Pasanikët e paligjshëm bëjnë ligjin në Kosovë
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë veçuar se aty ku abuzohet me buxhetin e shtetit, drejtësia do të duhej të jetë shumë më agile në hetimin dhe gjykimin e veprave të tilla të krimit, ngase kështu është në pyetje interesi dhe dëmi ndaj shtetit, derisa në këto raste drejtësia do të duhej të jetë e pakompromis në gjykimin dhe dënimin e tyre. Por, sipas tyre, politikanët dhe njerëzit që e shpërdorin paranë publike po shpëtojnë nga drejtësia, ngase organi i ndjekjes, prokuroria me policinë, nuk mund të arrijnë që ta argumentojnë rastin si duhet në gjykatë sa i përket këtyre veprave penale.
SHTETI I DEGRADUAR, ME DREJTËSI TË RRËNUAR
Gjyqësia dhe prokuroria, të paafta ta luftojnë krimin
“Tash për tash ligjin në Kosovë e bëjnë pasanikët e bërë të pasur me rrugë antiligjore dhe antikushtetuese, prandaj grupet mafioze dhe oligarkët politikë qëndrojnë mbi sistemin e drejtësisë dhe mbi Kushtetutën, ndërsa rrjeti i tyre ka prekur secilin institucion përmes të të cilëve ata mbajnë situatën nën kontroll të përhershëm”, u shpreh Shefqet Dibrani
Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë veçuar se aty ku abuzohet me buxhetin e shtetit, drejtësia do të duhej të jetë shumë më agile në hetimin dhe gjykimin e veprave të tilla të krimit, ngase kështu është në pyetje interesi dhe dëmi ndaj shtetit, derisa në këto raste drejtësia do të duhej të jetë e pakompromis në gjykimin dhe dënimin e tyre.
Por, sipas tyre, politikanët dhe njerëzit që e shpërdorin paranë publike po shpëtojnë nga drejtësia, ngase organi i ndjekjes, prokuroria me policinë, nuk mund të arrijnë që ta argumentojnë rastin si duhet në gjykatë sa i përket këtyre veprave penale.
Ndaj, është shtruar edhe çështja se a po i shpëtojnë drejtësisë mafio- oligarkët e politikës, duke mos u marrë me shumicën prej tyre prokuroria fare, derisa edhe me ata që merret, të njëjtët shpëtojnë me dënime të buta apo duke i shfajësuar gjyqësori edhe për abuzimin e buxhetit të shtetit. Për këtë dhe atë se a po vepron drejtësia me kute të ndryshme, dhe duke dalë mbi ligjin kur është fjala për politikanët, flet shkrimi në vijim.
Oligarkët të paprekshëm
Analisti Naim Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se fatkeqësisht oligarkët e politikës nuk preken nga drejtësia edhe atëherë kur ata abuzojnë me ligjin dhe të drejtën, edhe përkundër faktit se janë vjedhës dhe keqpërdorues edhe të parasë publike, e që ndaj tyre drejtësia po tregohet e butë, duke iu shqiptuar dënime vetëm sa për sy e faqe, andaj, sipas tij, në këto raste këto janë gjykime false, sepse këtu është e involvuar politika e inkriminuar në bashkëveprim me gjyqtarë të inkriminuar po ashtu sikur janë njëherësh abuzues të ligjit dhe të drejtës, duke bërë kështu, siç tha, ndarje të drejtësisë selektive. “Është për të ardhur keq për këtë degradim që po ia bëjnë drejtësisë të tillët me veprimet e tilla qesharake mbase duke menduar se mund ta mashtrojnë BE-në, duke abuzuar kështu me ligjin dhe të drejtën, në vend që të jepeshin vendime konkrete sipas asaj që parasheh ligji dhe e drejta për shpërdorim kriminal të parasë publike, kështu pra drejtësia po vendnumëron dhe shteti ligjor po tregohet i papërgjegjshëm në luftën ndaj abuzuesve dhe veprave të korrupsionit e krimit”, ka vijuar ai.
Tutje, Kelmendi ka nënvizuar se, sidomos aty ku abuzohet me buxhetin e shtetit, drejtësia do të duhej të jetë shumë më agile në hetimin dhe gjykimin e veprave të tilla të krimit, ngase kështu është në pyetje interesi dhe dëmi ndaj shtetit, derisa, sipas tij, në këto raste drejtësia do të duhej të jetë e pakompromis në gjykimin dhe dënimin e tyre. ” Faktikisht me fuqizimin e shtetit ligjor, askush s’mund të jetë mbi ligjin teksa këtë standard e kërkon edhe BE-ja”, tha Kelmendi.
Kriminalizimi i sistemit
Analisti tjetër Shefqet Dibrani thotë se si duket grupet e kriminalizuara dhe bosët e krimit qysh në fillim e kanë shtrirë ndikimin e tyre në sistemin e drejtësisë, duke i sistemuar kështu njerëzit e tyre aty, andaj, sipas tij, drejtësia nuk ka shënuar asnjë rast inkurajues që të shtyn për të besuar se sistemi i drejtë- sisë me të gjitha mangësitë ka vepruar diku në mënyrë profesionale. Sipas tij, prandaj edhe ngecja e shumë çështjeve të pazgjidhura e kanë burimin në këtë drejtësi të stërkequr nga vetja e saj, derisa, siç tha, tashmë dihet që lidhjet gjykatë- politikë janë të tejdukshme, të cilat bashkërisht kanë zhvilluar një korrupsion të madh, i cili është shtrirë në të gjitha nivelet duke e fundosur si është më së keqi këtë sistem. “Pra, asgjë e mirë nuk mund të pritet nga njerëzit e këqij dhe kurrë përparim nga të vobektit nuk do të ketë, sikurse as ligje të mira nga një pushtet i zhytur në krim e kriminalitet, prandaj shoqëria jonë në këtë plan është përfshirë nga virusi i së keqes, i cili nëse shndërrohet në sëmundje kronike kërkon kohë për t’u shëruar, sikurse Kosovës i duhet një kohë për ta ndryshuar këtë mentalitet negativ ndaj vendit dhe institucioneve:, theksoi ai. “Pra, tash për tash ligjin në Kosovë e bëjnë pasanikët e bërë të pasur me rrugë antiligjore dhe antikushtetuese, prandaj grupet mafioze dhe oligarkët politikë qëndrojnë mbi sistemin e drejtësisë dhe mbi Kushtetutën, ndërsa rrjeti i tyre ka prekur secilin institucion përmes të të cilëve ata mbajnë situatën nën kontroll të përhershëm”, u shpreh Dibrani./kosova sot/


