United Hospital

NP-të, drejt falimentimit

/ 8 minuta lexim
FIDANISHTJA

Që nga pas lufta e deri më sot po vazhdon pandërprerë zhvatja deri në falimentim e ndërmarrjeve publike në Kosovë. Analistët dhe njohësit e kësaj fushe pyesin me të drejtë se përse asnjëra nga qeveritë e derisotme nuk denjoi që të rregullojë pagat zhvatëse dhe super të larta të bordeve dhe shefave të ndërmarrjeve publike me Ligjin mbi pagat.

Ata po ashtu e shtrojnë çështjen se përse Kuvendi, e as Qeveria, nuk u morën asnjëherë me hetimet e të gjithë tenderëve njëburimorë milionësh e dhjetëra-milionësh që u dhanë përmes këtyre ndërmarrjeve publike, por edhe me mënyrën se si u dhanë tenderët jashtëligjshëm në këto ndërmarrje publike. Ekonomisti dhe ish-deputeti i Kuvendit, Muhamet Mustafa tha për gazetën ” Kosova Sot” se e kemi pasur këtë situatë pasi deri vonë nuk ishin bërë ndryshimet në ligjin për menaxhimin e NP-ve dhe NSH-ve. “Me ndryshimet e bëra jam optimist se gjendja në NP-të tona do të ndryshojë për të mirë”, potencoi ai. Sipas Mustafës, në të ardhmen me këto ndryshime të bëra pritet që nga drejtuesit dhe anëtarët e bordeve të NP-ve do të ketë shumë më tepër përgjegjësi dhe llogaridhënie më të madhe në këto poste sesa që ka qenë deri më tani.

Politizimi i ndërmarrjeve

Hulumtuesi në organizatën” Çohu”, Besnik Boletini tha për “Kosova Sot”, se ndërmarrjet publike në Kosovë janë bërë çerdhe e punësimit dhe rehatimit të anëtarëve të partive politike. “Siç duket, ndërmarrjet publike janë pazare të bisedimeve mes partive politike që e krijojnë Qeverinë. Hulumtimi që e ka bërë Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr, e cila funksionon në kuadër të organizatës Çohu!, tregon me shifra për një shtrirje të madhe të punësimeve politike në ndërmarrje publike. Varësisht se cila parti vjen në pushtet e shtrin ndikimin edhe në ndërmarrje publike”, u shpreh ai. “Po i ceku disa të dhëna që i kemi nxjerrë nga hulumtimi. Në periudhën 2010 -2014 kemi identifikuar 84 zyrtarë që punojnë në ndërmarrje publike e që kanë lidhje me partitë politike. Nga ta 42 kanë pasur lidhje me PDKnë, ndërsa 22 me LDK-në dhe të tjerët kanë pasur lidhje me partitë e tjera. Por, në hulumtimin që e kemi publikuar tani rezulton se më ardhjen e LDK-së në Qeveri (2015-2016), kjo parti e ka rritur dukshëm numrin e anëtarëve të saj që janë të punësuar në ndërmarrje publike. Në vitet 2015- 2016 kemi identifikuar 35 zyrtarë të lartë që kanë lidhje me partitë politike. Nga ky numër 14 kanë lidhje me LDKnë, 13 me PDK-në dhe të tjerët me partitë e tjera. Jemi duke folur vetëm për lidhje direkte politike, do të thotë në këto shifra nuk janë përfshirë lidhjet e tjera, shembull nepotizmi. Pasi edhe nepotizmi është shumë i pranishëm në ndërmarrjet publike”, shpjegoi më tutje ai .

Zgjerimi i klientelës partiake

Analisti Boletini tha se vendosja e personave partiakë në krye të bordeve të ndërmarrjeve publike ndodh për shkak të dy interesave madhore të partive politike. “Së pari, kjo shërben si joshje apo shpërblim nga partia për anëtarët e saj. Së dyti, kjo shërben edhe për të afruar njerëz të tjerë në parti, pasi partia konsiderohet nga ato “që kryejnë punë për anëtarët dhe votuesit e saj”. Nga ana tjetër, vendosja e anëtarëve të partisë në borde drejtuese të ndërmarrjeve publike u jep fuqi partive politike që të ndikojnë në këto ndërmarrje për të shtyrë politikat e tyre, duke shtrirë patronazhin politik dhe duke realizuar interesat e tyre private dhe partiake”, theksoi ai. “Pra, partive u konvenon që të jenë ato rroga të larta, në mënyrë që të mbushin apetitet e anëtarëve të tyre, të cilët në shumë raste kanë edhe vende të tjera të punës”, tha Boletini.

“Duhet theksuar se shtrirja e punësimeve politike në ndërmarrje publike ka krijuar pasoja të shumta. Aty, përveç mbipunësimeve, vendosen edhe njerëz joprofesionistë, të cilët i kanë sjellë në falimentim disa nga ndërmarrjet. Shembull ‘Infrakosi’ duhet domosdo të subvencionohet nga Qeveria, përkatësisht nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Infrastrukturës, ndryshe nuk mund të vërë në funksion asnjë linjë hekurudhore”, shtoi ai. Sipas Boletinit, edhe raportet e auditimit kanë treguar në vazhdimësi ndër vite, se në ndërmarrje publike ka keqmenaxhime të shumta dhe situata ka mbetur e njëjtë edhe tani dhe nuk është ndërmarrë asgjë për përmirësimin e situatës.

