Sokol Maliqi futbollisti që i hapi dyert futbollistëve shqiptar në Zvicër
Gjilan – Ish futbollisti e tani trajner i futbollit, Sokol Maliqi, ishte njëri ndër futbollistët e parë që luajti në futbollin Zviceran, duke lënë gjurmë kudo që u paraqit në fushën e futbollit.
Pak kush ka besuar se Sokol Maliqi do të jetë një futbollist i shquar, por ai të gjithë i demantoi në fushën e futbollit, si 16 vjeçar ai veshi fanellën e Kombëtares së Zvicrës në Përfaqësuesen U16.
Ish futbollisti Maliqi, karrierën e filloi në Grasshoppers, si fëmijë që nga mosha 12 vjeçare, Maliqi, filloi ta djersit fanelen e këtij klubi të madh Zviceran duke arritur suksese të mëdha, ndërsa me këtë skuadër arriti të jetë edhe në Ligën e Kampionëve, duke pasur paraqitje tejet të mira në këtë kompetecion të garave duke u ballafaquar me Galatasarayin.
“Isha në kulmin e karrierës dhe gjithçka funksiononte si ora Zvicerane, kishim një skuadër tejet të mirë dhe sukseset nuk mungonin, në këtë kohë pak futbollist shqiptarë ka pasur në futbollin e Zvicrës”, kujton ish futbollisti, Maliqi.
Maliqi nuk ndalet me kaq, ai la gjurmë të thella edhe në skuadrat tjera të futbollit.
“Kisha oferta të mëdha tek klubet evropiane, kalova tek skuadra Wil e cila ishte një skuadër shumë e fort, dhe u shpalla si golashënuesi më i mirë me 18 gola të shënuar në portat kundërshtare”.
Sokol Maliqi kishte bërë emër në futbollin Zvicran dhe në adresën e tij ofertat vërshonin.
“Karriera ime filloi të ndryshoj për të mirë, kalova tek skuadra e Luzernit duke vazhduar në FC Vaduz, FC Biel Bienne edhe në këto skuadra isha njëri ndër më të mirët, dhe jam shumë i lumtur që isha pjesë e këtyre skuadrave me nam në futbollin Zviceran”.
Në vitin 2008, Maliqi, kishte luajtur një ndeshje miqësore si futbollist i Luzernit me kampionët botëror Brazilin, i cili kishte emra të mëdhenj të futbollit.
Maliqi provon fatin edhe në skuadrën e Qipros, Apep Pitisila.
“Në këtë skuadër kam kaluar mjaft mirë duke dhën kontribut të madh për sukseset e kësaj skuadre, pronarët e këtij klubi aq kishin besim tek unë dhe më bën edhe trajner, në pesë ndeshje më besuan zejen e trajnerit, njeherit nga këtu fillon edhe zeja e trajnerit në karrierën time”.
Ish futbollisti Maliqi, karrierën e futbollistit e përfundon në vitin 2012, por ai në asnjë moment nuk ndejti duarkryq, ai regjistroi zejen e trajnerit i cili ka përfunduar Licencën A, ndërsa si trajner gjerë më tani ka punuar në këto klube: FC Schwamendingen, FC Dübendorf, FC Gossau dhe së fundi në FC Uzwil.
Se çka mendon sot 36 vjeqari, për futbollin kosovar, Maliqi me mjaft modesti deklaroi.
“Më vjen keq të them por atje së pari mungon infrastruktura, elementi kryesor për zhvillimin e ndeshjes, shkollave të futbollit nuk ju kushtohet rëndësi të madhe, ndërsa trajnerët të përcjellin shkollat e larta nëpër vende evropiane për të qenë më afër futbollit modern. Ne kemi talent por me ta duhet punuar në shtigje të gjata e jo ti mbysim ende pa filluar karrierën, ndërsa shteti duhet shumë më shumë ta përkrah sportin e jo ta lënë të dorës së dytë apo të tretë, me një fjalë në kemi brumin por atë duhet gatuar ashtu siq duhet për të dal kualiteti”, është shprehur Maliqi.
Se a ka synim të bëhet trajner në futbollin e Kosovës, Sokol Maliqi, nuk ngurroi të thotë.
“Së pari Federata duhet të na kontaktoj jo vetëm mua por të gjithë kolegët e mijë, që t’na fton e të njoftohet me punët tona të cilat i bëjmë nëpër klubet tona profesioniste, ti shpalosim projektet tona dhe me shumë dëshirë e vullnet do të kontribuonim si në Federatë njashtu edhe në Përfaqësueset e Kosovës duke filluar nga U15 gjerë tek Përfaqësuesja A, kjo do ti bënte dobi të madhe futbollit të Kosovës”.
Është mirë që njerëzit profesionist t`i ofrojmë afër që të japin kontributin e tyre për të mirën e futbollit Kosovar./rajonipress/


