Fundamenti

Halim Jetishi, një personazh i një kohe…

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Quhet: Halim Jetishi, tash banor i Gjilanit. Është i lindur në vitin 1949 në fshatin Çelik, Malësia e Karadakut. Halim tash e 58 vjet jeton në Gjilan. Ai, në një kohë ishte nxënës i Shkollës fillore “Bashkimi”, tash “Agim Ramadani” në Zhegër. Këtu kreu gjashtë klasë të fillores. Gjer në shkollën e Zhegrës, udhëtoi nga dhjetëra kilometra në ditë. Por, pas kësaj kohe, ate e shohim me familje të vendosur në Gjilan. Ishin këto vitet 1953 e më vonë. Pas kësaj kohe, ai vazhdoi mësimet tjera të rregullta në Shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan. Jo vetëm kaq.

Babai i tij, Milaimi Çeliku, atë kohë ishte drejtor në Kooperativën Bujqësore në Zhegër. Ai ishte njeri komunikativ dhe bashkëpunues me qytetarë e këtij lokaliteti. Por, ja jeta, atë e detyroi të shpërngulet nga Çeliku në Gjilan. E, djali i tij, Halimi, pas kryerjes së shkollës fillore, punoi 20 vjet si vozitës (shofer) në komunë, ndërsa edhe 20 vjet të tjera i kaloi si shofer në “Kosova-Trans” të Gjilanit.

Ky njeri, që tash flet hapur, është një personazh në vete i një kohe. Pse jo? Jetoi e bashkëveproi në komunë si shofer me vozitësin Gjoka, nga Cërnica. Ai (Gjoka), një ditë prej ditëve, kur i bie rasti të shetisin kah kazermat ushtarake të ish-Jugosllavisë, këtu në Gjilan, i drejtohet Halim Jetishit me këto fjalë: “Halim, shoku im i punës, po ta bëj sot me dije se, këtu ku i ke këmbët tua, hec gjer tek teli 14 hapa, këtu janë eshtrat e Hasan Alisë dhe të tjerëve të vrarë. Prej kantinës i ka 54 hapa. Unë me sy i ka parë se këtu i kanë varrosur eshtrat e tyre që të mos zbulohen përgjithmonë”.

Halim Jetishi, tash në pension, tha edhe këtë se, Gjoka ka pasur shumë besim në mua. Më tha, këto fjalë që po t’i them ty, mos i trego as babës tuaj, Milaimit. Ruaju se shkojmë te dy poshtë! Por, dije, do të vjen një kohë, e ajo po punon për ju, këto “sende” t’i mos i harro. Andaj, t’i e mbërrin dhe e zbardhë këtë fakt të pazbuluar gjer më tani!”

KKVITI

Pra, dëshmitarët mbajnë mend se si në tetorin e vitit 1951, trupat e grupit të Hasan Alisë janë ekspozuar për disa ditë te vendi i quajtur “Lama e millit”, sot shtëpia e mallrave në Gjilan, dhe pastaj trupat e tyre janë varrosur diku fshehurazi në periferi të qytetit, tash kazerma në fjalë në Gjilan.

E, sa herë vijnë përvjetorët e këtyre figurave të mëdha të kombit, familjarët e tyre, prej më shumë se gjysmë shekulli janë në kërkim të eshtrave të të afërmëve të tyre dhe vetëm pas 67-vjetësh kanë një vend që flitet se eshtrat e të afërmëve të tyre gjenden, ku mund të vendosin vetëm ndonjë lule tek vendi ku akoma nuk është zbuluar. Pra, e tëra kjo “ngjarje” atdhetare bazohet në dëshminë e qytetarit Halim Jetishi, nga fshati Çelik, tashmë banor i Gjilanit, por atë kohë ishte vozitës në Lidhjen Socialiste të Popullit Punonjës, gjatë viteve të shtatëdhjeta. Por, , si shton populli, e vërteta, ndonëse vonohet, ajo të dalë nga thellësia e tokës. Në anën tjetër, institucionet e shtetit të Kosovës e kanë për obligim ta gërmojnë këtë hapësirë dhe t`i nxjerrin eshtrat e Hasanit Remnikut dhe grupit në fjalë, të cilët dyshohet të jenë groposur në një thellësi të konsiderueshme dhe jo rastësisht, më vonë aty ishte ngritur një objekt ushtarak që edhe sot e kësaj dite ekziston.

Grupi i Hasan Alisë, Agush Hazirit nga Bresalci me bashkëshorten Qibrijen dhe Mustafë Rushitit-Koka me bashkëshorten Rabijen, llogariten rezistuesit e fundit të armatosur të Ballit Kombëtar ndaj pushtetit okupues jugosllav, nga i cili u likuiduan në vitin 1951, diku në pritë, ose në tradhti, të cilët, pak më vonë, të tillët i kanë ekspozuar para masës në Gjilan si të vrarë e të masakruar./tefik selimi/rajonipress/