KKVITI

Recension, aty ku ruhet tradita autoktone

/ 8 minuta lexim
Hidromorava

Nga Ajete Zogaj – Frrok M. Kristaj, “Veshjet në Zym të Hasit” botoi Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi” Zym – Has, 2017.

Gjurmëve të një qytetërimi. Të gjithë popujt i kanë shenjat dalluese, apo ndryshe simbolet e veta të cilat i kanë përcjell gjatë zhvillimit të tyre historik. Edhe populli ynë, gjatë historisë së tij, pati shenjat apo simbolet e veta, të cilat e dalluan prej popujve e kombeve të tjera, e që u ruajtën e u përcollën me fanatizëm ndër breza.

Veçmas, është populli shqiptar që u shqua për një qytetërim të lashtë, për gjuhën e vjetër shqipe simëmë të shumë gjuhëve ballanike, për kulturën, traditën, doket e zakonet, veçori këto që nuk i patën të tjerët, për çka na kishin zili…

Është një lokalitet i vogël në një cep të Kosovës, me një reliev të mrekullueshëm natyror, e me një kulturë të lashtë që ruhet, trashëgohet e kultivohet…

Është Zymi i Hasit, vend ku zhvilluan aktivitete atdhetare figura të shquara të kombit tonë, vend ku ruhen zakonet autoktone, vend i veshjeve karakteristike që nuk i kanë të tjerët….vend i zejes së bukëpjekësit, vend i shumë ngjarjeve e aktiviteteve kulturore…

Koloriti i traditës në faqet e librit

Që të ruhen këto tradita, e të kultivohen tek gjeneratat e reja, duhej punë e angazhim. Duhej studim e hulumtim.
Është aktivisti i kësaj ane, Frrok M. Kristaj, që një jetë të tërë ia kushtoi vlerave të trashëgimisë së lokalitetit të Hasit, përkatësisht Zymit, vendlindjes së tij, qoftë në edukimin e brezave të reja, qoftë si gazetar e autor i shumë librave, apo edhe si organizator i shumë aktiviteteve kulturore, historike (simpoziumeve shkencore), etj, që lidhen me Hasin, me Zymin që ndryshe për nga veçoritë që ka e quajnë edhe “Roma e vogël”.

Pjesë e këtij angazhimi të palodhur është edhe botimi i monografisë “Veshjet në Zym të Hasit” botuar nga Sh.Sh. “Shtjefën Gjeçovi” Zym – Has, 2017, monografi kjo, e cila që nga kopertina e deri në faqen e fundit të saj, të shpalos një kolorit të mrekullueshëm; vajzat e bukura me veshje kombëtare, nuset e gratë punëtore që ruajnë me fanatizëm veshjet edhe sot. Burrat punëtorë e zanatlinj të bukëpjekësit, zanat ky që e përhapen në shumë vende të Botës, që nga Amerika e Zelanda e Re, deri te shtëpitë e bukura të ndërtuara në vendlindjen e tyre në Zym, për të treguar se edhe pse gurbetçarë, në vendlindje kanë mendjen dhe zemrën, atje duan t’i kenë edhe varret…

Libri hapet me fjalën hyrëse të autorit Frrok M. Kristaj “Veshjet e zymianëve – pasuri kombëtare”, kurse në 140 faqe tekst sa ka kjo monografi, lexuesi ka mundësi të mësojë historinë e këtij lokaliteti (Zymit) në kapitullin “Krahina e Hasit” ku jepet një përshkrim historiko- demografik i këtij lokaliteti, duke filluar nga etimologjia e emrit Zym, “Sumbi përmendet në hartën “Carta della Grecia di Nicola Sofiano” (Veneci, 1566) dhe në hartën e Coromelit të vitit 1688, ku shkruhej Sumbi, kurse Matej Mazreku, në vitin 1760, e shkruan Symbi. Zymi, i quajtur edhe Zyma, njihet edhe nga një vendbanim dardan i kohës së hekurit…” (citat nga libri fq.10).

Në këtë monografi, autori Frrok M. Kristaj, lexuesit i shpalos një lëndë të pasur për ta njohur këtë lokalitet (Zymin) me të dhëna të shumta arkivore, burime të shumta historike, materiale dhe literaturë të begatë e cila këtë monografi etnografike e bënë edhe më të plotë dhe më përmbajtësore.

Mobi Casa

Vend të veçantë zë shkollimi, e që nga hulumtimet e autorit daton para vitit 1600, ku sipas françeskanit Pali i Hasit (Pal Hasi), pastaj Ndre Bogdani, si dhe një plejadë e tërë veprimtarësh që vepruan e shërbyen në këtë lokalitet si: Bogdanët nga Gjinani, Pal Lumezi, Pjetër Nikë Dilë Koldoçi, Lazër Lumezi – Shkollari, Shtjefën Gjeçovi, pastaj Atë Luigj Palaj i varrosur në Shëngjergj afër Zymit etj.

