ARKATANA

Pushtetarët e Kosovës, në dorën e Vuçiqit

/ 14 minuta lexim
Eco Higjiena

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në takimin e fundit të ditës së djeshme, ka marrë vendim që të mbahen edhe dy seanca të radhës gjatë kësaj jave, me kërkesa të ndryshme të grupeve parlamentare dhe deputetëve, por në këtë javë nuk ka paraparë që të mbahet edhe seanca e jashtëzakonshme për ratifikimin e marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Mirëpo, analistët politikë presin që sidomos tani, pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, edhe seanca për Demarkacionin të mbahet më së largu deri kah mesi i javës së ardhshme.

Sipas tyre, e dëshirueshme dhe në interes nacional do të ishte që demarkacioni të kalojë me votat e shumicës shqiptare dhe subjekteve të tjera politike nga komuniteti joserb, lojal ndaj shtetit të Kosovës, pasi të jenë bërë edhe korrigjimet paraprake të gabimeve dhe të mos varet nga “pazari” me Listën Serbe të Vuçiqit ,që në emër të votës për Demarkacion t`ua pranojnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, siç po e kërkon Aleksandar Vuçiq.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për “Kosova Sot” se ekzistojnë mjaft argumente publike sipas së cilave mund të konstatohet që partitë në pushtet qëllimshëm janë duke bërë pazare me “Listën Serbe” në dëm të interesave të shtetit dhe këtë madje e ka konfirmuar edhe vetë zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i jashtëm, Behgjet Pacolli.”Është konstatuar para një jave, mu në kohën kur ishte çështja e Demarkacionit, fakti se Lista Serbe është baza e votimit dhe për këtë e kemi pasur deklaratën e z. Pacolli, i cili, duke diskutuar për Demarkacionin, pati deklaruar: Edhe kjo listë do të votojë Demarkacionin”. Ky deklarim flet se pushteti aktual ka bërë dhe po bën kompromise të dhimbshme me shtetin serb në dëm të Kosovës. Kur e them këtë mendoj në e dy çështje që janë: 1. Themelimi i dy komunave të reja serbe në Kosovë dhe 2. Formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Të dy këto vendime- kompromise, nëse realizohen, janë shumë të dëmshme dhe e shkatërrojnë tërësinë territoriale dhe integritetin shtetëror të vendit”, u shpreh ai.

Kelmendi: Takimet në vazhdimësi dhe të fshehta midis Thaçit dhe Vuçiqit

Sipas tij, për bisedimet për ndarje edhe gazeta ‘The Guardian” në artikullin kushtuar Kosovës shkroi se bisedimet po zhvillohen në mes Thaçit dhe Vuçiqit. “Janë disa elemente që tregojnë këtë: 1. Informimi i gazetave ndërkombëtare për ndarjen e Kosovës midis shtetit serb dhe kujt nuk dihet, sepse nuk theksohet shteti ku do të bashkohet Kosova e mbetur. 2. Mosinjorimi i të dhënave të tilla nga Prishtina dhe nga Beogradi dhe 3. Takimet në vazhdimësi dhe të fshehta midis Thaçit dhe Vuçiqit. Tash së fundi edhe në Sofje. Faktet e tilla janë domethënëse në çështjen që po diskutohet. Por, pavarësisht diskutimeve, duket se Thaçi duke rënë nën ndikimin e veprimtarive të veta kriminale është në gjendje ta aprovojë çdo veprim qoftë edhe në dëm të shtetit të Kosovës, edhe pse këto zgjidhje janë tepër të rrezikshme”, tha më tutje Kelmendi.”Unë nuk mendoj se populli do të pranojë këtë ndarje, pavarësisht pse përmendet me ndarje, pranimi gjoja i Kosovës në OKB. Po çka nëse pranohet në OKB Kosova pa 30% të territorit?! Kosova pa Mitrovicë dhe pa shumë territore tjera brenda vendit! Kosova nuk është Kosovë. Kjo nuk duhet të lejohet dhe nuk duhet të pranohet. Thaçi duhet ta dijë se Kosova ka zot të vetin”, potencoi ai.

KELMENDI: THAÇI ËSHTË SHKATËRRIMTARI I REPUBLIKËS!

