Fundamenti

Kuvendi që përçan

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Imer Mushkolaj – Duke organizuar seanca përkujtimore për dëshmorë veç e veç, Kuvendi i Kosovës po përçan, e nuk po bashkon. Po dëmton, e nuk po nderon.

Këtë vit një paraardhës imi, me emrin e të cilit më kanë pagëzuar kur kam lindur, do t’i mbush rrafsh njëqind vjet prej kur është ndarë nga jeta. E kanë vrarë serbët, bashkë me dhjetë të tjerë. Asnjëherë deri më tash nuk janë përkujtuar as lartësuar.

Por, tash do të mund të provoja, sinqerisht, që nëpërmjet deputetëve që i njoh në Kuvend, t’ua organizoja një seancë përkujtimore. Pse jo? Dikush nga deputetët do të mbante një fjalim, seanca do të transmetohej “live” në TV dhe të gjithë do të merrnin vesh për ta.

E vërtetë, do ta kisha vështirë të siguroja votat e mjaftueshme për ta futur seancën në rend dite, pasi që nuk kam kushedi çfarë raportesh të mira me përfaqësuesit e popullit. Por ia vlen të provohet, apo jo?

Tekefundit, as paraardhësi im dhe të tjerët si ai nuk janë më pak të rëndësishëm se shumë të tjerë që janë sakrifikuar për liri në vitet e mëvonshme. Edhe ata janë vrarë në luftë me serbët, duke mbrojtur shtëpitë dhe nderin. Pse nuk do ta meritonin një mbledhje solemne në përkujtim të tyre?

* * *

Po që se vazhdon siç e ka nisur, Kuvendi i Kosovës shpejt do të shndërrohet në një institucion, misioni i të cilit nuk do të jetë miratimi i ligjeve, rezolutave dhe akteve të tjera, por mbajtja e seancave komemorative për dëshmorë e heronj.

Në shikim të parë ky nuk duket të jetë problem i madh. Kuvendi edhe mund të organizojë një seancë përkujtimore për të gjithë ata që kanë dhënë jetën për liri, por është e tepërt dhe e papranueshme që të tilla organizime të bëhen për emra të veçantë, sipas tekeve të deputetëve dhe partive të caktuara.

Për më tepër, gjithë ky marifet është kthyer në një garë të pështirë se kush për kë do të organizojë seancë përkujtimore. Natyrisht, fitues në këtë rast janë ata që kanë më shumë numra në Kuvend.

Por, çfarë të bëhet ta zëmë me propozimin e ndonjë deputeti që nuk merr mbështetje të mjaftueshme sa për ta futur në rend dite mbajtjen e një seance përkujtimore për ndonjë dëshmor a hero “të vetin”? A duhet konsideruar se dëshmori apo heroi “i tij” janë më pak të rëndësishëm se dëshmorët e heronjtë e kolegëve të tij?

Duke dashur që t’iu bëjnë nder atyre që nuk janë më, deputetët më tepër po iu bëjnë dëm. Për më tepër, ata po shërbejnë si monedhë kusuritjeje, madje edhe lufte politike në Kuvend.

FIDANISHTJA

Ata që kanë rënë për lirinë e vendit duhet vlerësuar të gjithë njësoj. Qindra e mijëra dëshmorë e viktima lufte gjithandej Kosovës kanë rënë e janë vrarë dhe secili nga ta do ta meritonte një seancë në Kuvend. Por, a është e mundur kjo? Natyrisht, jo.

Më e udhës do të ishte që të organizohet një herë në vit një seancë për krejt dëshmorët e viktimat e luftës, për krejt betejat, në mënyrë që të vlerësohet denjësisht sakrifica e të gjithëve.

Në vend se Kuvendi të mbajë seanca veç e veç për dëshmorë “të zgjedhur” sipas fuqisë politike të partive, do të ishte mirë që të angazhohet në miratimin e një ligji të veçantë, i cili do ta rregullonte këtë çështje njëherë e mirë. Përndryshe, ky institucion i rëndësishëm do të vazhdojë të merret me punë, me të cilat nuk do të duhej marrë, respektivisht të përçajë qytetarë e të ndajë dëshmorë, duke ua caktuar vlerat që dikush po i merituaka e dikush tjetër jo.

Me veprime të tilla, Kuvendi jo vetëm se po devijon nga mandati dhe misioni i vet por, për më shumë, po humb energji e po harxhon kohë kot, duke bërë që të mos vijnë në rend dite tema shumë më të rëndësishme, për të cilat deputetët do të duhej të diskutonin e të vendosnin.

* * *

Kuvendi nuk do të duhej të shndërrohej në një institucion, në të cilin forca të caktuara politike do të bënin garë se cila është më patriotike se tjetra, por do të duhej të ishte një institucion në të cilin gara do të zhvillohej për ide, vendime e debat në të mirë të qytetarëve.

Kuvendi duhet të ketë rol unifikues, e jo përçarës për qytetarët e Kosovës. Kjo mënyrë e gabuar, me të cilën ka vendosur t’iu qaset meritave dhe vlerave të personave e ngjarjeve të veçanta, do ta çojë andej kah nuk do të duhej të shkonte. Andej kah nuk i takon.

Andej kah nuk do të dëshironte ta shihte, po të ishte gjallë, as paraardhësi im, emrin e të cilit e mbaj.

Andej kah nuk do të dëshironin ta shihnin, po të ishin gjallë, as dëshmorët e viktimat emrat e të cilëve nuk po nderohen, por me të cilët po luhet.

Ata nuk e meritojnë një gjë të tillë.