Paga treshifrore, varfëria në ekstrem

HW

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri tha për “Kosova Sot”, se politika ka interes t’i shuajë ndërmarrjet publike në Kosovë. “Qeveritë e Kosovës, të gjitha, janë fajtore kryesore për falimentimin e tyre, ngase mendoj se kanë interesa personale që kanë arritur në këtë gjendje. Pagat në ndërmarrje publike janë jashtë çdo standardi, nuk përkojnë me rritjen ekonomike të vendit, nuk përkojnë me performancën e tyre, me efikasitetin e tyre, andaj ka ardhur edhe deri te gjendja ku jemi”, u shpreh ai. “Sot kemi paga treshifrore në ndërmarrjet publike, në krahasim me sektorët e tjerë, në anën tjetër 15 për qind e popullsisë jeton në ndihma sociale, 27 mijë familje me 270 mijë anëtare janë në gjendje të mjerueshme e në anën tjetër matrapazët politikë rrisin pagat për vete dhe servilët e tyre politikë”, vijoi më tutje Beqiri. “Jemi dëshmitarë se si edhe tash vetes dhe pionëve politikë ia rritën pagën, përderisa Kosova qëndron bukur keq në rritjen ekonomike, prapë jemi edhe para Kroacisë me pagën e kryeministrit dhe para të gjitha vendeve të ish- Jugosllavisë, përveç Sllovenisë”, shtoi ai.

Parlamenti e injoroi degradimin e NP-ve

Deputeti i dikurshëm në Kuvendin e Kosovës, Xhevdet Neziraj tha për “Kosova Sot” se ndërmarrjet publike në vendin tonë në vend që të jenë profitabile janë bërë barrë edhe për Qeverinë .” Si shembull po e marr vetëm rastin e KEK -ut, e cila kompani përveçse ka marrë kredi nga buxheti i vendit dhe nuk i ka kthyer asnjëherë, ajo për një dekadë është duke na plaçkitur, duke na detyruar për të paguar edhe rrymën e qytetarëve serbë në enklava”, potencoi ai. “Ndërmarrjet publike në vendin tonë vetëm kanë shërbyer që partitë politike t’i punësojnë klientelën e vet dhe t’i vendosin njerëzit kyçë në bordet e këtyre ndërmarrjeve dhe mos të japë askush llogari, prandaj këto ndërmarrje publike lirisht munden të thirren Ndërmarrje Publike të Partive Politike”, u shpreh Neziraj. “Deri më tani asnjë nga bordet e këtyre ndërmarrjeve, edhe pse anëtarët e tyre kanë marrë paga marramendëse nuk kanë treguar performancë të mirë, por përkundrazi i kanë sjellë buzë falimentimit dhe madje pasi i zhvlerësojnë siç është rasti me KEK- un, PTKnë, Aeroportin “Adem Jashari” dhe ndërmarrje të tjera”, theksoi ai. “Është për t’u çuditur se shumë pak në këto dy legjislaturat e fundit ka pasur deputetë ose Komisione Parlamentare që kanë ngritur ndonjë çështje ose ndonjë hetim parlamentar për këto ndërmarrje, andaj lirshëm e themi se definitivisht Kuvendi i Kosovës nuk është duke e kryer punën e vet, pra edhe të kontrollit parlamentar”, vlerë- soi ai.

Shkatërrimi i sektorit publik

Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku për gazetën “Kosova Sot”, tha se është për keqardhje që në këto borde deri më tash ka pasur vetëm emërime politike, familiarizëm dhe nepotizëm, pasi shumica e të emëruarve janë figura politike, të afërt me politikën dhe familjarë të politikanëve. “Derisa do të kemi veprime të tilla nga kjo klasë politike, e cila është e koncentruar në keqpërdorimin e të mirës publike për interesa private, familjarë dhe partiakë, do të kemi borde të politizuara në vend”, tha Maloku. “Nuk duhet harruar se që nga pavarësia e deri më sot shoqëria civile ka dhënë vërejtje të shumta për emërimet politike që bëheshin në bordet e NPve tona”, potencoi ai.

Në anën tjetër, Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) thotë për “Kosova Sot”, se kapja e shtetit nuk duket ndryshe. “Edhe kjo mungesë e guximit për veprim etik e profesional dëshmon për implikimet e rënda që mund të kenë ato veprime. E, veprimet në fjalë, ato klanore-fisnore, janë ” kushtetutë ” dhe formë e veprimit të mafisë, edhe në Kosovë”, u shpreh ai. Sipas tij, kurdisja dhe trukimi i privatizimeve, tenderëve, i konkurseve, lidhja e interesave grupore-politike-institucionale e biznesore rreth tjetërsimit të jashtëligjshëm të pronës – aseteve të shtetit me biznese fantome ” nga shtetet e huaja ” e dëshmojnë këtë shkatërrim të sektorit publik.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.