Eko Higjiena

Marrëveshja e normalizimit!

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Nga Flamur Hyseni & Burim Haliti – Krijimi i një modeli të ri të formës organizative të brendshme të shtetit, në rastin e Kosovës po del se në një pjesë e caktuar e territorit shtetëror si tërësi do të ketë një formë organizimi më ndryshe se pjesa tjetër, por që e cila nuk prishë tërësinë organizative, por medet si pjesë e integruar brenda saj me disa kompetenca të zgjeruara dhe me një asociacion të komunave me shumicë serbe.

Me arritjen e marrëveshjes së 19 prillit 2013 në Bruksel, nuk tejkalohet Pakoja e Presidentit Ahtisari, por me arritjen e kësaj marrëveshjeje po plotësohen në formë kushtesh kërkesat e faktorit ndërkombëtarë kësaj here në kombinim është edhe Serbia. Përmbushja e këtyre kushteve të paraqitura nga faktori ndërkombëtarë është edhe në funksion të integrimeve evropiane.

Pas arritjes së marrëveshjes, si sfidë mbetet krijimi i mekanizmave për ta zbatuar këtë marrëveshje. Marrëveshja në disa pika të saj e parasheh krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, por ky asociacion e ka bazën ligjore e cila i është krijuar në ligjin për vetëqeverisje lokale të 15 qershorit 2008, i cili e parasheh se mund të krijohen “…asociacione të komunave”, nga përkufizimi i tillë del se mund të krijohen disa asociacione, po ashtu edhe ligji për bashkëpunim ndërkomunal e parasheh një gjë të tillë.

Arritja e marrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së nuk është në kundërshtim me Kushtetutën aktuale, kjo marrëveshje mund të jetë në kundërshtim me Kushtetutën tonë ideale. Marrëveshja e përmend në përmbajtjen e saj edhe “pushtetin qendrorë” të Kosovës kur flitet për bartjen e kompetencave nga qendra tek asociacioni apo komunat, nga kjo del një element, që kjo pjesë e organizuar pak më ndryshe e nivelit lokal prapë ka lidhje me pushtetin qëndror të Republikës së Kosovës.

Shikuar edhe në kontekst të zhvillimeve historiko – politike, sidomos përgjatë periudhës 23 mars 1989 – 19 prill 2013, Kosova në raport me Serbinë ka fituar të gjitha betejat politike diplomatike. Më 23 mars 1989 kur Serbia në mënyrë antikushtetuese rrënoi autonominë e Kosovës duke menduar se ka pushtuar Kosovën, sigurt e ka futur në rrugën e shtet krijimit, kur ka vendos të ushtrojë dhunë sistematike duke përdorur forcat militare dhe paramilitare të sigurisë, sidomos policinë, ka dalë në skenë UÇK-ja dhe ka mbrojt vendin, kur ka menduar të hap luftën frontale, ka pasuar bombardimi i NATO-s më 24 mars 1999, pas Konferencës së Rambujes, kur ka menduar se për një kohë të gjatë Kosova do të mbetet e askujt, Kosova ka fituar statusin e vendit të administruar ndërkombëtarisht nga 12 qershori 1999 – 17 shkurt 2008, kur ka menduar se do ta pengojë Kosovën për tu pavarësuar dhe krijuar shtetin e pavarur, Kosova ka pranuar bisedimet e Vjenes për statusin, dhe ka pranuar Propozimin Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës, 27 mars 2007, kur ka menduar se do ta pengojë përfundimisht, Kosova ka shpallë pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe i është njohur nga shtetet e fuqishme menjëherë, kur ka menduar se do ta pengojë këtë pavarësi, ka iniciuar rastin në GJND për ligjshmëri, GJND-ja ka vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë, kur ka menduar se do ta pengojë edhe më tutje me fusnotë, Kosova ka pranuar fusnotën e tillë, por pas pak më shumë se një vit ajo me propozim rezolutë të PE-së propozohet të hiqet, kur ka menduar se Kosova nuk do të pranojë arritjen e marrëveshjes në bisedimet politike të Brukselit, Kosova ka pranuar një marrëveshje të tillë, që Serbia u detyruar ta pranojë ashtu duke mos cenuar integritetin dhe sovranitetin e jashtëm të Kosovës.