Sipas Muhamet Kelmendit, Asociacioni ndikon në ndarjen e hapësirës territoriale të Republikës dhe të territoreve shqiptare, duke i bërë të paafta në funksionim dhe kjo e ngrit edhe pretendimin territorial të shtetit serb mbi viset e veçanta të Kosovës ose mbi tërë shtetin tonë.”Në këtë anë presidenti shovinist serb, Aleksandar Vuçiq, veç i ka paraqitur kërkesat e shtetit serb. Ai kudo po kërkon ndarjen ose ripushtimin e Republikës. Madje për këtë edhe po diskutojnë me z.Thaçi, në mënyrë që Kosovën ta ndajnë ose të gjejnë zgjidhje jashtë statusit të shtetit. Diskutimet e tilla po bëhen midis dy personave shumë të dëmshëm për Kosovën, për faktin se z.Thaçi është shkatërrimtari i vetë Republikës. Me dhjetëra akte dhe veprime që e shkatërrojnë shtetin veç i ka ndërmarrë vetë Hashim Thaçi në bashkëpunim dhe në ndikim të Aleksandar Vuçiqit”, ka pohuar Kelmendi.

Kushtëzimet e rrezikshme të Listës

“Treshja Aleksandar Vuçiq, Edvin Kristaq Rama dhe Hashim Thaçi janë duke bërë pazare fshehurazi për ndarje të Kosovës ose ndërrim territoresh”, tha Reshat Badallaj për “Kosova Sot”

Sipas analistit Reshat Badallaj, pazaret po vijnë si një rrezik mjaft serioz.”Kjo ka të ngjarë se mund të ndodhë për arsye se kanë filluar pazare të pista, kanë filluar për t´i blerë njerëzit. Por, zgjidhje fatlume për Demarkacionin nuk do të ketë. Janë futur në lojëra të pista dhe se kjo do t´i kushtojë Kosovës shumë, sepse Lista Serbe, që në fillim do të vërë kushte dhe këto kushte janë të porositura nga Beogradi. Dhe tjetra, po nuk kaloi edhe këtyre herëve ka të ngjarë po ashtu se edhe Qeveria të shembet si të mos kishte qenë fare. Pra, pazari do jetë: ne votojmë Demarkacionin dhe ju do na pranoni Asociacionin. Pra, këtu Lista Serbe do ia zë bishtin me derë Kosovës dhe pastaj do të dalin edhe bishta tjerë në këto pazare të pista”, u shpreh ai. “Bandat tona politike që nga majat e larta shtetërore janë treguar shumë të dobët karshi politikës së Bashkimit Evropian dhe politikës fashiste serbe. Këto banda tona nuk bëjnë asgjë tjetër pos amin!”, theksoi Badallaj për “Kosova Sot”.

“Ky modalitet i rrezikshëm parasheh që veriu Kosovës t’i bashkohet Serbisë në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB. Pasi kjo filloi të diskutohej fshehurazi nga treshja Vuçiq, Thaçi, Rama, të cilët fshehurazi hynë në ri dizajnimin e territoreve, kanë reaguar ashpër ambasadat e huaja, si ajo e Amerikës, sipas së cilës kjo ide do të sillte probleme të mëdha e kurrsesi paqe e stabilizim”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot”

FIDANISHTJA

Ndërsa analisti politik Bislim Aliu tha për ‘Kosova Sot’ se Parlamenti i Kosovës, sidomos kësaj radhe, duhet të jetë unik në ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi dhe të tejkalohet kjo bllokadë që po u bëhet padrejtësisht shtetit dhe qytetarëve. “Pra, t’i lënë ndasitë individuale e partiake dhe të mendojnë më tepër për shtetin dhe popullin e saj. Vetëm uniteti i partive tona do ta shpëtojë shtetin dhe perspektivën e saj. Boll më me marrëzira që po bëhen në Parlament dhe populli nuk do t’i durojë më. Kurrfarë “pazaresh” me Listën Serbe të Vuçiqit nuk duhen të bëhen meqë gjithherë kërkojnë kushtëzime. Asociacioni i komunave serbe duhet të bëhet vetëm siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe assesi siç po e kërkon Serbia e Vuçiqit”, theksoi ai. “Qeveria jonë dhe institucionet e tjera të Kosovës, fjalët e Vuçiqit po i respektojnë më tepër sesa që duhet. Dhe nëse Asociacioni formohet siç po kërkon Vuçiqi, atëherë pra ai do të jetë SHEF I SHEFAVE, e presidenti Thaçi do të jetë tërësisht i varur prej tij. Përafrimi i Thaçit dhe i Vuçiqit po bëhet vazhdimisht përmes agjentëve të Stanishiqit në Prishtinë dhe mu për këtë ideja për ndarjen e Kosovës do të jetë temë e bisedimeve në tryezën e tyre! Për këtë ndarje të Kosovës ka shkruar edhe gazeta britanike “The Guardian”, e cila e potencoi se është në tryezën e bisedimeve”, tha Aliu për “Kosova Sot”.

