Eko Higjiena

Pse nuk u promovua libri: “Portrete shkrimtarësh” nga Demir Behluli?!

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – In memoriam: Demir Behluli (10 shkurt 1938 – 4 maj 2018). Thonë, e vërteta, edhe nëse vonohet, ajo një ditë del në shesh. Në shesh doli, më në fund, edhe “odisejada” e librit të Demir Behlulit “Portrete shkrimtarësh”, i cili libër u botua në Prishtinë, më 2002. Por, si e pa dritën e botimi ky libër? Kjo është e rëndësishme. E rëndësishme është për faktin se, për ta botuar një libër një autor, është dashur të pyetet apo t’i nënshtrohet ndonjë ndonjë alamet “krijuesi”. Dhe, në vitin 1978, kur në Gjilan mbaheshin “Takimet e vendlindjes”, e që në kuadër të këtij manifestimi kulturor u organizoheshin orë letrare nëpër shkolla, fabrika, fshatra, çerdhe fëmijësh, spitale etj., dhe, në fund mbahej Ora e Madhe Letrare.

Atëkohë, poeti ynë i mirënjohur për fëmijë, Ali Huruglica, tash i ndjerë, një njeri me plot ide dhe risi jete, e mendoi mirë që, në kuadrin e manifestimit në fjalë të bashkëbisesojë me Demir Behlulin, piktor, tash i ndjerë, në mënyrë që në manifestimin e ardhshëm 1979, të organizohet edhe një Mini Panair i Librit me shkrimtarët e vendlindjes, ku pos librit të ekspozuar, të vizatohen edhe portretet e shkrimtarëve tanë të Kosovës. Ishte një ide e qëlluar dhe me vend. Sepse, me këtë “punë” do të begatohej manifestimi në fjalë, i cili do ta ketë edhe vlerën më të lartë artistike. Këtë ide, të Ali Huruglicës, e ka përkrahur edhe Demir Behluli, tash i ndjerë, dhe, pa hezitim ia ka hyrë punës plot me zell në pikturimin e portreteve të shkrimtarëve tanë. Por, absurdi tjetër ndodh që, këtë ide të poetit tonë nuk e pranojnë disa nga shkrimtarët e “mëdhenj”, të cilët heshtur apo edhe me zërin “kryengritës”, kishin shtuar se, “nuk mund të ekspozohet portreti i një krijuesi të “madh” me atë të ”voglin”!

Demir Behluli nuk ia ven veshin këtyre “marifeteve” të kaluareve. Ai e vazhdoi punën e tij prej piktori me penel në dorë. Për këtë “punë” të rëndësishme kishte dëgjuar edhe prozatori, Nebil Duraku, i cili ato ditë e kishte përgatitur librin e tij monografik “Shkrimtarët e Kosovës ‘43-‘83”. Ky libër doli nga shtypi në vitin 1984. Dhe, duke dëgjuar për punën e D. Behlulit, se i është ndalë botimi i librit, ai një ditë e kishte ftuar piktorin gjilanas për të biseduar rreth punës së tij. Kjo bisedë pati sukses në mes të dy krijuesve: i pari prozator dhe i dyti piktor e krijues arti.

Dhe, nga te dy palët rrodhi ideja që në librin e D. Behlulit të futen portretet e vizatuara me laps në vend të fotografive. Ishte kjo një ide e mrekullueshme, ku, si është vlerësuar nga disa, do të dilte një libër interesant dhe më i veçantë prej të tjerëve. Demir Behluli mori listën e shkrimtarëve dhe i siguroi fotografitë e të gjithëve shkrimtarëve, por me një vështirësi të madhe. Pse ishte kjo një punë e rëndë? E rëndë ishte, për faktin se, në listën e përgatitur pati edhe shkrimtarë të vdekur, por edhe të mërguar në botën e jashtme.

Më në fund, fotografitë u siguruan dhe, D. Behluli i punoi të gjithë (195) me laps në një format 35×50 cm. Por, çka ngjau më vonë?! Këtu është absurdi i njerëzve tanë zemërngushtë, të cilët e kanë ndaluar “lindjen” e librit të autorit në fjalë. Dikujt i shkoi mendja se, me mundin e dikujt (!), jo vetëm ta njollosë e ta zvarrisë botimin, por edhe të bëjë një “lojë” të fëlliqtë. Kur libri përgatitet për shtyp dhe bëhet përkujdesja artistike e teknike e librit, njëri nga krijuesit e “mëdhenj” (!) nuk lejoi të futen vizatimet, por vetëm fotografitë!