Kur jemi te shkollimi, autori në monografi na sjell edhe një element shumë interesantë, madje të veçantë e të vetmin që nuk e ka asnjë vendbanim i Kosovës: Zymi kishte që moti Abetaren e vet, që ndryshe quhet edhe Abetarja e Zymit e cila daton më 20 maj 1900 sipas një burimi arkivor të Arkivit Qendror të Shqipërisë. Ajo që duhet përmendur është edhe jeta kulturore shumë e begatë e këtij lokaliteti, e që autori e ka pasqyruar mjaft bindshëm e me fakte të shumta, si: AEK “Katarina Josipi” Shoqata e Shkrimtarëve “Shtjefën Gjeçovi”, Shtëpinë e Kulturës, Bibliotekën “Pjetër Bogdani”, qendrën kulturore “Atë Shtjefën Gjeçovi”, Muzeun e fshatit, muzeun privat të Zef B. Kajtazit në Shëngjergj, etj. Po ashtu, vlenë të përmendet edhe manifestimi tradicional “Takimet e Gjeçovit”, që mbahet tash e 47 vjet me radhë e pa asnjë ndërprerje.

Është shumë kuptimplotë citati i vënë në kapitullin e librit “Veshjet në Zym të Hasit” e që është edhe titulli i kësaj monografie, “Shqiptarët me kostumet e tyre bëjnë një nga pamjet më të mrekullueshme në botë, ata janë raca njerëzore më e bukur që ekziston” – George Gordan Byron” (faqe 18).

Autori me argumente të shumta nxjerr konstatimet se veshjet e Zymit të Hasit janë veshje autoktone e karakteristike e zymjanëve të cilat dallohen për koloritin e ngjyrave, zbukurimet e ndryshme, motivet e ndryshme, etj, ku veçohen rojësat e shtëpisë (figura e gjarprit veçori e veshjes së Zymit), motivet floreale, si: lulet, frutat bimore, etj. Madje autori e cilëson këtë veshje si ‘Kjo veshje iliro (dardane )- arbërore është shumë impresionuese në aspektin vizual, artistik e strukturor, morfologjik e funksional” (fq. 21).

Gjithashtu, autori në monografi me fakte, foto e ilustrime të shumta, ka dhënë llojet e ndryshme të veshjeve (Variantet e veshjeve), veshatoret, paja (ose çejzi), veglat e punës dhe materialet, veshjet e meshkujve, veshjet e femrave, pastaj mënyra e rregullimit të kokës, pjesët e veshjeve, dallimet e veshjeve sipas besimeve (katolikë e myslimanë), aksesoret, veku, djepi, shtrati, oda e burrave, ngjashmëritë me veshjen e Zadrimës, etj.
Kapituj mjaft reprezentativ janë edhe kapitujt: “Afirmimi i veshjes së Zymit” ku autori veçon angazhimet e tij si gazetar, por edhe të veprimtarëve të tjerë që këto veshje unikate të prezantohen edhe përtej vendbanimit ku ruhen dhe kultivohen edhe sot e kësaj dite. Autori me fakte bindëse, shpalos para lexuesit, ekspozimin e këtyre veshjeve në ekspozitat ndërkombëtare si: Oxford (Angli), Los – Angeles (SHBA), Vjenë (Austri), Hamburg (Gjermani) e në shumë qendra të tjera të botës, ku artdashësit ishin mahnitur me këtë veshje të mrekullueshme, madje, edhe skulptori i mirënjohur kosovar në Austri Destan Gashi ka bërë një cikël skulpturash të titulluar “Hasjanet” të ekspozuara në Vjenë, Prishtinë, Zym e gjetiu, kurse bashkëshortja e tij Barbara me koloritin e gjyrave në pikturë ka paraqitur artistikisht zymjanen.

Në foto të shumta të kësaj monografie, është paraqitur ‘rrugëtimi’ i kësaj veshje: Zymjanët në Vatikan, 1965 me veshje të Zymit deri në shenjtërimin e Shën Nënë Terezës në Romë në vitin 2016! Të mos flasim, për festivale të shumta vendore e ndërkombëtare të cilat me fotot e materiale të shumta me shumë elegancë janë prezatur në faqet e këtij librit!

Libri përmbyllet me shkrimin “Veshjet e Zymit- atraktive për turizin kulturor” për t’u përmbyllur me Pasthënien e përkthyer në gjuhën angleze dhe gjermane.

Një monografi që duhet të përkthehet në gjuhë të huaja

Monografia “Veshjet në Zym të Hasit” është një monografi sa e veçantë po aq sa me vlera shumë dimensionale: Në monografi, janë gërshetuar dhe bashkëudhëtojnë: historia, etnografia, gjuhësia, tradita e lashtë, kultura… Të gjitha këto, janë trajtuar me shumë kujdes, në çdo faqe të kësaj monografie, që nga mënyra e trajtimit të burimeve e literaturës, fakteve e dëshmive, veshjeve me të gjitha elementet, si dhe reprezentimi i tyre në vende të shumta botërore. Mbase, ruajtja e traditës, që nga veshjet, deri të aktivitet e shumta kulturore e artistike të një lokaliteti të vogël por me një kulturë të begatë, ja vlen të përkthehet edhe në gjuhë të huaja, si një shembull unikat, se si një vendbanim i vogël, kultivon traditat kombëtare!

Ky libër,është një thesar i çmuar jo vetëm për kulturën shqiptare, por si i përkthyer, do t’i shërbente lexuesit të fushave të ndryshme që trajtohen në të, ngase, se ky është vetëm një pjesë e kulturës së një fshati të vogël të Kosovës që ‘flet’ shumë…/rajonipress/