Liderët përafrojnë qëndrimet përmes agjentëve

Me rrezik serioz për fatin e shtetit të Kosovës i sheh pazaret eventuale me Listën Serbe edhe analisti Ali Hertica. Ai thotë se gjasat janë reale që fillimi i javës së dytë të marsit të jetë një javë tejet dinamike dhe e nxehtë, ku çdo gjë mund të jetë edhe vendimtare për politikën e shtetit të Kosovës.”Deklarimet e shpeshta që kanë arritur në mediet prestigjioze ndërkombëtare për mundësinë e negocimit të Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit në Sofje të Bullgarisë për ndarjen e Kosovës, siç po shihet ka një lloj paniku te liderët në fjalë. Liderët politikë thuajse po rrinë larg njëri-tjetrit, pas të gjitha thashethemeve për fajësimet e bëra se janë duke bërë plane që ta copëtojnë Kosovën, që është diçka e pakuptimtë dhe jo patriotike”, tha Hertica për “Kosova Sot”.

“Kjo është ide e rrezikshme për Kosovën, opsioni i ndarjes, sikurse edhe asociacioni me kompetenca ekzekutive, me të cilat pushtetarët e inkriminuar po bëjnë pazare për interesa personale, për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale, ata po e pranojnë edhe kthimin e Serbisë në Kosovë, madje me të dyja këmbët”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”

Javë vendimtare mund të jetë mesi i javës që vjen, për temat e nxehta edhe pazaret e dëmshme me Listën Serbe edhe sipas analistit Ragip Guraziu. “Është reale të pritet tani, pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, që edhe seanca për Demarkacionin të mbahet kah mesi i javës së ardhshme, e ku pritet që pushtetarët tonë do të bëjnë “pazarin” me Listën Serbe të Vuçiqit ,që në emër të votës për Demarkacion t`ua pranojnë Asociacionin me kompetenca ekzekutive, siç po e kërkon Aleksandar Vuçiqi. Me këtë akt, nëse eventualisht ndodh, realisht Aleksandar Vuçiqi do të jetë “president” i fuqishëm, ndonëse nën hije edhe i Kosovës, pasi që ai do t’i ketë grusht institucionet e Kosovës, edhe Qeverinë përmes Listës Serbe, por në rast të krijimit të Asociacionit të komunave siç e kërkon ai, do të thotë që do të jetë SHEF I SHEFAVE dhe pastaj edhe Hashim Thaçi do të jetë nën të”, u shpreh ai.”Deri më tani me bazë po dyshohet se me kalimin e kohës i kanë përafruar interesat e tyre Vuçiqi me Thaçin, përmes agjentëve të Stanishiqit në Prishtinë, saqë edhe ideja për ndarjen e Kosovës është temë e tryezës së tyre të bisedimeve”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

“Edhe përgjatë ceremonive kushtuar 10- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së shtetit tonë të ri vazhduan bisedimet e fshehta ndërmjet Thaçit e Vuçiqit, të iniciuara nga një ‘mësit’ kontrovers si Edi Rama për ndarjen e Kosovës”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”