KKVITI

Nebil Duraku , autor, duke parë këtë “lojë” jo të mirë të dikujt, ai e fton përsëri autorin e vizatimeve dhe bisedon për vështirësitë e “lindjes” së librit, i cili pengohet nga “mamia” që nuk e dëshiron një lindje të tillë normale. Atëherë, autori i portreteve dhe N. Duraku, u gjenden tek redaktori teknik e artistik, i cili “redaktor” kryeneç, në atë kohë punonte në Galerinë e Arteve në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Ja si është zhvilluar biseda rreth libri në fjalë: -D. Behluli: “Pse nuk mundet të dali libri im kështu? – Redaktori: “Janë forma të mëdha dhe s’ka mundësi të zvogëlohen!” – D. Behluli: “Ato mund të zvogëlohen pa vështirësi. Unë e punoj këtë punë në Kombinat…” – Redaktori:”Nuk mund të bëhen klishetë se janë me laps e jo me tush”! – D. Behluli: “O, kjo punë është imja. Sa e sa reproduksione të piktorëve të mëdhenj janë bërë që nga Renesansa e gjer më tash. Kemi sot libra të ndryshëm janë të botuara e janë punuar me laps…” – Redaktori: “Po, kjo “punë” bëhet vetëm nëse pajtohesh të shënohet në libër “Portret i vizatoi Dmeri Behluli nën mbikëqyrjen e Redaktorit teknik dhe artistik…”(!) – D. Behluli: “Unë jam profesionalist dhe nuk jam student i Juaji…!” _Redaktori: “Unë jam përgjegjës për librin dhe nuk lejoj assesi të botohet ky libër “Portret shkrimtarësh”!

Autori, D. Behluli, ra para një dileme të madhe: çka më tutje? Dështoi një ide shumë e pritur dhe e punuar me përkushtim. Dhe, në vitin 1986, D. Behluli ia hyri punës në përgatitjen e një projekti tjetër. Ai i reprodukoi disa portrete shkrimtarësh me dimensione 1/l, e nën to shënoi veprat e autorit. Këtë projekt e titulloi :”Album biobibliografik”, të cilin ia dorëzoi SHSHT dhe Entit të Teksteve në Prishtinë, që të botohet si libër me interes shkollor, por gjithnjë duke hequr dorë nga çdo e mirë materiale. Edhe kjo ide e tij hasi në vesh të shurdhër!

Autori i librit “Portrete shkrimtarësh” ra përsëri në hall të madh para një pune të tij shumë me interes për të gjithë. Por, ai vazhdoi punën e tij me plot përkushtim e zell ndaj arit. E bëri lidhjen e një libri unikat me kore (kopertina) të trasha me madhësi prej 35×50 cm.

Këtë libër ia dhuroi Institutit Albanologjik në Prishtinë. Këtu janë portretet e autorëve vetëm shqiptarë. Instituti në fjalë e ruajti këtë libër me portrete me një fanatizëm. Një ditë prej ditësh të vitit 2000, Demir Behluli, i kërkoi këto portrete shkrimtarësh për t’i fotografuar dhe për të provuar tash të botojë një libër të posaçëm pas 20 vjetësh! Për këtë ide, ai u konsultua me kryetarin e LSHK, Tahir Deskun. Ai e ka pranuar këtë ide dhe autorit ia jep listën e re të anëtarëve të LSHK së vitit 1984, do të thotë, vitit 1943-2002. Demiri e pranoi që libri i tij në fjalë të dalë nga botimi në vitin 2002. Libri “lindi” (u botua), por “kumbarë” nuk iu bë askush! Pra, ngeli pa promovimin e tij as nga ana e Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, edhe pse, siç dihet, si botues figurojnë ata dhe, po ata e kanë përcaktuar listën se kush do të ketë vend në këtë libër të D. Behlulit.

Demiri e vazhdoi punën gjer në fund. Libri u shpërnda nëpër biblioteka dhe, 251 portrete origjinale i lidhi autori në dy libra unikat me gjatësi prej 60×75 cm, ku ia dhuroi Bibliotekës Ndërkomunale “Fan S. Noli” në Gjilan. Kjo është një vepër kolosale dhe shumë me interes për të gjithë artdashësit e krijuesit tanë. Por, “loja” rreth botimit të librit ishte një “lojë” jo e mirë e një kohe, e cila “kohë” nuk mbeti aty ku ishte dje, por ajo vazhdoi të jetë kohë e sotme, kohë tjetër, pa kryeneçësi e pa nënshtrime, por me ecje jete arti…/tefik selimi/rajonipress/