Maji i shpifur proletar
Nga Blerina Rogova Gaxha – Kur është shembur piramida komuniste, ka ndodhur të shpërfytyrohen me dhjetëra shtete dhe ta harrojnë mënyrën e jetesës. Kështu ka ndodhur me pothuaj gjithë vendet e lindjes e edhe me shqiptarët, të cilët për gati pothuaj një shekull, kanë jetuar si komunistë të vegjël, ose si viktima të tij. Megjithëse Një Maji, ka një tjetër histori që nuk lidhet me sheshet e kuqe të “perandorisë komuniste”, neve na është fiksuar vetëm përmes paradave në këto sheshe, si një festë ku dikush kërkon një të drejtë të tij “proletare”. Perandoria komuniste kishte arritur që 1 Majin ta shndërronte në “festë të kujtimit të keq” për një kohë të “kapitalistëve të ndyrë”, por që në “parajsën komuniste” asgjë nuk ishte si dikur! Festa e hipokrizisë komuniste, për çudi është shpërfytyruar më shumë në vitet e “demokracisë sociale”!
Në vendet normale, siç janë Londra ose Berlini, Madridi ose Parisi… ka kohë që kjo datë nuk është kurrfarë feste, por është shndërruar në manifestim të “dhunshëm” kundër shtetit e politikave të tij, të mijëra njërëzve që punojnë për hesap të shtetit e që kërkojnë drejtësi. Vetëm shqiptarët pushojnë e nuk dinë pse pushojnë, kremtojnë e nuk dinë pse kremtojnë!
Të mërkurën e kësaj here, të gjithë kanë pushuar ose janë bërë se po pushojnë. Të gjithë janë zgjuar me erën e gomave të djegura, edhe ata që jetojnë nëpër shtëpi, edhe ata që jetojnë në apartamentet e panumërta. Të mërkurën pothuajse të gjithë kanë pasur një plan, të gjithë kanë pasur një palë rroba të veçanta, ato të 1 Majit. Makinat e të gjithëve janë bllokuar rrugëve të pakta, kah shkojnë qytetarët e këtij vendi për të festuar, ditën që shumë prej tyre nuk e dinë as vetë se çka është.
Socialistë e komunistë, anarkistë e demokratë, politikanë e deputetë të mëdhenj e të vegjël, të rritur e të fëmijë, kanë mësyrë drejt “qejfit” të 1 Majit. Janë më shumë se 80 shtete në të cilat 1 Maji është ditë pushimi, dhe plot të tjera, në të cilat kjo ditë festohet jozyrtarisht. Republika e Kinës, Korea e Veriut dhe Bashkimi i dikurshëm Sovjetik e kanë konsideruar atë festë të rëndësisë së madhe, sigurisht se këtu hyn edhe Shqipëria, shtete këto që kanë shtruar paradë ushtarake e popullore.
Për gjithë vitet në të cilat hetueshëm ose pahetueshëm kemi qenë komunistë të përbetuar, me hatër o me zor, pushtetarët e atëhershëm ose më saktë diktatorët e dikurshëm, kanë proklamuar ditën e parë të majit, duke e shpallur festë të trashëgimisë sonë e të sistemeve që i trashëguan. Mund t’i kujtohen secilit ushtarët e kuq, ose ngjyra e kuqe, që më s’i ngjan askujt, dhe diktatorin e kuq në krye, i cili bën thirrje për vazhdimësinë e progresit të tij. Mund t’i kujtohen secilit paradat e pafundme që i kemi përcjellë në televizor ose ato të pafundmet në të cilat kanë ecur vetë.
Prej asaj kohe deri në ditët e sotme, në hapësirën kohore prej më shumë se njëzet vjetësh, pushtetarët e sotëm me shumë se sa thirrje bëjnë premtime për progres, drejtësi e barazi. Çështjet kanë evoluar, sistemet kanë rënë, por parimi i barazisë, për të gjithë mbetet i pandryshuar. Vetëm Kosova bën përjashtim. Kosova duhet të jetë rasti më i veçantë i shpërfytyrmit të 1 Majit. Pushojnë e nuk e dinë pse pushojnë, djegin goma dhe nuk e kanë idenë se pse duhet e çfarë bëjnë. Sindikatat dhe liderët e tyre, që kanë vite që s’kanë bërë as edhe një gjë të vetme, përpos mbledhjes së “anëtarësisë”, i bëjnë dofarë deklaratash të shpifura për çdo të parin e majit dalin “pikniqeve”.
Kryetari i sindikatave të puntorëve të Kosovës, një ditë para kalljes së gomave, ka thënë se megjithëse klasa punëtore në Kosovë ka telashe të mëdha, kjo është ditë feste, prandaj edhe ne do të festojmë. Ai mund të ketë parë 100 arsye pse duhet festuar, kështu që nuk mund t’i vëmë faj.Po një ditë para kësaj date, Agjencia e Statistikave e Kosovës ka thënë se në këtë shtet papunësia është zvogëluar për 10 %, vetëm brenda një viti. Kjo mund të jetë arsye edhe më e madhe për të festuar.
Nëse do të ishim si atëherë kur mbanim shami të kuqe në shkollë, do të duhej t’i besonim, o me hatër o me zor. Sot, mbase do të duhej t’i besojmë, së paku për të qenë më optimistë e për t’i ndërruar muhabetet e kafeve, nëse hyjmë e luajmë në lojën e tyre të propagandës. Vendi i zhytur në skamje, i zaptuar e i dhunuar, ka mundësi që së shpejti të shpallet edhe si një ndër vendet më të zhvilluara. Propaganda e pafytyrë mund të jetë përpjekje e shkëlqyer për ta shpërfytyruar popullin “shqiptar të paepur e proletar”! Është e çuditshme kur ka festë e goja s’ta qet të thuash “gëzuar”!