Marrëveshja e 19 prillit 2013 Kosovë – Serbi ka efekte integruese jo vetëm për Serbinë, por edhe për Republikën e Kosovës sepse i hapën dyert e integrimit të saj në aspektin integrues duke mos u penguar nga shteti serb, sepse me këtë marrëveshje kemi një zotim se Serbia nuk do e pengojë Kosovën në integrimin e saj në strukturat evropiane dhe anasjelltas.

Mobi Casa

Në kuptimin integrues kjo marrëveshje është shumë domethënëse sepse Republika e Kosovës jo vetëm se më nuk mund të pengohet nga shtetet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës por, nuk mund të pengohet as nga shtetet qe e kanë njohur sepse kemi zotimin e dyja shteteve për të mos e penguar njëra tjetrën në integrimin e tyre në BE (shih pikën 14 të marrëveshjes Kosovë – Serbi, datë 19 prill 2013).

Në bazë të kësaj marrëveshje moralisht janë të obliguara të gjitha shtetet e botës të cilat nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës ta njohin urgjentisht, sepse tani më kemi marrëdhënie relativisht të mira më të gjitha shtetet fqinje si: Republikën e Shqipërisë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë.

Diplomacia Kosovare duhet të alarmojë urgjentisht të gjitha superfuqitë botërore diplomatike që të na ndihmojnë në aspektin diplomatik dhe të angazhojë ekspertët më të mirë të skenës botërore diplomatike siç janë shtetet: Franca, SHBA, Britanisë e Madhe, Gjermania, Izraeli, Liga Arabe, etj. Ministria e punëve të jashtme e Republikës së Kosovës duhet urgjentisht që këtë marrëveshje ta elaborojë parashteteve të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë dhe të ju bëjnë me dije se tani më këto raporte janë normale dhe se Serbia e ka pranuar realitetin të cilin është dashur ta pranoj në vitin 1999, kjo mund të bëhet vetëm me hartimin e strategjive, planeve dhe bisedimeve me miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët janë të gatshëm të na ndihmojnë në këtë drejtim, sepse ne kemi nevojë më shumë se kurrë ta përkrahim këtë proces.

BE-ja kriterin kryesor të pranimit të saj në familjen evropiane e ka normalizimin e raporteve që një vend duhet të ketë me të gjitha shtetet fqinje e kjo vlen edhe për Republikën e Kosovës, andaj ne jemi në rrugë të mbarë në këtë kriter të BE-së. Në vazhdim të procesit të integrimit ne duhet tani të fokusohemi në përmbushjen e kritereve tjera të cilat janë primare për BE-në si: sundimi i ligjit, harmonizimi i legjislacionit vendor me atë të BE-së, ngritja e standardit jetësor, zhvillimi ekonomik, ngritja e infrastrukturës rrugore, zhvillimi i demokracisë, mediet e lira, funksionimi normal i institucioneve shtetërore, shkelja e të drejtave të njeriut, minoritetet etj.

Shoqëria kosovare e ka në duar fatin e saj drejt integrimit në familjen evropiane sepse kjo marrëveshje i hap dyert e integrimit në arsyetimin e vetëm se kjo marrëveshje ka dalë nga vetë shtetet e BE-së që Kosova mund të integrohet në BE nëse këtë nuk e pengon Serbia dhe nëse i plotëson kriteret tjera, kjo mundësi e integrimit nuk është penguar nga Serbia përkundrazi është nënshkruar marrëveshja dhe Serbia në pikën 14 të marrëveshjes është zotuar se nuk do e pengojë Kosovën në integrimin e saj në BE dhe anasjelltas.
Kjo mundësi e integrimit të Kosovës në BE mund të shërbej edhe si precedent i mirë që Kosova në të ardhmen e afërt mundet të pranojë ulëse në OKB dhe se kjo është forma më e mirë e integrimit të Kosovës në BE dhe në OKB, shpresojmë që një gjë të tillë ta realizojmë përmes inkuadrimit të kuadrove të reja të profesionalizuar në fushën e euro integrimeve, juristë të dalluar, ekonomistë efikas, diplomat të rryer etj.

(Flamur Hyseni është kandidatë për Dr.sc. në Të drejtën Kushtetuese dhe Administrative dhe pjesë e stafit akademik të Fakultetit Juridik të UP-ës. Burim Haliti ka titullin shkencor Master i shkencave juridike – financiare)