Kurse analisti politik Gani Qarri konsideron se presionet ndaj të deleguarve të popullit për votimin me detyrim të Demarkacionit, janë bërë të bezdisshme dhe nuk kanë më asnjë kuptim. “Komisioni i ri shtetëror gjeti lëshimet e komisionit të mëparshëm dhe vërtetoi me fakte se vendi humb territor. Këto gjetje dhe raporti i fundit i ekspertëve faktikisht quan në nënshkrimin e një marrëveshje të re ndërmjet të dy shteteve. Nuk është e pranueshme vënia në siklet kaq të madh e deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të kalojnë mbi vetveten dhe zgjedhin me vendim të prerë ndërmjet integritetit territorial të Kosovës dhe liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit, vendim që pa dëshirën e tyre do t’i vishte me fajësi të përjetshme, nga e cila ata nuk do të mund të lirohen kurrë”, u shpreh ai.”Para presionit partiak e politik, që deputetët të votojnë edhe kundër vullnetit të tyre, përkundër dyshimit se vendi do të humbë 8200 hektarë tokë, shkelet Kushtetuta dhe betimi i deputetit, le të korrigjohet paraprakisht vija e kontestuar kufitare në vendet e apostrofuara si në Çakorr e Kullë, e pastaj të ftohen deputetët për votim, ngase vetëm pas kësaj të gjithë do të ndihen të sigurt dhe nuk ngel më asnjë pengesë që shumica e tyre të votojnë pro Demarkacionit”, tha Qarri për “Kosova Sot”. Edhe ai dyshon që në mjegullën e krijuar politike për Demarkacionin dhe Asociacionin po fshihet opsioni i ndarjes.

ZEQA:PUSHTETARËT E INKRIMINUAR PËR T’I SHPËTUAR GJYKATËS SPECIALE JANË TË GATSHËM TË PRANOJNË KTHIMIN E SERBISË NË KOSOVË ME TË DYJA KËMBËT!

“Në rast të krijimit të Asociacionit të Komunave, siç e kërkon Vuçiqi, do të thotë që ai do të jetë SHEF I SHEFAVE, ndërsa Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj do të mbeten vartës të tij në cilësinë e presidentit, gjegjësisht kryeministrit të Kosovës të varur nga Serbia!”, u shpreh analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Analisti politik Florim Zeqa vlerëson se kjo javë apo edhe mesi i javës tjetër do të jetë finalja e (mos) zgjidhjes së nyjës së Demarkacionit në Parlamentin e Kosovës, sepse zgjidhja e vetme e pushtetarëve të korruptuar kosovarë për mbajtjen e pushtetit do të jetë “pazari” me Listën Serbe të Vuçiqit, në emër të votës për Demarkacion, gjegjësisht t’ia pranojnë Vuçiqit Asociacionin me kompetenca ekzekutive. Sipas analistit Zeqa, kjo është mundësia e vetme e kalimit të Demarkacionit me Malin e Zi në Kuvendin e Republikës së Kosovës.”Nëse ndodh kjo, atëherë realisht Aleksandar Vuçiqi bëhet “president” nën hije edhe i Kosovës, pasi që ai i ka në grusht të gjitha institucionet e shtetit, përfshirë edhe qeverinë përmes Listës Serbe. Në rast të krijimit të asociacionit të komunave siç e kërkon Vuçiqi, do të thotë që ai do të jetë SHEF I SHEFAVE, ndërsa Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj do të mbeten vartës të tij, në cilësinë e presidentit, gjegjësisht kryeministrit të Kosovës të varur nga Serbia! Nuk ka si të jetë ndryshe, kur opsioni i ndarjes dhe Asociacioni me kompetenca ekzekutive tashmë është në tavolinën e bisedimeve mes treshes Aleksandar Vuçiq, Hashim Thaçi dhe Edi Rama, ku pushtetarët e inkriminuar shqiptarë për t’i shpëtuar Gjykatës Speciale janë të gatshëm të pranojnë kthimin e Serbisë në Kosovë me të dyja këmbët, siç ishte deri në qershorin e vitit 1999!”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot”. Ai po ashtu rikujton se edhe sipas gazetës “The Guardian” ideja e dhënies së veriut Serbisë në këmbim të ulëses së Kosovës në OKB do të ishte modalitet i rrezikshëm për paqen në Ballkan, pasi një ide e tillë do të sillte probleme të mëdha, e jo paqe në rajonin e trazuar të Ballkanit, për çka mjafton një shkëndijë e vogël për shpërthimin e një konflikti të hapur ndëretnik, flakët e të cilit do të përhapen përtej kufijve ballkanikë! Mirëpo, analisti Zeqa thotë se shpresa për parandalimin e këtij plani famëkeq mbetet në radhë të parë tek SHBA-ja, pastaj edhe te shtetet e QUINT-it, për çka një konflikt i përmasave të tilla do të rrezikonte interesat strategjike edhe të BE-së në përgjithësi!

(Kosova Sot)