Gashi po përjeton momente lavdie e simpatie nga anëtarë të partisë.
Nuk është se ai ka bërë farë gjesti heroik, as ndonjë veprim të jashtëzakonshëm që do ta bënte të admirueshëm ndër bashkëpartiakë. Por nuk është hera e parë që LDK ka nevojë për të tilla situata, për të tilla figura që zakonisht “kapen” me njerëz të PDK’së. Nuk është hera e parë që LDK, ose grupe të caktuara brenda partisë, nuk përtojnë t’ua njohin kreditet të tillëve që kanë shfaqur qëndrim rezistues ndaj të fortëve të partisë së Kadri Veselit. Arben Gashi është i fundit në këtë listë.
Kur deputetja Vjosa Osmani kritikonte Hashim Thaçin, ajo shihej me plot admirim nga elektorati i LDK’së. Mjaftonte që ajo “guxonte” t’ia numëronte Thaçit të bëmat një nga një dhe përnjëherë shndërrohej në model sjelljeje e qasjeje çfarë LDK do të duhej ta kishte karshi partisë rivale, pavarësisht se ndanin bashkë tortën e pushtetit.
Kur Driton Selmanaj përplasej verbalisht me Kadri Veselin, ai po ashtu shenjohej si deputet trim, që po ia thoshte të gjitha në sy ish-shefit të SHIK’ut.
Më pas, kur Anton Quni po qëronte hesape me Xhavit Halitin rreth milionëve të pretenduar se janë dhënë për luftë e dyshimeve se mund të jenë keqpërdorur, ai menjëherë ngjitej në krye të listës së të adhuruarve në LDK, ngase kishte guxim ta sfidonte “Zekën”.
E portretizuar nga nënkryetari Lutfi Haziri si “parti e trëndafilave”, karshi PDK’së “së armëve”, në atë togëfjalëshin e famshëm që përshkruante koaliconin si “guns & roses”, LDK në vazhdimësi ka pasur nevojë që të prodhojë “figura të forta” qoftë edhe përkohësisht, karshi të fortëve të PDK’së. Në këtë mënyrë, zyrtarë të partisë dhe simpatizantë të saj mund të jenë ndjerë krenarë me ta, por gjithçka ka zgjatur deri te një përplasje e radhës, deri te prodhimi i një heroi të ri.
* * *
Është shkruar e stërshkruar, thënë e stërthënë nga kritikë të LDK’së dhe jo vetëm, se kjo parti më së miri di të funksionojë duke u viktimizuar. Në këtë rast, në asnjë mënyrë nuk duhet ngritur paralele me rastin e fundit Gashi-Haliti. Përkundrazi, veprimi i Halitit është tërësisht i papranueshëm dhe duhet ndëshkuar. Por, kjo nuk e amniston LDK’në nga qasja viktimizuese në plot raste, në përpjekje për të përfituar politikisht. Madje duke luajtur edhe me fatin e keq të zyrtarëve të vet, të vrarë pas luftës.
Zbardhjen e vrasjes së tyre, për ç’gjë zyrtarë të partisë vazhdimisht kanë ngritur dyshime se mund të jenë kryer nga SHIK’u, respektivisht njerëz të PDK’së, janë aktualizuar kryesisht në fushata zgjedhore. Akuzat ishin aq të forta dhe të rënda, sa që një njeri me mendje të shëndoshë nuk mund të besonte se këto dy parti do të mund të përfundonin në shtratin e përbashkët të qeverisjes. Por, ja që kështu ndodhte dhe akuzat harroheshin deri në fushatën tjetër. Deri atëherë kur, sërish, premtohej e zotohej se kjo parti kurrë nuk do të bënte koalicion me SHIK’un dhe PDK’në.
Kritikohej e akuzohej PDK’ja për kapje shteti, ndërkohë që kur qeverisnin bashkë, LDK vepronte njësoj, duke kapur ç’të mundte nëpërmjet militantëve partiakë.
Nuk është e drejtë që të përgjithësohen krejt deputetët ose zyrtarët e lartë të LDK’së, duke thënë se janë njësoj. Absolutisht jo. Sidomos viteve të fundit brenda LDK’së kanë zënë vend një numër figurash të respektuara e kredibile. Është çështje tjetër se sa ata janë në gjendje të përfaqësojnë dhe përçojnë një frymë ndryshe nga ajo viktimizuese, veçanërisht karshi PDK’së, çfarë është prezantuar tash sa vjet. Është çështje tjetër se sa ata po ia dalin të përçojnë një qasje të re politike. Fatkeqësisht, deri tash rezultatet janë dëshpëruese. Jo pse nuk po duan, por nuk po munden, nuk po i lënë.
* * *
Xhavit Haliti ose ndonjë tjetër zyrtar i PDK’së sërish mund të jetë në qendër të vëmendjes në përplasje të radhës me dikë nga LDK’ja, me një “hero” të ri. Por kjo nuk është mënyra e duhur e LDK’së për të bërë politikë, në përpjekje për t’i himnizuar “të fortët” e vet. PDK, ndërkaq, do të ndëshkohet me votë për sjelljet e zyrtarëve të saj.
Politika kosovare nuk ka nevojë për muskuj, as për përplasje që e degradojnë atë edhe më shumë. Por ka nevojë për ide, alternativa e zgjidhje kreative.
Është e dëmshme që edhe më tej të vazhdohet me qasje që mund t’i ngop apetitet e dikujt dhe t’ia sjell një grusht vota më shumë. Dhe nuk është fort punë e mençur që, në vend të ideve e alternativave qeverisëse, të prodhohen figura për “beteja me të fortët” – qoftë edhe vetëm sa për ekzaltim partiak.


